Y!Y!Y! BURRA, KU MBET RR-ja?
Xhabir AHMETI
Dikur mezi e kemi pritur çastin kur do të hynte e lirë fjala shqipe në Parlamentin e Maqedonisë, kur do të jehojë ajo aty dhe kur do të shpërthente bukuria e saj si lulet në maj. Ishte kjo një pritje e madhe, pritja e çastit më solemn, për shkak se atë që e kishim ruajtur brez pas brezi, amanetin më të shtrenjtë, përmendoren më të madhe, atdheun tonë pa kufij, gjatë kohë të mohuar e të shpallur si ilegal - tash po e legalizonim. Vërtetë festë e madhe! Vërtetë fitore e madhe! Për të cilën ishin munduar shumë breza.
Mendonim se ajo do të hynte brenda e kulluar. Kristal. E çiltër si shenjtore. E bukur dhe e natyrshme. Këtë e kemi menduar mirë, mirëpo nuk kemi menduar se kush do të jenë ato fisnike dhe ata fisnikë të cilët do ta çojnë fjalën shqipe në ndërtesën e Parlamentit, nëpër institucione; nuk kemi menduar se a janë në gjendje ata ta mbajnë seriozitetin e kësaj fjale, peshën e bukurisë, ndjeshmërinë, a do të munden ta përcjellin sharmin e lashtësisë së saj në komunikimin publik e zyrtar, muzikalitetin orfejan…
Këtë që nuk e kemi menduar, po e paguajmë me çmimin e lëkurës sonë. Kur i dëgjojmë ata që në kolltuk janë rehatuar vetëm në saje të gjuhës shqipe, kur i dëgjojmë si e flasin këtë gjuhë hyjnore, neve na vjen njëfarë turpi, na skuqet fytyra dhe duam, së paku, ose ta ndërrojmë kanalin ku flet ministri, ku i mundon fjalët deputeti - mos ta dëgjojnë fëmijët ose ta fikim krejt televizorin. Se fjalia e tij nis e sos është e ngatërruar. E na dhemb shpirti! Jo për ministrin, por për gjuhën. Për gjuhën që gjëmon nën trysninë e një sintaksë të çoroditur. Të një mungese të kulturës gramatikore, në përgjithësi. Nuk ka në të shpeshherë rasa, nuk ka trajta. Pason mungesa e muzikalitetit. Nuk lodhet kush që ngjyrën e tingujve ta zbusë, ta çlirojë nga frenat e fshatit të lindjes. Rend me retorikën e tyre të rraskapitur fonetika e ligë. Këto zonja e këta burra në fjalorin e tyre me të cilën mundohen ta arrnojnë retorikën e politikanit shpesh nuk kanë y-ja, nuk kanë rr-ja. Thonë: ilber (për ylber), ill (për yll), pietje (për pyetje). Ka raste kur q-jat e ç-jat, gj-jat dhe xh-jat i bëjnë lëmsh. Për shembull: Çëllimi ishte çë xhërë e xhatë të elaborohet… (për: Qëllimi ishte gjerë e gjatë të shtjellohet…). E pesë para nuk japin për këtë. Për këto mëkate. S'çan kush kokë për marre e për fytyrë! Gjendet, pastaj, ndonjëri, deputet që ka dëshirë, madje, të na bëhet fetar i madh (më shumë e ka për reklamë) e shkon e t'i dyfishon bashkëtingëlloret, "hashsha", pastaj kur dëshiron ta thotë ndonjë fjalë për haxhillëkun, thotë: haxhxh. Pastaj i bëjnë ukubet emrat e përveçëm myslimanë, të cilët në gjuhën shqipe kanë hyrë përmes turqishtes dhe gjuha shqipe i ka futur në botën e vet si të tillë, si huazime turke dhe si të tilla i ka ruajtur. Prandaj duhet ta dinë deputetët, ministrat dhe të gjithë ata që e përfaqësojnë popullin shqiptar kudo që të jetë se nuk thuhet Abdilaqim, po Abdylhaqim, nuk thuhet Alil, po Halil, jo Ajrije, po Hajrije, jo Asan, po Hasan. Është e radhës më, dhe është e ndershme të mësohen t'i shkruajnë emrat e vet. Ky mësim u duhet. Jo ai i prishjes së Institutit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve ku duhej të ruhen ato begati shprehëse që i ka shqipja jonë e që s'i dinë këta kalorës të të tri pushteteve. Po, po, u duhet ly mësim. Të ruhet bukuria në emër të së cilës e morën votën dhe kolltukun. U duhet ky mësim se është mësim për ligjet, për të cilat ata e kanë futur kokën në Parlament e në Qeveri. Ta dinë se edhe gjuha shqipe i ka ligjet e rregullat e veta që duhen respektuar. Njësoj sikur duhet të respektohen edhe ligjet për të cilat deputetë e ministra të pozitës i çojnë gishtat. U duhet ky mësim, u duhet. U duhet shumicës të shkojnë të ulen në bankat e shkollës fillore e t'i përsërisin këto gjëra që mësohen atje. E mos të më shesin kopalla me fjalë të huaja: underground (pse ndjehen mirë në semantikën e kësaj fjale), bord (pse ua përkujton atë fjalën që i ka këta tinguj dhe përfundon me el) etj., etj. Gjenden njerëz në këtë popull që e dinë se artificialiteti i gjuhës që e prodhojnë deputetë e pushtetarët aktualë nëpër foltoret e parlamentit e gjetiu, zbrazëtia e asaj gjuhe është e barabartë me gënjeshtrën. Duhet ta mësojnë edhe këtë fakt: ka shumë njerëz që dinë ta dallojnë shapin prej sheqerit. Xhabir AHMETI
Dikur mezi e kemi pritur çastin kur do të hynte e lirë fjala shqipe në Parlamentin e Maqedonisë, kur do të jehojë ajo aty dhe kur do të shpërthente bukuria e saj si lulet në maj. Ishte kjo një pritje e madhe, pritja e çastit më solemn, për shkak se atë që e kishim ruajtur brez pas brezi, amanetin më të shtrenjtë, përmendoren më të madhe, atdheun tonë pa kufij, gjatë kohë të mohuar e të shpallur si ilegal - tash po e legalizonim. Vërtetë festë e madhe! Vërtetë fitore e madhe! Për të cilën ishin munduar shumë breza.
Mendonim se ajo do të hynte brenda e kulluar. Kristal. E çiltër si shenjtore. E bukur dhe e natyrshme. Këtë e kemi menduar mirë, mirëpo nuk kemi menduar se kush do të jenë ato fisnike dhe ata fisnikë të cilët do ta çojnë fjalën shqipe në ndërtesën e Parlamentit, nëpër institucione; nuk kemi menduar se a janë në gjendje ata ta mbajnë seriozitetin e kësaj fjale, peshën e bukurisë, ndjeshmërinë, a do të munden ta përcjellin sharmin e lashtësisë së saj në komunikimin publik e zyrtar, muzikalitetin orfejan…
Këtë që nuk e kemi menduar, po e paguajmë me çmimin e lëkurës sonë. Kur i dëgjojmë ata që në kolltuk janë rehatuar vetëm në saje të gjuhës shqipe, kur i dëgjojmë si e flasin këtë gjuhë hyjnore, neve na vjen njëfarë turpi, na skuqet fytyra dhe duam, së paku, ose ta ndërrojmë kanalin ku flet ministri, ku i mundon fjalët deputeti - mos ta dëgjojnë fëmijët ose ta fikim krejt televizorin. Se fjalia e tij nis e sos është e ngatërruar. E na dhemb shpirti! Jo për ministrin, por për gjuhën. Për gjuhën që gjëmon nën trysninë e një sintaksë të çoroditur. Të një mungese të kulturës gramatikore, në përgjithësi. Nuk ka në të shpeshherë rasa, nuk ka trajta. Pason mungesa e muzikalitetit. Nuk lodhet kush që ngjyrën e tingujve ta zbusë, ta çlirojë nga frenat e fshatit të lindjes. Rend me retorikën e tyre të rraskapitur fonetika e ligë. Këto zonja e këta burra në fjalorin e tyre me të cilën mundohen ta arrnojnë retorikën e politikanit shpesh nuk kanë y-ja, nuk kanë rr-ja. Thonë: ilber (për ylber), ill (për yll), pietje (për pyetje). Ka raste kur q-jat e ç-jat, gj-jat dhe xh-jat i bëjnë lëmsh. Për shembull: Çëllimi ishte çë xhërë e xhatë të elaborohet… (për: Qëllimi ishte gjerë e gjatë të shtjellohet…). E pesë para nuk japin për këtë. Për këto mëkate. S'çan kush kokë për marre e për fytyrë! Gjendet, pastaj, ndonjëri, deputet që ka dëshirë, madje, të na bëhet fetar i madh (më shumë e ka për reklamë) e shkon e t'i dyfishon bashkëtingëlloret, "hashsha", pastaj kur dëshiron ta thotë ndonjë fjalë për haxhillëkun, thotë: haxhxh. Pastaj i bëjnë ukubet emrat e përveçëm myslimanë, të cilët në gjuhën shqipe kanë hyrë përmes turqishtes dhe gjuha shqipe i ka futur në botën e vet si të tillë, si huazime turke dhe si të tilla i ka ruajtur. Prandaj duhet ta dinë deputetët, ministrat dhe të gjithë ata që e përfaqësojnë popullin shqiptar kudo që të jetë se nuk thuhet Abdilaqim, po Abdylhaqim, nuk thuhet Alil, po Halil, jo Ajrije, po Hajrije, jo Asan, po Hasan. Është e radhës më, dhe është e ndershme të mësohen t'i shkruajnë emrat e vet. Ky mësim u duhet. Jo ai i prishjes së Institutit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve ku duhej të ruhen ato begati shprehëse që i ka shqipja jonë e që s'i dinë këta kalorës të të tri pushteteve. Po, po, u duhet ly mësim. Të ruhet bukuria në emër të së cilës e morën votën dhe kolltukun. U duhet ky mësim se është mësim për ligjet, për të cilat ata e kanë futur kokën në Parlament e në Qeveri. Ta dinë se edhe gjuha shqipe i ka ligjet e rregullat e veta që duhen respektuar. Njësoj sikur duhet të respektohen edhe ligjet për të cilat deputetë e ministra të pozitës i çojnë gishtat. U duhet ky mësim, u duhet. U duhet shumicës të shkojnë të ulen në bankat e shkollës fillore e t'i përsërisin këto gjëra që mësohen atje. E mos të më shesin kopalla me fjalë të huaja: underground (pse ndjehen mirë në semantikën e kësaj fjale), bord (pse ua përkujton atë fjalën që i ka këta tinguj dhe përfundon me el) etj., etj. Gjenden njerëz në këtë popull që e dinë se artificialiteti i gjuhës që e prodhojnë deputetë e pushtetarët aktualë nëpër foltoret e parlamentit e gjetiu, zbrazëtia e asaj gjuhe është e barabartë me gënjeshtrën. Duhet ta mësojnë edhe këtë fakt: ka shumë njerëz që dinë ta dallojnë shapin prej sheqerit.