100 ditët e turpit
Lirim DULLOVI
Po bëhen 100 ditë. Asnjë shenjë se ju punon ndonjë shqisë. Ata nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk reagojnë edhe kur "partnerët" ua nxjerrin sytë. Janë paralizuar me vetëdëshirë dhe për inat të tjerëve. Turpi është i përmasave të tilla që ka befasuar edhe skeptikët më të mëdhenj. Dikur flisnin për dinjitetin e kthyer të shqiptarëve. Shprehja kjo që në përmasa të padurueshme përsëritej nga patriotët e vonuar të shekullit XXI. Këta që menduan se me ta lindi shqiptaria. Këta që të gjithë të tjerët i shpallën për tradhtarë dhe i goditën dhe po i godasin pamëshirshëm me banditët e tyre, të gjithë ata që nuk i nënshtrohen bindjeve të tyre të rrejshme. Atdhetaria e tyre u zëvendësua me interesa të vogla, 100 euroshe. Për punën e tyre për këto 100 ditë ka vetëm një krahasim - viti 1989 dhe suprimimi i autonomisë së Kosovës nga Kuvendi serb dhe ai kosovar. Për 100 ditët pas 100 hapave të Gruevskit, do t'ua kishin lakmi edhe Rrahman Morina, Hysamedin Azemi, Sinan Hasani. Këtë nuk e them për t'i ofenduar, por për t'iu treguar se kështu asnjëherë nuk kanë guxuar të tallen me të drejtat e shqiptarëve.
Me një luftë mbrapa, me një Marrëveshje të Ohrit, me dy mandate të popullit prej 18 deputetëve, dhe në një kohë kur Maqedonia nga të katër anët ka të rrezikuar prapanicën, kjo politikë e vëtënënshtrimit është ofenduese për vetë shqiptarët, e jo për këta të zgjedhur që pranojnë rolin e vazalit dhe me dy këmbë shkelin vullnetin politik të votuesve të tyre. Këta që harrojnë se dolën fitues nga premtimet e mëdha për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, e jo për shkeljen edhe të atyre që deri tani i garantonte kushtetuta. Si ndryshe mund të shpjegohet që ka dy muaj dhe partia shqiptare në pushtet lejon që një palaço nga komuna e Gazi Babës, t'ua ndalojë nxënësve shqiptarë të fshatit Idrizovë mësimin në gjuhën amtare. Një tjetër si ky, ka dy muaj që i shëtitë nxënësit shqiptarë të kryeqytetit prej njërës në tjetrën shkollë. Njëjtë veprohet edhe me nxënësit e Kumanovës. Nuk ishte vullneti i votuesve të tyre heqja dorë nga bashkimi i komunave Zajaz dhe Osllome me atë të Kërçovës. Ata nuk u zgjodhën për të hequr dorë nga rregullimi ligjor i përdorimit të flamurit shqiptar. Nuk ishte vullneti i votuesve shqiptarë që të zgjedhurit e tyre të pranojnë kallëpin e Gruevskit për ligjin e gjuhës shqipe që përfundoi në një arkiv parlamentar. Shqiptarët nuk votuan që me paratë e tyre të stimulohet ekskluzivisht vetëm lindshmëria e nënave maqedonase. Shqiptarët votuan për ministra dinjitozë, e jo për të tillë që nuk guxojnë të flasin shqip nga frika se mos u zemërohen zëdhënëset maqedonase. Votuan për ministra që nuk e bëjnë hesap, nëse jo Gruevskin, atëherë së paku një Trifun Kostovski, i cili me idenë për riorganizim të ri të ndarjes territoriale të kryeqytetit, ngadalë por sigurt po punon në agjendën e dikujt tjetër për ta pastruar Shkupin nga ato pak shqiptarë që kanë mbetur. Votuan për një zëvendëskryeministër që në vend të mbylljes së Institutit shqiptar në Shkup, në 100 ditët e kaluara do të angazhohej që sado pak të shtonte përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit. Për rolin ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës as të mos flasim. Nuk do të flasim as për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën, ngase dështuan të gjitha prognozat e dy Ademave, Xhevatit dhe Abdylhaqimit. Kulminacioni i vetëmashtrimit se janë në rrugën e drejtë, në rrugën e popullit, në rrugën e shqiptarisë, është pajtimi për të hequr qafe Ligjin për amnisti, qoftë kjo edhe mbrojtja e vetme për shokët e tyre të luftës dhe deputetëve, apo edhe argumenti i vetëm për arsyeshmërinë e konfliktit të vitit 2001, në emër të së cilës edhe këtë herë morën mandatin nga ky popull. Krerëve të BDI-së nuk u ka mbetur shumë kohë për t'u kthjellur dhe për të braktisur këtë rrugë që edhe te ithtarët e tyre po ve në dilemë arsyen e vërtetë të paraqitjes dhe funksionimit të kësaj partie. Së paku, gjykuar nga 100 ditët e kaluara, kjo parti veproi sipas detyrimeve të Gruevskit, e assesi të elektoratit shqiptar.
lirim@koha.com.mk