PDF  PDF KOHA

SHKARKO KOHA PDF FORMAT

Financial markets

 

 

Reportazh

Komento |  
Mision në "tokën e askujt"

Mentor BEQA
Ali Ahmeti dhe Arbën Xhaferri theksojnë nevojën që kanë shqiptarët për të dialoguar.
"Maqedonia ndodhet në ngërçin e një debati të ashpër për një emër. Nuk bëhet fjalë për ndonjë Damir Fazlliç, por për emrin e së ardhmes së Maqedonisë". Kryeministri Nikolla Gruevski, një politikan nacionalist, e ka të vështirë të lëshoj hapësirë në negociata. Në shfaqjet e tij publike këmbëngul se emri i vetëm është Maqedonia, dhe se ata janë pasardhës të Aleksandrit të Madh. Politikat e tij nxisin nacionalizmin vendas dhe janë ndërmarrë fushata të pafundme për të gjetur rrënjët e vjetra të popullit maqedonas.
Kjo është ajo që shfaqet në publik, ndërsa historia duket më konkrete. Kryeministri Gruevski i ka forcuar pozitat politike në elektorat me anë të këtij ligjërimi populist, ndërsa kundërshtarët e tij brenda të djathtës duket se janë shumë të dobët për të ndryshuar gjërat. Ndërsa në anën maqedonase, debati mbi emrin vazhdon pandërprerë, në pjesën me shumicë shqiptare kjo as që ndjehet. Situata politike e shqiptarëve të Maqedonisë pas zgjedhjeve ka filluar të riformatohet. Dhuna dhe terrori i ushtruar gjatë procesit zgjedhor ka detyruar shumë aktorë politik të rimendojnë pozicionin e tyre. Dy ish-ministra shqiptarë të kabinetit Gruevski, Imer Selmani dhe Sulejman Rushiti, drejtues të lartë të partisë së Menduh Thaçit, janë tërhequr së bashku me një grup tjetër anëtarësh, për të krijuar një parti të re.

Angazhimi i ri i Arben Xhaferrit
Zyrat e Partisë Demokratike Shqiptare, e cila humbi zgjedhjet janë më të qeta sesa kohë më parë. Kryetari i Partisë Menduh Thaçi është i angazhuar në ripërtëritjen e partisë dhe axhenda e tij nuk u përshtat dot me tonën, pavarësisht mirëkuptimit të të dyja palëve. Gjithsesi, në selinë e PDSH-së, ka gjithnjë dikë që të pret. Është "babai" i kësaj partie, Arbën Xhaferri, i cili që nga largimi prej politikës së ditës, ka filluar tu përkushtohet studimeve. Në një zyrë modeste të mbushur me libra, me një shëndet të brishtë, por me një devotshmëri të madhe për të kontribuar për interesat e shqiptarëve në Maqedoni e jashtë saj. Nuk ishte e nevojshme t'i shpjegohej nisma e Forumi për Demokraci dhe Etikë (FDE) për të ndërtuar një forum mbipartiak në Maqedoni ku do të bënin pjesë anëtarë e deputetë nga të gjitha forcat politike. Ai është i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që ndodh në Shqipëri dhe në çdo hapësirë ku ka shqiptarë. "Është një nismë e nevojshme për shqiptarët në Maqedoni. Përpara se të komunikojnë me të tjerët, kanë nevojë më së shumti të komunikojnë me njëri-tjetrin. Por duhet të jeni të vetëdijshëm për vështirësitë. Ne këndej kemi një shprehje të urtë; është si të prashisësh në lumë. Nëse e keni marrë parasysh këtë fakt, keni të gjithë kontributin tim për të realizuar këtë mision", thotë Arben Xhaferri, i cili do të jetë së shpejti në Tiranë i ftuar nga FDE për të mbajtur një ligjëratë për identitetin kombëtar të shqiptarëve. Në të folurin e tij, kuptohet qartë një pezmatim dhe mosaprovim për atë që ndodhi ndërmjet shqiptarëve të Maqedonisë gjatë zgjedhjeve dhe duket se rruga e vetme për të tejkaluar këtë situatë, është që të gjithë liderët politikë të ndërtojnë urat e komunikimit dhe të hedhin pas krahëve interesat e përkohshme politike.

Ahmeti: Detyra ime,
pajtimi i elektoratit
Ata që bëjnë luftën janë heronj, atë që bëjnë dhe paqen janë dy herë heronj. Shqiptarët e Maqedonisë duket se kanë nevojë më shumë se kurrë për këta të dytët. Një ndër ta mund të jetë kryetari i BDI-së, ish-komandanti i luftës, i cili pas fitimit të zgjedhjeve, po përpiqet të bëjë dhe paqen. Atë e gjejmë në një mbledhje kryesie, e cila po diskuton për zgjedhjet e rradhës, vendoret dhe presidencialet, që janë në fillim të vitit të ardhshëm. Ai ndërpret mbledhjen dhe na pret në një zyrë modeste ku në qendër janë skulpturat e Skënderbeut dhe Nënë Terezës.
"Isha në mbledhje kryesie, dhe në çdo takim që kam mundohem të shëroj plagët e asaj që ndodhi në zgjedhje", thotë Ali Ahmeti, i cili tashmë është përfaqësuar me disa ministra në qeverinë Gruevski. Një anëtar i BDI-së u vra gjatë zgjedhjeve dhe shumë të tjerë u lënduan. Por kjo ishte më e pakta që mund të ndodhte. "Njerëzit më kërkonin revansh dhe hakmarrje, më është dashur shumë durim e maturi, pavarësisht dhimbjes që ndjeja.
Unë e dija se këto ishin provokime dhe nëse nuk do i kishim kuptuar do ishte derdhur sërish gjak shqiptari." Situata e tensionuar përgjatë zgjedhjeve mund të kishte degjenuar edhe më keq, por falë përmbajtjes dhe maturisë, është shmangur një skenar ogurzi, të cilin ta thonë me bindje të gjithë tetovarët. E pavarësisht kësaj, Ali Ahmeti mundohet të racionalizojë gjykimin dhe të shmangë hakmarrjen. Ai është i gatshëm të dialogojë me të gjithë faktorët shqiptarë, në të mirë të qytetarëve. "Ajo që ndodhi ishte diçka e shëmtuar. Më thoni, a mund ta doja unë diçka të tillë. Ishte turp që duhet pastruar sa më shpejtë," thotë ai, teksa shton se nuk ka akuzuar personalisht asnjë lider shqiptarë në Maqedoni, duke e lënë derën të hapur për të gjithë. "Unë kam një mision tjetër shumë të rëndësishëm, të pajtojë elektoratin e traumatizuar nga dhuna". Largohemi nga zyra e tij me bindjen se të gjithë aktorët politikë janë nën një trysni të madhe të qytetarëve për të ndryshuar gjuhën. Të gjithë duan që politika të ofrojë një fytyrë tjetër.
"Qytetarët janë mërzitur me gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes. Ata janë mërzitur me përdorimin e politikës si instrument për të bërë pasuri personale. Ata duan bashkim dhe përgjegjshmëri qytetare tek njerëzit e mandatuar për t'i përfaqësuar. Kjo nuk arrihet me përjashtime, por me dialog dhe bashkëpunim", thotë Bekim Hyseini, profesor i njohur në Universitetin e Evropës Juglindore, i cili ka marrë përsipër organizimin e FDE-së në Maqedoni. Kryeministri Gruevski ka forcuar pozitat politike duke i qëndruar mitit historik, ndërsa rrezikohet anëtarësimi në NATO

Profili politik i
Demokracisë së Re
Demokracia e Re është partia tjetër që shqiptarët do të kenë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. "Ne nuk mund të pajtoheshim me veprimet që u kryen gjatë zgjedhjeve. Ky nuk është profili ynë politik dhe nuk janë vlerat me të cilat shqiptarët duan të identifikohen. Ne u ndamë nga Partia Demokratike Shqiptare për të ndërtuar një ofertë të re politike për shqiptarët e Maqedonisë", thotë kryetari i partisë së re, Imer Selmani, i cili është vlerësuar si ndër ministrat më të suksesshëm shqiptarë të qeverisë Gruevski.
Selmani dhe Rushiti duket se e kanë distancuar veten plotësisht nga PDSH duke tentuar të krijojnë një parti që nuk do të identifikohet me PDSH-në, por të jetë gjithëpërfaqësuese, pavarësisht se nga pikëpamja doktrinave, është pozicionuar në qendrën e djathtë. "Ne nuk jemi një shkëputje e PDSH-së, tek ne po grumbullohen njerëz që kanë qenë të aktivizuar me të gjitha partitë politike, por kryesisht ata që nuk kanë qenë të angazhuar në politikë më parë, pasi nuk e kanë parë veten të përfaqësuar. Ne synojmë që në zgjedhjet e ardhshme të jemi partia e parë e shqiptarëve të Maqedonisë", thotë Selmani, i cili shpreson të jetë i avantazhuar edhe nga situata politike aktuale në Maqedoni. Ai mirëpret ftesën e Forumit për Demokraci dhe Etikë për t'iu bashkuar nismës për të ndërtuar kanalet e komunikimit ndërmjet partive politike, për hir të interesave madhore të shqiptarëve.
E veja e Trajkovskit,
për një klimë të qetë politike
Pakkush mund të mos kujtojë ish-presidentin e Maqedonisë, Boris Trajkovski, i cili humbi jetën në një aksident tragjik me helikopter disa vite më parë. Por idealet dhe misioni i tij nuk kanë ndaluar, ato vazhdojnë të përcillen nga e veja e tij, Vilma Trajkovska dhe vëllai Robert. Ata kanë themeluar Fondacionin "Trajkovski", nëpërmjet të cilit përpiqen të infiltrojnë idetë e parealizuara të presidentit Trajkovski. Vilma pret me dashamirësi vizitën e FDE-së në zyrat e mbushura me foto dhe certifikata nderimi të presidentit të ndjerë. Arjan Galdini, drejtori ekzekutiv i FDE-së, i parashtron arsyen e vizitës dhe principet mbi të cilat bazohet fryma e Forumit për Demokraci dhe Etikë.
"Ne duam të bëjmë pjesë të ligjërimit politik gjuhën e paqes, në vend të gjuhës së urrejtjes, duam të ulim së bashku edhe kundërshtarët edhe armiqtë, për hir të principeve që tejkalojnë ndasitë ndërmjet njerëzve dhe politikanëve. Kjo është dhe arsyeja që modeli gjashtëvjeçar i funksionimit të FDE-së në Tiranë, është sjellë nëpërmjet hapjes së degës së saj në Maqedoni", thotë Galdini, ndërsa sqaron se FDE nuk do të jetë një kanal komunikimi vetëm ndërmjet shqiptarëve, por edhe ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Vilma Trajkovska nuk është vetëm drejtuese e fondacionit që bart emrin e ish-bashkëshortit, por dhe një njeri me ndikim të madh politik, kryesisht në partinë që sot drejton Maqedoninë. Ajo mirëpret ftesën dhe angazhohet për veprimtari të përbashkëta që do të ndihmonin Maqedoninë në krijimin e një klime më të qetë politike. "Edhe fondacioni ynë përafërsisht funksionon mbi bazën e të njëjtave principe, ndaj dhe ne do të jemi të gëzuar të bashkëpunojmë për realizimin e ideve tona. Maqedonia ka nevojë më shumë se për gjithçka tjetër, për dialog dhe paqe", thotë Trajkovska, duke u angazhuar që axhendës së saj të ngjeshur t'i shtojë edhe një mision tjetër.

Maqedonasit, ndërmjet
mitit dhe reales
"Aleksandar Palace" është hoteli në periferi të Shkupit që mbledh gjithnjë elitën politike maqedonase, aty ku të fshehtat e zhvillimit të këtij vendi të ndërlikuar të plasen fytyrës me pak akses në ambientet politike. Një panoramë disakatëshe në hollin e brendshëm të hotelit thuajse mishëron frymën e zhvillimit të këtij shteti që kërkon me domosdo të ndërtojë kombin e munguar. Faqja e murit është e mbushur me manastire orthodokse, real e të supozuar, që në neonacionalizmin maqedonas përbëjnë një rëndësi të madhe në ndërtimin e maqedonasit. Isha i ftuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë në një udhëtim që do të më përplaste me surpriza nga më të ndryshmet, në një moment shumë delikat për Maqedoninë. Den Donçev, një personazh shumë i rëndësishëm politik, na tërheq brenda një prej sallave të "Aleksandar Palace", ku ish-ministri i brendshëm, një profesor shumë i njohur në Universitetin e Shkupit, organizon një takim të rëndësishëm për emrin e ri të Maqedonisë. Të pranishëm në takim ishin ajka e opozitës e cila në dukje është bashkuar përballë një kryeministri nacionalist dhe me baza të forta populiste.
Ish-kryeministri Gjeorgjevski, është ndër të paktët personazhe politike në Maqedoni që artikulon hapur domosdoshmërinë për ndryshimin e emrit. "Maqedonia e Veriut është oferta më e mirë që ne kemi marrë përgjatë negociatave", thotë ish-lideri i partisë që tashmë drejtohet nga kryeministri Gruevski. Ndërsa të pranishmit e tjerë, liderja e opozitës së majtë në zgjedhjet e kaluara dhe shumë personazhe të tjerë, i përqasen me diplomaci, pamundësisë së Maqedonisë për t'i rezistuar presionit grek për çështjen e emrit. Maqedonasit duket se do e kenë të vështirë të bëjnë një zgjedhje ndërmjet mitit të së shkuarës dhe të ardhmes së tyre në institucionet euroatlantike.
Den Donçev, ish drejtori i Telekomit të Maqedonisë, tashmë është njeriu hije që po organizon lëvizjen e ish-ministrit të brendshëm, Lube Boshkovski. I arrestuar nga tribunali i Hagës vite më parë për krime kundër njerëzimit, dhe i liruar më pas si i pafajshëm, ai po bën një përpjekje të fortë për të rihyrë në politikë. Përpjekja e tij ka filluar si një lëvizje për të amortizuar tensionin e madh që e ka përfshirë Maqedoninë e pas zgjedhjeve të këtij viti. "Boshkovski ka bërë mijëra kilometra nëpër Maqedoni duke takuar qytetarë maqedonas dhe shqiptarë të Maqedonisë, në një përpjekje për të ndryshuar realitetin e tensionuar të Maqedonisë", thotë Donçev.
Fillimin e vitit të ardhshëm Maqedonia do të përballet me dy palë zgjedhje, ato për drejtuesit vendorë dhe për President, dhe Boshkovski duket se po përgatit terrenin për të kandiduar për postin e Presidentit. E vetmja mundësi e tij për të rrëzuar një kandidat të propozuar nga kryeministri Gruevski do të ishte mbështetja e mundshme që do të marr nga opozita e majtë, e cila ka si President Cërvenkovskin. Donçev tregohet i kujdesshëm në shpjegimin e lëvizjes së Boshkovskit, i cili pavarësisht pafajësisë së marrë në Hagë, ka probleme me krendencialet përballë shqiptarëve të Maqedonisë dhe faktorit ndërkombëtar, kryesisht atij arab, për shkak të keqtrajtimit të 12 pakistanezëve në kohën kur ishte ministër i brendshëm. Gjithsesi, në pamje të parë, të gjithë duken të gatshëm për dialog për të ç'tensionuar situatën. Donçev pranon me kënaqësi të jetë pjesë e Këshillit të të Urtëve të Forumit për Demokraci dhe Etikë, dhe angazhohet për të kontribuar në ndërtimin e tryezës së paqes mes maqedonasve dhe shqiptarëve të Maqedonisë.