Enciklopedia, rusët para shqiptarëve
Avdyl SALIHU
Enciklopedia maqedonase përveç se ka gabime dhe të pavërteta në sferat e ndryshme të jetës, të njëjtat mund ti vërejmë edhe në fushën e sportit. Aty nuk janë futur sportistë shqiptar që i kanë sjell rezultate Maqedonisë. Ndër ta është boksieri Aziz Salihu, i cili ka fituar bronz në Lojërat Olimpike në Los Anxhelos (1984), ndërkohë ka edhe shumë rezultate ndërkombëtare. Mandej, nuk figuron edhe vëllai i tij, Faton Salihu, i cili i solli Maqedonisë medaljen e parë të artë evropiane pas pavarësisë. Në vend të tij, është futur boksieri nga Kumanova, Veli Mumin, i cili nuk ka ndonjë rezultat kulmor. Është futur edhe Primislav Dimovski. Nga ana tjetër, në sportin e mundjes, për dy legjendat e gjalla Shaban Sejdiu dhe Shaban Tërstena, është shkruar shumë pak, pothuajse asgjë.
Sejdiu ka të drejtë të revoltohet, pasi shënimi për të arriturat e tij i ngjan një nekrologu dhe jo biografisë së rëndomtë, sikurse sportistëve maqedonas, serb e rus.
Përveç kësaj, shënimi për Sejdiun përcillej me gabime trashanike. Data e lindjes dhe rezultatet nuk përkonin me të vërtetën. Në sferën e mundjes, për çudi, trajneri i mirënjohur shqiptarë, Mentaz Allajbegu, nuk është përmendur fare si njeriu më meritor për rezultatet e arritura të këtij vendi. Ai ishte klasifikuar vetëm si punëtor sportiv në një rresht. Që ironia të jetë më e madhe, grupi redaktues i Enciklopedisë kishte vërtetuar se për të arriturat e mundjes në Maqedoni, meritë më të madhe kanë Risto Takov, Bojan Rangellov dhe Foti Gjatovski!.
Enciklopedia ka fshirë edhe klubet shqiptare. Nuk përmenden fare "Shkupi" dhe "Liria", si fole të dikurshme të shumë kampionëve shqiptarë të mundjes.
Në konkurrencën ekipore, me qëllim apo pa qëllim është futur vetëm Klubi i Mundjes "Jaka Buqim", i cili është fitues i Kupës evropiane (1991) dhe atë Interkontinentale (1996). Rusi me pasaportë maqedonase, Mugamed Ibragimov, ka zënë vend në këtë libër, kurse aty nuk figuron Lulzim Vrenezi, apo Bajram Qorolli, fitues të disa medaljeve ndërkombëtare. Ka shumë dredhime dhe harresa të qëllimshme të sportistëve shqiptarë, që duhej të dilnin në këtë botim. Prandaj, tërheqja dhe përmirësimet që priten të bëhen në Enciklopedinë e re duhet të përfshijnë edhe sportin dhe sportistët shqiptarë, të cilët shumë më shumë se sa maqedonasit e përfaqësuan ndërkombëtarisht Maqedoninë jashtë kufijve të saj.