Nijazi MUHAMEDI
Tëlakët e karagjozët e BDI-së, që bëjnë punën e dervenxhinjve në qeverinë e Gruevskit, zunë të bëjnë prapë zukatjet e mërzitura të radhës përmbi "lumninë" që na kanë sjellë poshtërimet e tyre ndër këto 100 ditë qeveri. Të zgjedhur për t'i ngjarë njësoj kryekaragjozit të tyre me LAPSUS MEMORIA që vjen me thënë shqip GABIM E NGATËRRIM KUJTESE, bëjnë e këpusin të trasha "krenarie" mbi poshtërimet që i kanë bërë ndër këto 100 ditë në Maqedoninë boshe ku rron njerëzia jonë. Me zukatjet e tyre që të shpojnë trutë e kresë, duan të thonë që kanë marrë zananë të na shesin sapunin për djathë dhe VEZËT E KLËNJKA PËR VEZË TAZE, të zezën na shesin për të bardhë dhe POSHTËRIMIN na shesin për "liri"..! Kësi karagjozë matrapazësh politikë nuk mban mend historia që t,i kenë rënë mbi qafë njerëzisë sonë përveç se tashi!
Zukatjet në Kënetën e të këqijave
E gjithë zukatja e tyre, gjëmimi më dëngla e fjalë, sillet e përsillet sipas përrallës me rreng të ligë që e dinë ; gënjejnë përpjetë e vështrojnë tatëpjetë, se edhe punët i kanë bërë si pula që gjetkë bën vezën, gjetkë kakaris. Dhe këta bëjnë njësoj; si dervenxhinj të qeverisë , punët i kanë bërë në Maqedoninë e vockël me Buxhet të Madh të Gruevskit dhe vijnë e kokorisin me FJALË TË GJATA E ÇESME TË THATA në Maqedoninë boshe ku rron njerëzia jonë. E kuptuar gjë është që do bëjnë kështu, se çdo njalë lëvdon kënetën e saj, e pse të mos lëvdojnë edhe këta kënetën e vet , këtë LERNA MALORUM që vjen me thënë shqip - KËNETË E TË KËQIJAVE, SIKUNDËR E QUANIN LËTINËT KËNETËN LERNA NË PELOPONEZ, SI E KANË BËRË EDHE KËTA TASHI MAQEDONINË BOSHE KU RRON NJERËZIA JONË, - do thotë ndokush që ka mënt në kokë! Po këtyre karagjozëve që gabojnë kujtesën, këtyre katranëve të politikës, nuk ua ka prerë mëndja që 100 ditët e qeverisë mund të merren edhe si rasje për të trazuar ujin për të parë se, ç' punë të liga kanë bërë dhe ç' pisllëqe kanë hedhur aty.! Dhe, gjithë del që kanë bërë vetëm punë të klënjka si vezët e klënjka. Po, me punë të klënjka kjo Maqedoni boshe ku rron njerëzia jonë kurrë s' ka për të bërë prokopi, si i thotë fjalës korçari, ose; s,ka për të parë hair, si i thotë fjalës tetovari. E si mund të bëjë prokopi e mbarësi ky vend gjersa brenda në të rrojnë, or rrojnë dhe shkretojnë kusarët...?!
Tërhuzjet e eremitit të pakuptuar
Dhe, kur këta dervenxhinj të guvernës së Gruevskit do kenë sosur karagjozllëqet e lavdurimit të torolengave, të hiçgjësë që kanë bërë për njerëzinë tonë, nga hajati i guvernës, ku humbi e rrinte fshehuraj ca muaj për të bërë dredhitë e natës, do dalë e do marrë tërhuzjet "gju më gju me popullin" kryedinaku i dervenxhinjve dhe si një eremit i pakuptuar do thotë ca fjalë jallane, ca fjalë të buçitura dhe të ëmbla për veshët e njerëzisë sonë dhe me një bistur magjik e kthen poshtërimin në "liri e barazi" historike, e vë në muze lirie dhe i mbush zemrat e njerëzisë sonë me gëzim skllavërie dhe këtë as me penë as me divit shkruhet më tutje, as me gojë tregohet..! Do thonë kështu e do thonë ashtu njerëzia, ama dinaku, si çdo dinaku që nuk i dihet kibla, hyn në pus e del pa lagë, SE VETËM AI E DI QË MALL I PRISHUR SI VEZËT E KLËNJKA, NUK SHITET PA GËNJESHTRA! Paskëtaj, të heqim fjalën tutje, dinaku që nuk është lagur gjer tashi e sa vjet qëkur kësajnjerëzie ia hoqi dredhinë më të ligë , do laget, - më thua ti, - tashi që 100 ditë janë vetëm një grimë dredhie e dredhisë së tij të parë. Dhe, nuk mund fare të laget tashi, se, si i thoshte fjalës Konica, për këtë njerëzi "skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi zverk e durojnë me gëzim....!"
Gjuha na poshtërohet me sllavësi
Duke u dehur me gëzimin e skllavërisë, do harrojë njerëzia jonë se kanë rënë në rrëzomë të re të poshtërimit dhe të humbisjes së gjuhës dhe të vendit ku rrojnë dhe prapë do rrinë si të mortshëm e të patrazuar, si rrinë tashi, kur në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, do nisin të shkruajnë shqip me germa të sllavosura BA[KIMI DEMOKRATIK PER INTEGRIM, KLUBI FUTBOLISTIK [KENDIJA... të tjera me radhë, sikur shkruanin turqit në Bullgari në vitet 80 dhe të tjerat "bashkësi etnike" në ish-Bashkimin Sovjetik , se kështu është shkruar dhe kështu do jetë sipas "ZAKON ZA ZA[TITA NA MAKEDONSKIOT JAZIK që e ka sjellë Kuvendi në ditët e para të 100 ditëve qeveri. Për t'u mësuar mengadalë me sllavësinë e fjalëve të firmave dhe të emrave të vendeve, punën do ta bëjë sigla e re e "televizionit gjithëkombëtar"(!)! ALSAT-M, që shikuesve nga 7 gjer më 77 vjet gjithë ditën e ditës para lajmeve shqip ua zukat në mëndje, në veshë dhe në sy emrin e vendit SKOPJE..?!
Kur do mësohen me këtë njerëzia jonë, do kuptojnë mandej se në të ashtuquajturin Ligj për përdorimin zyrtar të gjuhës, nuk ka as barazi gjuhe, as pilaf me thana, përveç të drejtës për të shitur shqip gjizë në Bit-pazar, por nëse shkruhet në letër, do shkruajnë KËTU SHITET GJIZA, se shkronjat latine të gjuhës sonë u trazojnë vrer njerëzve të njerëzisë së Gruevskit!
Dhe, ahere do t'i vijë mëndja rrotull njerëzisë sonë, po asohere do jetë mënuar dhe mund t'i bjerë murit me kokë dhe kur ta ketë kapërcyer kufinë e durimit, do të çajë kokën me dashje për të vënë mend për tjetër herë, se koka ia ka bërë të dalë e gënjyer nga apostulli i rremë, që erdhi i veshur me roben e dhelpërisë e të dredhisë "çlirimtare "... dhe solli poshtërimin mbi njerëzinë tonë..!
Kumarxhinjtë që na lanë pa atdhe
Këto e të liga të tjera pa numër na kanë sjellë për 100 ditë dhe për tërë njerëzinë tonë dervenxhinjtë e guvernës së ligë të Gruevskit, por për djalërinë tonë kanë bërë një punë të ligë që s'durohet dot. Këta kumarxhinj të fatit shqiptar kanë lënë pa atdhe djalërinë e njerëzisë sonë.
E kanë bërë djalëri të huaj në vendin e vet, se ua kanë shitur në kumar atdhenë dhe djalëria jonë do ketë vetëm një copë atdhe në letër sa për të lindur aty dhe një pasaportë që, pa u rritur, të kërkojë kësmet për të pritmen jashtë ndër kurbete dhe në vende të huaja, mandej për të ardhur në atdhe për të bërë ndonjë dasmë dhe do kthehen për të vdekur në këtë copë atdheu në letër.
Do t'i ndodhë kësaj djalërie si i kish ndodhur në shekullin 19 edhe djalërisë në Hiberni, që sot i thonë Irlandë, nga na vjen dhe evropiani ynë i mirë Ervan Fuere, e që një shkronjëtor e la të shkruar me dhëmkë në "Irlanda për saksët", e që i vjen pas dhe të shkronjturës sonë: "Ata nuk e ndjejnë më veten se janë në shtëpi të tyre, ndonëse janë në vend të vet". E mbarojmë këtë të shkruar me djalërinë, se deshëm t'ia lëmë këtë të shkruar me dhëmkë djalërisë së njerëzisë sonë për të kuptuar kjo djalëri se kumarxhinjtë e politikës, për 100 ditë sa për njëqind vjet e kanë lënë, vërtet e kanë lënë pa atdhe, e t'i tremben së keqes që ka ardhë te dera për fatin e pritmë të saj, të tunden e shkunden nga vendi,te mos rrinë të heshtur e të nemitur, e të fishkëllejnë saherë që u dalin përpara këta shitës të vezëve të klënjka, këta dhe të tjerë shitës të atdhesë së saj.
komentet e lexuesve
| 1. | |||||||||
|
|||||||||
| 2. | ||||||||
|
||||||||