NEVZATI
Xhabir AHMETI
Duke punuar në zyrën time të korrespondentit të "Rilindjes", trokiti dera dhe pa e mbaruar mirë fjalën "hyr", para meje u gjetën Myftar Zyberi dhe Havzi Mehmeti, shokë të dikurshëm nga shkolla e mesme në Tetovë (Havziun shok klase). Derisa kalonte "hyrja" në bisedë me miqtë me të cilët nuk isha takuar mjaft kohë, më shkonte mendja se kanë ndonjë hall të vetin e ngaqë vijnë nga Tetova mund t'iu duhet ndihma ime. Çfarë halli i paska shtyrë kështu? Në lëvizjet e tyre dukej e qartë ngutja. Në ndërkohë erdhi zonja që bënte kafe për disa firma të vendosura në ndërtesën e "Agro-Kosovës" së atëhershme.
- Urdhëroni! - na u drejtua ajo.
- Do ta pimë një kafe - tha Haviziu. - Por nuk kemi shumë kohë. Kemi ardhur me punë. Myftari rrinte mendueshëm përballë meje me do letra në dorë. - T'i bie shkurt - tha Havziu - kemi vendosur ta bëjmë një parti shqiptare, këtu në Maqedoni.
- Si shkojnë punët - ndërhyri Myftari - kjo është e vetmja zgjidhje politike për ne. A do të na bashkohesh? Na duhet ndihma jote. Shumë.
- Kush është tjetër me ju? - e pyeta.
- Nuk jemi shumë. Është edhe Mitati. Juristi. E njeh?
- Jo, po s'ka rëndësi. - u thashë. - Ju njoh juve.
Kështu filluam ne. Punonim. Punonim. Për pak ditë u shumëzuan bashkëmendimtarët tanë. U bënë aq shumë, sa nuk më besohej se do të ndodhë një çudi e tillë. Dhe çdo ditë mblidheshim shumë e më shumë njerëz të këmbejmë mendime. Vendtakimi ishte te Ura e Gurit në Shkup. Çdo takim bëhej i dendur e më i dendur, i pasur e më i pasur. Vinin nga gjithkah: nga Tetova, nga Kumanova, nga Gostivari, nga Dibra, nga Struga, nga Kërçova. Flisnim për të ardhmen që do ta ndërtojë partia jonë. Ishim të sigurt se do ta bëjmë, ndonëse kushtet ishin shumë të vështira. Këtu asokohe vepronin UDBA dhe KOS-i.
Moti ka qenë kjo punë. Por, si ngjarje e veçantë nuk harrohet. Më kujtohen takimet. I mbanim në lëvizje. Duke ecur grupe-grupe kejit të Vardarit. Koha ishte e mirë, njerëzit i shtynte përpara dëshira e madhe për ndryshime. Vullneti i pathyeshëm për ndryshimin e pozitës së shqiptarëve, në radhë të parë. E shikoja veten midis këtyre njerëzve të mirë me të cilët bisedonim për ideale të larta kombëtare dhe ndjehesha shkëlqyeshëm. Megjithatë syri i padukshëm i policisë hetohej se ishte i pranishëm. Na ngjitej hija e saj prapa. Dhe të gjithë ne shpesh e kthenim kokën instinktivisht. Mirëpo ne kishim vendosur ta bëjmë punën tonë e s'na ndalte asgjë më. I rregullt në këto takime ishte Nevzati. Nevzat Halili. Pastaj Mitati. Xheladini. E shumë të tjerë, të cilët tash kujtesa po m'i fsheh, ndonëse të gjithë ishin të mirë dhe vazhdimisht kujdeseshim të jemi të barabartë mes vetes. Sa të mbushur me frymëzim, sa të bindur ishin njerëzit atëherë se do ta kapërcejmë me sukses gjendjen e shqiptarëve e cila ishte për vaj. Mendonin se po e hapin derën e ardhmërisë së lumtur, se përfundimisht kështu (me formimin e partisë) do ta mbrojmë identitetin tonë kombëtar me të gjitha nishanet që shkojnë me të.
Pastaj erdhi koha vendimtare. Ta regjistrojmë partinë. Gjatë kohë biseduam për emrin. Në fund mbet propozimi i Myftarit: Partia për Prosperitet Demokratik. Me këtë emër shkuam ta regjistrojmë. Nuk na lejuan se, thanë, nuk mundet të regjistrohet e ashtuquajtura parti njënacionale, siç e cilësuan partinë tonë. Ne, ia bëmë çaren edhe këtij kushti. E bëmë partinë demek "shumënacionale". Pastaj erdhi puna të zgjidhet kryetari. Kush do të jetë? - A po bëhesh ti? - Jo. - Po ti? - As unë.
I mërzitur, madje mund të them edhe i rezignuar, vjen një ditë Myftar Zyberi te unë.
- Nuk ka - thotë - kandidatë për kryetar. - Vetëm një është - shtoi, kurse unë desha të ketë më shumë. Të zgjedhim më të mirin.
- Një, një - ia ktheva unë. - Le të jetë, ta kemi kryetarin. Do ta mbështesim, do t'i ndihmojmë të gjit hë. Nuk kemi shumë kohë. Po kush është ky?
- Nevzati. Nevzat Halili.
- Në rregull - thashë.
I papërvojë politikisht, përballë partive politike maqedonase që vinin nga pushteti komunist (parti që e kishin ndërruar vetëm qimen, hujet i kishin të njëjta), me dëshirën e madhe për ta bërë partinë tonë, por edhe me guxim Nevzati u bë kryetari i parë i një partie shqiptare në Maqedoninë e sapomëvetësuar. Menjëherë e fitoi simpatinë e gjithë popullit shqiptar dhe punët nisën të ecin me shpejtësi marramendëse përpara. Partia shpejt u shndërrua në lëvizje dhe në zgjedhjet e para të ashtuquajtura demokratike të Maqedonisë Nevzati ishte tribun i vërtetë i shqiptarëve. Madje nëpër ndeja e gëzime atëherë i këndoheshin këngë atij. Kështu shqiptarët, me gjithë ligjin e pafavorshëm zgjedhor, u futën triumfalisht në Kuvend dhe u bënë pjesë e Qeverisë. Aso kohe, në ditët pak para zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve, qiellin e vogël të Maqedonisë e mbuluan aeroplanët me gastajbarterë shqiptarë që vinin t'ia jepnin votën Prosperitetit. Për fat të keq pat edhe mjaft viktima në fatkeqësitë e komunikacionit, për shkak se njerëzit të ngazëllyer nguteshin që të arrijnë sa më shpejt në këtë ditë të madhe. Dhe, Evropa u pyet: çka po ndodhë vallë? Meritat e Nevzatit janë të pamohueshme. Por, edhe historike. Në kohën e tij u ngrit çështja e universitetit shqip, çështja e një televizioni shtetëror në gjuhën shqipe, çështja e daljes së "Flakës së vëllazërimit" si gazetë e përditshme (e subvencionuar nga buxheti shtetëror), çështja e barabarësisë së gjuhës shqipe me maqedonishten, çështja e arsimit, problemet sociale të shqiptarëve, problemet ekonomike etj. Ishin shumë, shumë çështje që u ngritën. Mirëpo nga e gjithë kjo që u bë Nevzati përveç faktit se është kryetari i parë i një partie, e cila i bëri shqiptarët realitet dhe faktor të rëndësishëm e të fuqishëm në Maqedoni, nuk fitoi gjë përveç mundimeve, fyerjeve dhe anashkalimeve të turpshme që ia bën politika aktuale shqiptare. Puna e tij e guximshme u shpërblye me burg. Edhe shumë shokë të tij edhe sot e kësaj dite ndiqen në mënyra të ndryshme. Sot zbresin aktivistë të degëve e të krandeve të ndryshme (siç do të kishte thënë Salajdin Salihu i urtë) e vijnë në Shkup në pazaret e tenderëve, (duke shkelur nëpër idealet e Havziut, të Myftarit, të shumë e shumë burrave të tjerë që kanë qenë roje e identitetit në kohët më të vështira), kurse Nevzati, Nevzat Halili me meritat e mëdha endet nëpër entet e punësimit. Kërkon një punë, se e kanë lënë kurrqysh në një moshë para pensionit. Lere që nuk shkojnë e t'i falënderohen atij, ta nderojnë, për dyert e politikës shqiptare që i hapi bashkë me disa nismëtarë, por për turp të zi ecin me çizme duke shkelur mbi këtë nismë të ndritshme që bëri ai me nismëtarët e zënë në gojë.
Ecin duke qitur harresë mbi emrin e tij. Dhe, mbi të gjithë ata që e mbajtën frymën e kulturës shqiptare. Hej! Dua të them: gabim, gabim, gabim i pafalshëm dhe e pandershme është të mendosh se gjithçka fillon me ty. Ose të jem më i qartë: ka pasur njerëz të mirë para jush. Ka pasur burra. Ka qenë Mehmet Gega, ka qenë doktor Jusufi, ka qenë Ramushi, Faiku, Hysni Qemali, Jakupi e shumë, shumë të tjerë. Ka qenë Nevzati me shokë? Po kush jeni ju?