SALLATA MAQEDONE
Diamant NAGAVCI
Lëmshi i quajtur Maqedoni, apo sallata frutash si e quajnë francezët një specialitet të tyre, dita e ditës ka filluar të zgjidhet. Lëmshin, të cilin e mbështjellën recidivat e partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të asaj të Republikës Socialiste të Maqedonisë në fillim të viteve të '90-ta i ka ardhur fundi. Ata të cilët provuan të bëjnë shtet-komb nuk e kanë ndërmend të vetëdijesohen edhe pas kaq shumë ndryshimeve të mëdha në rajon, dhe dështimit të tyre si opsion. Kushtetua e parë e R. Maqedonisë e përpiluar dhe miratuar edhe me ndihmën indirekte të partisë shqiptare PPD-së të atëhershme e definon shtetin e ri si shtet-komb. Kombi maqedonas është bartës i shtetësisë ndërsa të tjerët njihen si pakica kombëtare, e ndër ta edhe ajo shqiptare. Ky gabim i madh i shtetit të ri në formim u tolerua për shkak rrethanave në Ballkan, e veçanërisht të atyre në trojet e ish-Jugosllavisë ku luftërat kishin filluar dhe fundi i kësaj drame parashikohej të jetë i tmerrshëm. Pranimi i shtetit të ri ne OKB me referencën FYROM (IRJM) ishte një sinjal i qartë nga bashkësia ndërkombëtare se ky problem do të lihet për t'u zgjedhur kur gjërat do të qetësohen dhe definohen në rajon. Pas luftës së Kosovës në vitin 1999 dhe hyrjes së trupave të NATO-s atje u pa qartë se kah do të shkojë rajoni në përgjithësi. NATO dhe BE është e vetmja zgjidhje për të gjitha shtetet. Çka ndodh në Maqedoni???
E gjithë kjo periudhë e vështirë për rajonin, grupe të interesit e shfrytëzuan për pasurim jolegjitim, dhe ishin ato të cilat e dirigjonin politikën e vendit. Detyrat si obligim nga bashkësia ndërkombëtare, e cila me mish dhe shpirt mundohej të shpëtonte Maqedoninë nga një konflikt i mundshëm shpërfilleshin dhe nuk u kryenin. Krizën që shpërtheu në Maqedoni në vitin 2001, faktori politik shqiptar i atëhershëm e shfrytëzoi dhe me ndihmën ndërkombëtare arritën një m arrëveshje të cilën sot shumë kush e quan edhe historike. Marrëveshja e Ohrit i prin ndryshimeve të disa amendamenteve dhe preambulës të Kushtetutës së vitit 1991. Me këto ndryshime, Maqedonia definohet si shtet multietnik, të përsëris edhe një herë SHTET MULTIETNIK!!! Fatkeqësitë i përcjellin shqiptarët e Maqedonisë në vazhdimësi, e një prej tyre është edhe ardhja në pushtet e subjektit të ri politik BDI në vitin 2002. Euforia e shqiptarëve ju hakmerret mu atyre. 4 vitet në vijim janë sa komike po aq edhe tragjike. Që ditën e parë te bashkëqeverisjes mes kryetarit të LSDM-së, Branko Cërvenkovski dhe atij të BDI-së, Ali Ahmeti u firmos një marrëveshje e re e cila gati se plotësisht e suspendoi atë të Ohrit. Zërat e ashpër kundër kësaj që vinin nga opozita shqiptare, intelektualëve të pavarur dhe shoqërisë civile shqiptare o haste në veshë të shurdhur ose amortizohej nga zyrtarë të lartë të BDI-së.
Në një rast bile pafytyrësia arriti deri aty ku deputetja, Teuta Arifi, deklaron se Marrëveshja e Ohrit ka mangësi, të cilat ajo i ka kuptuar nga ekspertët juridik maqedonas. Të gjithë e dimë se edhe plagjiati më i mirë është më i keq se origjinali më i dobët. Është e kuptueshme se ata të cilët e përpiluan Marrëveshjen e Ohrit dinin dhe duhej të bënin implementimin e saj. Ndodhi dhe çka ndodhi, maqedonasit dhe aleatët e tyre nge grupet etnike të tjera joshqiptare gjetën mënyrën se si të amortizojnë ndryshimet kushtetuese dhe vazhdojnë të sillen dhe veprojnë konform mendësisë shtet-komb. E gjithë kjo çmenduri e sjell Maqedoninë buzë humnerës. Çmenduria vazhdon bile me intensitet të shtuar. Tani haptazi mbrohen pozicionet shtet-komb, bile edhe me kusht të mos aderimit në NATO edhe BE. Nga shqiptarët kemi heshtje, ndërsa maqedonasit bishtnojnë me terminologji bajate ku në vend që Maqedoninë ta quajnë shtet multietnik, e prezantojnë atë si shoqëri multietnike. Me dashje apo pa dashje askush nuk thirret në Kushtetutë dhe tolerohet manipulimi nga maqedonasit, siç ndodhi edhe dje me votim të rezolutës të propozuar nga partia e Tito Petkovskit për mbrojtjen e emrit kushtetues edhe nga ana e BDI-së. A nuk është turp kjo që shqiptarët e Maqedonisë funksionimin normal të shtetit të përjetojnë vetëm atëherë kur faktori ndërkombëtar të bën trusni mbi autoritetet shtetërore maqedonase, ku për ironi kemi edhe përfaqësues të zgjedhur nga vetë shqiptarët?. A nuk është turp që zyrtarët shqiptarë pa fije turpi deklarojnë se do të kërkojnë interpretim nga ekspertët maqedonas dhe ndërkombëtarë kur kemi të bëjmë për ndonjë interes të bashkësisë shqiptare, a nga ana tjetër nuk e pyesin askënd kur ngrenë dorën në Parlament për të votuar ligje dhe rezoluta diametralisht të kundërta me interesat e shqiptarëve në Maqedoni?. Lexoni Kushtetutën e Maqedonisë dhe nëse nuk e kuptoni, pyetni ekspertët shqiptar, dhe do të shihni se ka ardhur koha pse shteti të ndërrojë emrin edhe atë pa atributin 'maqedonas', ose nëse emri i shtetit ngel i pa ndryshuar, atëherë as një grup etnik nuk ka të drejtë të identifikohet me emrin e shtetit. Haptazi i pyes maqedonasit, pse nuk ju pengonte të quheshin shtetas të Jugosllavisë para vitin '91? Sot në botë kemi afër 200 shtete, ndërsa mbi 2000 kombe dhe grupe etnike. Kemi popuj që kanë më tepër se një shtet siç janë gjermanët, francezët, arabët, koreanët e së fundi edhe shqiptarët, por kemi edhe shumë popuj që janë pa shtet, si baskët, kurdët, palestinezët etj. Koha e formimit të shteteve-komb ka perënduar në shekullin e kaluar. Grupi etnik, i cili veten e quan si maqedonas, as nuk ka fuqi e as kapacitete njerëzore dhe intelektuale që të ndërtojë një koncept të tillë në një vend ku shoqëria është aq shumë multietnike dhe me një numër shumë të madh të shqiptarëve etnik. Sa më shpejtë që kjo do të kuptohet nga pushtetarët dhe ideatorët e konceptit shtet-komb, aq më mirë do të jetë për këtë shtet i cili sot quhet zyrtarisht FYROM. I inkurajoj shqiptarët të flasin dhe deklarohem haptazi se Maqedonia nuk e ka problemin me Greqinë, por problemi është i brendshëm. Greqia është vetëm instrument, të cilin bashkësia ndërkombëtare e përdor për arritjen e qëllimit të funksionimit normal të shtetit konform normave dhe rrethanave që aplikohen nëpër shoqëritë demokratike. Maqedonia nuk ka nevojë të shkojë larg fizikisht për një model të suksesshëm (siç është Kosova), por duhet të bëjë kërcim gjigant mental për të arritur atje. SUKSESE!