| |

Presheva nuk e përjashton bashkimin me Kosovën
Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës e kanë lënë të hapur mundësinë e bashkimit të saj me Kosovën, në rast të një ndryshimi të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare. Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, tha se në rast të ndryshimit të qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare Lugina e Preshevës do të riaktivizonte referendumin e vitit 1992, me të cilën kërkohet bashkimi me Kosovën. Deklarata e zotit Kamberi pasoi qëndrimin e një ligjvënësi amerikan, Dana Rohrabacher, për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme në Ballkan. Por mundësia e shkëmbimit të territoreve është kundërshtuar nga sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i cili ka deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet as kushtetuese dhe as politike për një zgjidhje të tillë.
Ai tha se të dyja palët duhet të ulen për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Ndërkohë, autoritetet në Prishtinë thonë se nuk ka patur bisedime në nivel ndërkombëtar për shkëmbim territoresh dhe kanë vlerësuar se Beogradi ende nuk është një partner serioz për të biseduar për çfarëdo çështje.
Rimëkëmbja e ngadalësuar
Tregtia botërore ka qenë njëra nga viktimat më të këqija të rënies globale ekonomike. Kah fundi i vitit të kaluar, tregtia kishte shënuar një rënie të plotë. Sipas Bankës Botërore, vlera e eksporteve nga një mostër e 65 vendeve, që përbëjnë 97% të tregtisë botërore, u rritën për 20.2% në shtator, krahasuar me një vit më parë. Por, deri në nëntor, eksportet kishin një vlerë më të vogël për 17.3% krahasuar me një vit më parë, para se të shënohej një rënie e madhe prej 32.6% deri në janar. Në muajin mars, menaxherët e portit të Koresë Jugore, Busan, njërit më të angazhuarit në botë, kanë thënë se nuk kishte më vend për të vendosur gati 32,000 kontejnerë të zbraztë. Indeksi "Baltic Dry", i cili matë kërkesën për anije që bëjnë transport të mallrave, si xehja e hekurit, apo qymyri, ka rënë nga 11,793 sa ishte në fund të majit të vitit të kaluar, në vetëm 663 në fillim të dhjetorit. Vlerësimet nga Organizata Botërore e Tregtisë sugjerojnë se vëllimi tregtar do të shënojë një rënie për 10% këtë vit. Por, të dhënat e fundit nga ekonomitë e mëdha, japin shpresë se pjesa më e keqe e rënies tashmë ka marrë fund. Edhe në muajin maj, vlera e tregtisë ishte për rreth 1/3 më e ultë sesa një vit më parë. Por, të dhënat e fundit tregojnë se eksportet dhe importet kryesisht kanë qëndruar stabile që nga janari. Ndryshimet mujore në eksport japin një pasqyrë më të mirë të rënies, ku shihet se rënia më e madhe ishte në fund të vitit. Banka Botërore vlerëson se vlera e eksportit të 44 ekonomive të mëdha ka rënë për 7.4% në tetor dhe më pas, për 15.4% në nëntor, para se të stabilizoheshin në dhjetor, për të rënë përsëri në janar për 12.2%. Që nga ajo kohë e deri tani, vlera e tregtisë ka mbetur pak a shumë stabile. Janë përmirësuar edhe treguesit e tjerë edhe pse vlerat e tyre ende janë nën vlerat që ishin para krizës. Indeksi "Baltic Dry" e ka marrë veten nga rënia më e madhe e tij, duke arritur vlerën 3,345 më 24 korrik. Por, është tepër herët që të konkludohet se tregtia do të shënojë rritje. Një arsye për një rënie të shpejtë ishte se shitësit me pakicë, të ballafaquar me rënien e kërkesës, pakësuan rezervat e tyre. Kjo e bëri të nevojshme përpilimin e porosive të reja, që duhej të ishin në përputhje me kërkesën. Kjo pjesërisht shpjegon përfundimin e kolapsit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për faktin që qeveritë kanë dhënë shuma të mëdha parash në ekonomi, si pjesë të zgjerimeve fiskale apo monetare. Tani për tani, kjo është duke e rritur kërkesën globale për mallrat e tregtuara. Por, për një rimëkëmbje të qëndrueshme në tregti, kërkesa globale duhet të rritet me fuqitë e veta. Nuk është e qartë se prej nga mund të vijnë kërkesat. Konsumatorët amerikanë kanë humbur pjesën më të madhe të apetitit të tyre për mallra, që klasifikohen nga rrobat, e deri te iPod-ët dhe kompjuterët. Amvisëritë amerikane tani janë duke kursyer 5% nga të ardhurat e tyre, krahasuar me kurrfarë kursimi, një vit më parë. Papunësia në Amerikë dhe gjetiu do të vazhdojë të rritet. Organizata Ndërkombëtare e Punës vlerëson se papunësia këtë vit do të shënojë një rritje për 21 deri 50 milionë të papunë.
Shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë?!
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Dana Rohrabacher, i cili dikur ka qenë shkrues i fjalimeve të presidentit Ronald Regan, ka vlerësuar se e vetmja zgjidhje funksionale për stabilizimin e rajonit të Ballkanit do të ishte një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Rohrabacher, njëri nga të paktët anëtarë të Kongresit amerikan që ushtron serfin, sportin e rrëshqitjes mbi dallgë, është po ashtu ndër të paktët sot në Kongres që interesohet për çështjet e Ballkanit. Ai mendon se plagët në atë pjesë të Evropës nuk janë shëruar. "Ne këtu në Amerikë që mbështetëm pavarësinë e Kosovës u përpoqëm shumë dhe unë jam krenar që isha pjesë e tyre. Por puna do të quhet e mbaruar vetëm kur në rajon të ketë normalitet, i cili ende nuk është arritur", ka thënë Rohrabacher në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka folur për gjendjen në Ballkan. Kongresmeni thotë se ka ende disa njerëz, të cilët nuk kanë arritur në përfundimin që transformimi i ish-Jugosllavisë ka marrë fund. Ai i referohet mes të tjerave edhe tensioneve që herë pas here acarohen në Luginën e Preshevës, një rajon në jug të Serbisë, i banuar kryesisht nga shqiptarët. Zgjidhja, sipas kongresmentit Rohrabacher, do të ishte një shkëmbim i ndershëm territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. "Është e nevojshme të arrihet një mirëkuptim i përgjithshëm, një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës që të përfshijë një shkëmbim territoresh. Ato rajone që janë pranë kufirit dhe mbizotërohen nga një popullsi shqiptare, të bëhen pjesë e Kosovës. Ndërkohë, ato zona në Kosovë që ndodhen në veri të lumit Ibër dhe pranë kufirit me Serbinë e që banohen kryesisht nga serbë të bëhen pjesë e Serbisë". Qeveria amerikane vazhdimisht i ka hedhur poshtë idetë për ndryshime kufijsh në Ballkan, duke thënë se kjo do të sillte një reaksion zinxhir. Rohrabacher, i cili ka qenë ndër të parët që i kërkoi administratës të armatoste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nuk është dakord. "Qeveria amerikane prej kohësh ka qenë kundër çdo ndryshimi në kufijtë e vendeve. Neve na u desh ta kapërcejmë këtë kur u bë mjaft e qartë se populli i Kosovës do të masakrohej nëse do të vazhdonim të mbanim një qëndrim të tillë", tha ai. Këtë qëndrim të Rohrabacherit e mbështet edhe lobistja e Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane, ekspertja juridike Shirley Cloyes DioGuardi. Ajo thotë se sugjerimi i kongresmenit Rohrabacher është një ide e guximshme: "Status-quoja nuk funksionon. 10 vjet më parë, ishte kongresmeni Rohrabacher i cili qëndronte në linjën e parë bashkë me të tjerë si kongresmenët Tom Lantosh, Ben Gilman dhe Henry Hyde, më pas edhe senatori Joe Biden të cilët bënë thirrje për pavarësinë e Kosovës në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar, madje edhe administratat amerikane ishin kundër. Sot ai është përsëri në linjën e parë. Në qoftë se Beogradi do të insistojë për të marrë veriun e Kosovës atëherë edhe shqiptarët duhet të insistojnë për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin", ka vlerësuar ajo. Kongresmeni Rohrabacheri referohet një dokumenti të rëndësishëm të historisë amerikane: "Një territor në vetvete nuk ka të drejta. Asnjë vend nuk ka të drejta mbi tokën. Janë vetëm njerëzit ata që kanë të drejta. Dhe nëse shumica e një populli në një territor të caktuar nuk dëshiron të jetë pjesë e një qeverie tjetër ata kanë të drejtën që u jep qenia shumicë për të marrë vendim dhe për t'u bërë të lirë e të pavarur. Mos po citoj këtu Deklaratën amerikane të Pavarësisë apo jam duke shpjeguar një parim të qeverisjes? Që të dyja. Mendoj se Amerika duhet t'i kthehet përsëri këtij parimi por ne druhemi shumë se mos bëhen ndryshime të cilat pastaj mund të dalin jashtë kontrollit", ka thënë ai.
Me 5 euro në Durrës
Pak ditë para se të fillojë sezoni veror, kompanitë kosovare për bartjen e turistëve për në Durrës, apo në Ulqin po përballë me situata të reja, për disa prej tyre edhe të pakëndshme. Agjencia turistike "Endriti" nga Ferizaj, duke filluar që nga data 10 qershor, një biletë kthyese për në Durrës e shet 5 euro, kurse për në Ulqin - 10 euro. Ky është lajmi që ka shqetësuar shumë pronarë të agjencive të tjera, të cilët nuk kanë ndryshuar çmimet që nga vjet - 20 ose 25 euro.
Zyrtarët e agjencisë ferizajase nuk kanë dashur të japin arsyet për ulje kaq të madhe të çmimit të biletës. A ka ndikuar këtu ndërtim i autostradës Morin-Durrës dhe hapja e tunelit në Kalimash, apo "Endriti" po e shkel konkurrencën, nuk tregon as pronari i saj, Isuf Sejdiu. "Ky është çmimi ynë dhe nuk kemi çfarë të komentojnë më shumë", ka deklaruar shkurt përmes telefonit pronari.
Por, konkurrenca sa është e shqetësuar, po aq edhe kundërshton këtë mënyrë të formimit të çmimeve. Albert Fazliu, menaxher i kompanisë turistike "Arbeni Tours" nga Ferizaj, thotë se me 5 euro është e pamundshme të mbulohen shpenzimet e transportit. Sipas tij, "Endriti" ka për qëllim të dëmtojë kompanitë e tjera. "Po do me na lënë të gjithëve pa bukë. Kjo ma shumë është punë inati", thotë ai.
Fazliu çmimin prej 20 eurosh e arsyeton me faktin se një autobus për të shkuar dhe ardhur nga Durrësi, shpenzon 450 euro. Asociacioni i punëmarrësve, përkatësisht ai i pronarëve të bizneseve, Oda Ekonomike e Kosovës nuk mund të caktojë asnjë diktat, por ka autoritet që të harmonizojë punët ndërmjet konkurrentëve, pa dëmtuar asnjërin.
Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se disa herë ka kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të funksionalizohet Agjencia mbi konkurrencën.
(express)
Hetohen gazetarët luftënxitës
Gazetarët e dikurshëm dhe tanishëm të gazetave ditore serbe 'Vecernje Novosti' dhe 'Politika', por edhe ata të televizionit shtetëror serb, RTS, ndodhen nën hetime të Prokurorisë për Krime Lufte, publikoi gazeta serbe 'Press', duke i thirrur në deklaratën e zëdhënësit të kësaj prokurorie, Bruno Vekaric, i cili e ka konfirmuar se po hetohet nëse gazetarët e caktuar me punën e tyre kanë nxitur krimet e luftës. Vekaric nuk ka zbuluar emrat e gazetarëve dhe as mediat ku ata punojnë, ose kanë punuar, megjithëse, sipas 'Press', përveç mediave serbe nën llupën e Prokurorisë serbe janë edhe gazetarë nga Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. "Sipas vlerësimit tonë ka gjëra mediatike nga ajo kohë, të cilat iniciuan disa krime të luftës, edhe pse për shkak të interesit të hetimeve ende nuk mund të flasim se për cilat tekste dhe media bëhet fjalë konkretisht", theksoi Vekaric për 'Press'. Ndërkohë, kryetarja e Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë, Ljiljana Smajlovic, theksoi se s'ka dyshim se gjatë viteve të 90'a nëpër të gjitha republikat e Jugosllavisë kishte gazetarë dhe media që nxisnin popullin për luftë, edhe pse nuk u pajtua me vendimin e Prokurorisë. "Nëse Prokuroria mendon se dikush duhet të futet në burg për këto veprime, nuk e kuptoj se përse është pritur aq gjatë", theksoi Smajlovic, duke shtuar se është kundër përndjekjes së re të mediave, sepse edhe në qeverinë serbe sot janë të ulur politikanë që dikur nxitën dhe përkrahën imoralitetin. Ndërkaq, Miodrag Popov, dikur raportues i luftës në RTS, pohon se është krenar me të gjitha që i ka bërë, dhe se mezi pret që të hapet kjo tablo. "Motivi im i vetëm ishte e vërteta për ato luftëra dhe mbi këtë parim e kam bazuar gjithë punën time", pohoi ai.
Gjendet bishti i avionit dhe 24 trupa të pajetë
Një skuadër e flotës braziliane ka gjetur një pjesë nga bishti i avionit Air France. Deri tani, kjo është pjesa më e madhe, që është gjetur pas rrëzimit të avionit. Ajo mund të ndihmojë skuadrat e kërkimit për të gjetur kutinë e zezë të avionit, që ka gjasa të jenë në thellësi të oqeanit. Flota amerikane ka njoftuar se do të dërgojë një ekip ekspertësh në atë zonë, me pajisje të teknologjisë së lartë, që janë në gjendje të shohin deri në një thellësi prej 6 mijë metrash nën sipërfaqen e oqeanit. Ekipet e shpëtimit deri tani kanë gjetur 24 trupa, si edhe pjesë të tjera nga avioni, si pjesë karrigesh. Trupat u gjetën në zonën e rrëzimit të aeroplanit, që është afro 1100 kilometra nga bregu verilindor i Brazilit.
Ekipet e kërkimit kanë gjetur edhe pjesë të mëdha të aeroplanit. Mendohet se këto mbetje do të ndihmojnë në gjetjen e "kutisë së zezë", që do të mund të tregonte se çka kishte ndodhur me këtë aeroplan, që fluturonte nga Rio de Zhaneiro për në Paris.
Avioni u zhduk gjatë rrugës nga Rio de Zhaneiro për në Paris dhe në këtë aksident humbën jetën 228 vetë.