Financial markets

PDF  PDF KOHA

Opinione

 | Koment |  
Rregulli i fjalëve të përsëritura

Veton Surroi
1.
Ivani ka një rregull gjykimi për vendet që i viziton. Nëse ka dëgjuar të njëjtat fjalë si edhe herën e kaluar, nuk ka ndryshuar gjë në atë vend, nuk është bërë ndonjë punë, e tërë shoqëria rri dhe vajton mbi fatin e zi që e ka kapluar, ai i vendnumërimit. Dhe nuk ia vlen që ky vend të vizitohet për një kohë. Por, një ditë e zuri veten duke përsëritur fjalët që i kishte shqiptuar dje, dhe kjo solli rregullin e dytë. Nëse i përsërit fjalët, do të thotë se ka ardhur koha të shkosh. Ditën kur e zuri veten duke i përsëritur fjalët, konstatoi se ishte duke shënuar humbje; se, në konceptin ekonomik, i shkonte dita në investime intensive takimesh e bisedash që në fund të saj po e linin bosh, u paketua, braktisi Sofjen dhe mori udhën për në Vjenë, së bashku me familjen, për një vit të kundruari jete prej një perspektive metropolitane. Erdhi në Prishtinë për një vizitë, dëgjoi fjalët e njëjta që i kishte dëgjuar herën e kaluar, shënoi në kokë se nuk ia vlente të vizitohej sërish edhe për një kohë, e në darkë më pyeti se a e kisha zënë veten duke i përsëritur fjalët e shqiptuara dje, sepse "në vendet e vogla është e pamundur të mos ndodhë". Dhe, se ose vendet e vogla shkojnë dikund, ose dikush shkon nga vendet e vogla.

2.
"Ky vend s'ka më kapacitet për trurin tënd, kështu që përmblidhu dhe shko. Shko në Egjipt apo Liban, apo Angli. Ne s'kemi më çka të të ofrojmë", i thotë drejtori i shkollës nxënësit Mustafa Saeed, njërit prej dy personazheve kryesore të romanit tashmë klasik të letërsisë afrikano-arabe "Stina e migrimit për në veri" (New York Review of Books, NY, 2009) të autorit sudanez Tayeb Salih. Mustafa Saeed, si dhe rrëfimtari i romanit, shkojnë në Anglinë koloniale, për t'u kthyer në Sudanin e pavarur. Në Angli, Saeed do të jetë dashnori ekzotik i anglezeve që në të shohin "klimën tropikale, diellin përcëllues dhe horizontet e purpurta...", e në të kthyer në fshatin e tij, njëri prej bashkëfshatarëve modestë.
Vetëm kur të vdes, dhe pas disa tragjedive, do të merret vesh për një bibliotekë të pasur që kishte sjellë me vete nga Anglia, së bashku me shënime të një jete intensive e poetike - një mendje dramatike intelektuale që rrinte e konservuar në fshatin ku ende mbahet me krenari tradita e synetisë së femrave. Në sfond është një Sudan post-kolonial, me banalitetin e zakonshëm të vendeve të porsa pavarësuara që kanë ministra që flasin për parime të përgjithshme të ndërtimit të shoqërisë së lirë, ndërsa vetë akumulojnë pasuri të theksuar nga paraja publike. Dhe, në sfondin më të gjerë shënimi se mund të largohesh nga vendet e vogla, por nuk dihet se a largohen ato nga ti.

3.
Por, ku do të shkosh nga një metropol? Në Stamboll javën e kaluar rri dhe dëgjoj fjalët që janë përsëritur edhe herën e kaluar. Turqia ka 50 vjet që është partner i Bashkimit Europian dhe 10 vjet që është vend kandidat. Prej se është themeluar si Republikë, me forcën e shpatës së Ataturkut, vendi është përcaktuar për të qenë pjesë e Europës. Si rezonancë e një dialogu të shurdhërish, intelektualët e politikanët turq përsërisin se ndihen pjesë e Europës, se Bashkimi Europian po u bën padrejtësi pse janë myslimanë, se me këto veprime po dekurajohen forcat pro-europiane turke e po inkurajohen ato anti-europiane. Në Stamboll, ikja bëhet lagje më lagje. Nëse ndihesh i përndjekur nga sensi i Orientit mund të shkosh në Taksim, të kalosh nëpër rrugën e Pavarësisë (me emrin e vet paradoksal arab, Istiklal) dhe të shëtisësh nëpër diçka që i përngjet çfarëdo qyteti tjetër të Europës Perëndimore. Nëse do të ikësh nga fjalët e përsëritura europiane, aty janë lagjet anadollake të Stambollit. Ikjen mund ta bësh brenda metropolit. Pyetja është, atëherë, se kah po ikën metropoli?

4.
Vjena e Ivanit dikur ka qenë metropol perandorak. Stacioni i saj hekurudhor është quajtur jo rrallë si kufiri i Ballkanit. Londra e Mustafa Saeedit ka qenë metropoli i Perandorisë e cila ishte aq e madhe sa që me të drejtë thuhej se mbi të kurrë nuk Perëndon dielli. Stambolli i takimit të javës së kaluar ishte në një moment Perandoria më e suksesshme euro-aziatike, për aq sa kultura e kafes në Vjenën perandorake erdhi me ushtarët otomanë gjatë rrethimit të qytetit. Që të trija, qytete të shpatës, të imponimit të rregullit e ligjit me forcë, të imponimit të dhunshëm të kulturës. Që të trija, tash, me një emërtues të përbashkët, shndërrimin në një masë apo tjetrën, të Brukselit, si qendër e përbashkët, një metropol post-kolonial, postmodern, i cili nuk imponon gjë, por nëpërmjet të "soft power" (fuqisë së butë) të tregut e vlerave të të tjera të përbashkëta po krijon një normë të përbashkët politike, sociale, ekonomike e kulturore. Gjatë javës në Ballkan Perëndimor u dërgua Raporti i progresit nga Brukseli, një përshkrim fjalësh që do krahasuar me fjalët e vitit të kaluar. Prej listës së të gjitha vendeve, Kosova kishte më së shumti fjalë të përsëritura, duke u kualifikuar për të dy rregullat e Ivanit. Gjatë kohës sa ishin metropole perandorish, në Vjenë, Stamboll dhe Londër shkohej pa vizë. Metropoli i ri postmodern tash po përpiqet të ofrojë të njëjtën gjë, atë që sot quhet "Shengeni i bardhë", një gëzim për njerëzit e vendeve të vogla që nuk shkojnë kund dhe bartin bezdinë e fjalëve të përsëritura.

5.
Metropoli i ri postmodern përshkroi Kosovën si vendin ku një grup njerëzish, sikur në Sudanin e Saeedit, flet gjëra të mira për ndërtimin e shtetit ndërkohë që po përpiqet të uzurpojë të drejtën mbi paranë publike, lirinë e shprehjes, liritë e ekonomizimit, gjyqësinë e pavarur e vendimmarrjen parlamentare. Kreu i këtij grupi njerëzish, Kryeministri i vendit e cilësoi këtë përshkrim si "madhështor" e "historik", gjithnjë një perspektivë pozitive, duke treguar se vendi është duke ikur nga vetja. Dhe nga mendja.

 
   

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.  
 
 
5.  
 
 
6.  
 
 
7.  
 
 
8.  
 
 
9.  
 
 
10.