Speciale

Komento |  
Shqiptarët janë mazohistë

Intervistoi Mentor BEQA
Zoti Xhaferri, prej do kohe jeni distancuar nga politika dhe i jeni përkushtuar studimeve. Si mendoni se kontriboni më shumë për çështjen shqiptare, në pozicionin e parë apo në të tanishmin?
Të qenit aktiv në politikë nënkupton mundësinë që realisht të ndikosh në proceset politike, të japësh kontribut konkret, të zgjidhësh realisht problemet shoqërore. Nga ana tjetër shkrimi, analiza e proceseve shoqërore krijon opinion për dukuritë e ndryshme shoqërore dhe në këtë mënyrë mund të ndikojë në mënyrë indirekte në vendimmarrjen politike. Pra, këto angazhime dallojnë sipas funksioneve. Mirëpo shpesh herë angazhimi indirekt krijon më shumë efekte konkrete se sa angazhimi i drejtpërdrejtë. Gjatë historisë ka ndodhur që individë të ndryshëm që s'kanë pasur funksione të drejtpërdrejta politike kanë ushtruar ndikim të madh në proceset politike. E kam fjalën për disidentët e ndryshëm të formatit të Saharovit, të Sollzhenicinit, të Havellit, të Sartrit etj. Natyrisht këta shembuj nuk mund të shërbejnë për ta shpjeguar rastin konkret, por janë në funksion të shpjegimit përgjithësues të angazhimit dhe rolit të individit në politikë. Mendoj se kontributi im praktik ka pasur më shumë peshë sesa ai publicistik. U angazhova në politikë në momentet që mund të karakterizohen si historike. E kam fjalën për zhvillimet në Kosovë, eksodi masiv, pastaj kryengritja në Maqedoni që paraprakisht shërbente si shkas për akuzë kundër mendësisë, kinse turbulluese të shqiptarëve, që krijojnë vend e pavend telashe në shoqëri dhe pastaj, përmes artikulimit politik, kryengritja mori karakterin e luftës së drejtë për arritje të barazisë në shoqëri. Me Marrëveshjen e Ohrit u arrit që faji nga cilësimi i shqiptarëve si element kriminogjen të bartet në Kushtetutën e Maqedonisë. Me ndryshimin e saj faji u hodh në konceptin e shtetit që nuk përputhet me realitetin. Ky ndryshim i pozicioneve nuk mund të arrihej pa qenë drejtpërdrejtë i kyçur në politikë. Angazhimi i drejtpërdrejtë në politikë ka përgjegjësi më të madhe, më konkrete që ushtron presion të madh mbi njeriun kështu që shumë shpejt shteret motivi për angazhim të mëtutjeshëm. Natyrisht kjo vlen për ata që kanë përgjegjësi për veprimet e veta.

Jeni i ftuar në Tiranë të diskutoni mbi identitetin kombëtar, një çështje e debatuar gjatë kohët e fundit. Cila është qasja juaj mbi këtë çështje?
Çështja e identitetit kombëtar është një nga çështjet më delikate dhe më të vështirë për përkufizim. Si çdo individë, ashtu edhe çdo komb vuan nga narcisizmi dhe parapëlqen që ta idealizojë të kaluarën, prejardhjen, madje duke e përvetësuar namin e të tjerëve.
Shqiptarët janë të rrethuar nga popuj që kanë një dedikim fanatik për ta idealizuar veten dhe për t'i djallëzuar të tjerët, shqiptarët janë të rrethuar nga popuj që nacionalizmin e tyre e kanë shndërruar në sistem, ndërkaq ata vetë kultivojnë një nacionalizëm reagues, që perceptohet si incident. Ata që e kanë institucionalizuar nacionalizmin, kanë arritur ta rezervojnë të drejtën që t'i takojnë një tradite të shenjtë religjioze, të përvetësojnë tërësisht vlerat e një periudhe të lavdishme historike, siç është ajo e antikës apo e mesjetës, duke e bërë mishmash historinë vetëm e vetëm që të kenë një prejardhje të fisme. Në këtë kontekst vetëm shqiptarët shfaqin tendenca tejmase kritike, të mos them mazohiste që karikaturizon çdo tendencë për përkufizim më të qartë të identitetit të tyre kombëtar. Kundër kësaj janë të rreshtuar njëkohësisht, ndonëse me motive të ndryshme, komunitaristët ideologjikë, fetarë, kozmopolitë që mohojnë seriozitetin e përpjekjeve për ta përkufizuar identitetin kombëtar. Kjo qasje kritike çuditërisht nuk zbatohet kur bëhet fjalë për identitet fetar apo më përgjithësues, bie fjala si identiteti evropian. Këta autorë shpeshherë dhe pa dilema pohojnë se ekziston një identitet evropian, ndërkaq mohojnë pretendimi se eksiton kategoria e identitetit kombëtar. Në aspektin teorik lidhur me këtë çështje përplasen teoritë esencialiste, primordialiste dhe ato konstruktiviste që pandehin se identiteti kombëtar është diçka e sajuar, prandaj propozoj dekonstruktimin e këtij sistemi, për ta të sajuar. Nga ana tjetër, primordialistët e shndërrojnë identitetin kombëtar në një esencë ontologjike, të pandryshueshme në të gjitha etapat historike. Ata po ashtu edhe shtetin e shndërrojnë në kategori të këtillë. Bie fjala ideologët serb kur flasin për mesjetën ata përdorin një diskurs që në vete ngërthen motive, relacione të sotmes. Çdo gjë që është e mirë përvetësojnë, ndërkaq të këqijat ia mveshin të tjerëve, sidomos shqiptarëve. Sipas tyre identiteti serb si dhe shteti serb gjithmonë kanë ekzistuar në trajtën e sotme. Kështu veprojnë grekët, maqedonasit dhe vetëm shqiptarët tregojnë një butësi shpesh herë në dëm të tyre. Mendoj se nuk mundet ta absolutizohen këto koncepte, qofshin ato esencialiste apo konstruktiviste. E vërteta është diku në mes. Identiteti i një populli ndryshon, por është me rëndësi që ai popull t'i pranojë këto ndryshime si pjesë të traditës , të historisë së tij dhe të identifikohet me to. Konstruktivistët që veten e trajtojnë si intelektual të mirëfilltë janë të bindur se përcaktimet për kultivim të identitetit kombëtar janë sajesa dhe nuk përputhen me realitetin historik apo aktual. Kundër këtij përcaktimi ekzistojnë një varg argumentesh. Argumenti kryesor është, bie fjala, shpërputhja e mendësisë evropiane me atë krishtere. Ndonëse evropianët e pranuan me hezitime të shumta krishterizmin, modeli identifikues për këtë qytetërim nuk është figura e përvuajtur, e përkortë e Jezu Krishtit, por figura e atletit olimpik. Nga përplasje ndërmjet mendësisë agresive, militariste evropiane dhe mëshirës kristiane u bënë ndryshime të dy anshme, por kryesisht krishterizmi u detyrua që të lejojë luftën kundër të pafeve (kryqëzatat) dhe kundër krijesave të demonizuara (inkuizacioni). Filozofi gjerman Slloterdijk këtë mentalitet, këtë identitet evropian e cilëson si protofashist, militarist. Nisur nga këto shembuj mendoj se nacionalizmi si dhe identiteti kombëtar janë vlera evropiane dhe kurrsesi jo anakronizma që duhet të eliminohen.

Le ti rikthehemi pak asaj që ndodhi në Maqedoni ndërmjet shqiptarëve përgjatë procesit zgjedhor. Është një njollë turpi që shqiptarët po e kanë të vështirë ta tejkalojnë. A i dëmtojnë interesat e shqiptarëve të Maqedonisë këto ndodhi dhe si mund të kapërcehen?
Në shtetet multietnike në asnjë mënyrë nuk ndërpritet gara etnike. Në këtë vijë përdoren mjete të ndryshme për të ndërprerë një proces konsolidues të kundërshtarit etnik. Në çdo shoqëri në tranzicion ekziston mundësia e incidenteve të këtij llojit. Këto kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Këtë energji që krijohet pas një fushate të ashpër ku tjetri djallëzohej shpesh herë vetë shteti kanalizon në drejtime që do të paraqesë grupin tjetër etnik si të padenjë për demokraci. Kur ndodhën këto incidente në Maqedoni, zyrtarët në bashkëpunim me mediumet njëzëri krijuan idenë se faji është i shqiptarëve, se ata nuk kanë vlera qytetëruese për ta pranuar demokracinë dhe vlerat tjera të shoqërive moderne. Ky rrëfim u ndal kur faktorët evropianë refuzuan ta pranojnë këtë shpjegim dhe megjithatë e akuzuan qeverinë për organizim të dobët të zgjedhjeve. Faji u bart te PDSH-ja, ndonëse në atë incident me pasoja tragjike morën pjesë aktivistët e BDI-së dhe njësitë speciale policore, ALFA-t. Natyrisht nuk kam për qëllim të bëjë apologjinë e këtyre incidenteve, por të hedhë dritë mbi fenomenet që futen nën rrogoz.

Forumi për Demokraci dhe Etikë ka hapur degën e saj në Maqedoni e cila është mirëpritur edhe nga shqiptarët edhe nga maqedonasit. Si mund ta luaj rolin e saj FDE për të përbashkuar qëndrimet e partive politike atje për hir të interesave madhore të shqiptarëve?
Ideja është vetvetiu shumë e mirë dhe e nevojshme. As demokracia, as ligjet pa etikë nuk mund të implementohen. Mungesa e etikës shpesh herë e shndërron demokracinë në instrument të manipulimit, sidomos në shtetet multietnike. Në Maqedoni, bie fjala në fillim koncepti i demokracisë, përkatësisht e drejta për mbivotim u shndërrua, më mirë thënë u degjenerua në procedurë të eliminimit. Shumica etnike gjithmonë mbivotonte pakicën etnike. Në periudhën prej vitit 1991-1998 asnjë amendament i deputetëve shqiptarë nuk u votua. Shumica etnike e përdorte demokracinë si instrument për përvetësim të begative të shoqërisë. Organizatat jo qeveritare mund të luajnë rol të rëndësishëm në ndriçimin e këtyre devijimeve dhe të krijojnë opinion, vetëdije se në këtë mënyrë thellohen antagonizmat etnike në shoqëri që pastaj vështirë mund të qetësohen. Këto organizata që formohen kryesisht nga motive dhe qëllime të mira mund të kenë sukses vetëm e vetëm nëse bartësit e projektit e shohin veten në rolin e misionarit. Pa këtë veçori shumë shpejtë këto institucione jo qeveritare burokratizohen dhe nuk arrijnë ta realizojnë obligimin e marrë. Uroj që FDE-ja ta luajë rolin e vetë, misionin etik me sukses të plotë.
(STANDARD)

Komento |  
Baci bërthamor

Pret që në demonstratën e së mërkurës të dalin më shumë se gjashtë për qind e shqiptarëve të Kosovës, sa kanë luftuar me armë në dorë. Ai tregon se përmes këtyre gjashtë pikave, janë dy arsye përse Evropa do t'i bëjë koncesione Serbisë. Çfarë propozon që liderët e vendit t'i thonë Daniel Friedit dhe amerikanëve dhe si i vlerëson spekulimet për mundësi dorëheqjeje të kryeministrit Hashim Thaçi, nëse duhet patjetër të nënshkruhen këto gjashtë pika. Adem Demaçi flet për Express.

Si i shpjegoni ju këto gjashtë pika. Çfarë janë?
Demaçi: Këto gjashtë pika janë përpjekje për ta kthyer edhe një herë Kosovën nën dominimin e Serbisë, për t'ia bërë qejfin Serbisë me shpresë se do të mund t'i bindin të ndahen nga Rusia e t'i bashkohen NATO-s dhe BE-së. Krejt këto ryshfete korruptive që po mundohet Evropa t'ia bëjë Serbisë, duhet që faturën t'ia paguajnë shqiptarët. Sikur më 1878, sikur më 1939 apo 1945, përsëritet historia që gjithmonë ne duhet t'ia paguajmë faturat Evropës, e cila po bën tregti me fatin e njerëzve.

Pse po na përsëritet historia?
Demaçi: Po na përsëritet sepse jemi më të dobëtit dhe vrima e fundit e kavallit në Evropë. Ata që janë në pushtet në shtete evropiane, pavarësisht se ne jemi evropianë dhe e duam Evropën e popujt e tyre i kemi miq, ata që udhëheqin qeveritë janë milionerë e miliarderë. Ata janë mësuar të bëjnë tregti dhe mania e tyre për tregti, ka kaluar që këtë ta bëjnë edhe me fatin e popujve. Përndryshe, është e pakuptueshme që një Serbi, e cila i bëri katër lufta, e cila sulmoi Slloveninë, njëqind të zeza në Kroaci, bëri tragjedi të paparë pas Luftës së Dytë Botërore në Bosnje e Hercegovinë, e cila bëri gjithë këto gjakderdhje e mizori në Kosovë, nga ajo të krijohet partner. Gjithë këtyre gjakderdhjeve t'iu thuhet në një moment "Peace maker" (paqebërës), të organizohet konferenca e Dejtonit, të merret parasysh kërkesa e Millosheviçit që çështja e shqiptarëve të mos jetë në ato bisedime, kjo do të thotë se Evropa me sjelljet e veta politike të gabuara, faktikisht e krijoi një kriminel, sikurse ishte Millosheviçi. Pastaj u desh të përdorë forcën e vet që ta shtypë atë (Millosheviçin).

Thatë se jemi të dobët, por a mos jemi edhe pak të padijshëm?
Demaçi: Të padijshëm po se po, sepse nuk jemi ne rastësisht më të dobëtit. Krejt qendra është te dija. Sikur ta kishim ne vetëdijen kombëtare si duhet, ne do ta kishim situatën tonë më ndryshe. Por nuk e patëm as dijen e as vetëdijen, e nuk e patëm as organizimin si duhet, ne e pësuam. Pas Luftës së Dytë Botërore mbetëm të ndarë në dy e më shumë pjesë, për shkak të mosdijes sonë. Enveri (Enver Hoxha) me kompani e vlerësoi gabimisht situatën politike, e bëri luftën antifashiste, por u mashtrua nga komunistët serbë dhe praktikisht e humbi Kosovën.

Gjashtë pikat tash janë në tavolinë. Çfarë duhet bërë?
Demaçi: Liderët e Kosovës gjithashtu e bënë një vlerësim të gabuar kur shkuan në konferencën e Rambujesë, sepse atje është gabimi i të gjitha këtyre rrjedhave të mëvonshme që dolën. Pastaj bënë lëshime në bisedimet me Ahtisarin, lëshime që nuk i njeh praktika ndërkombëtare, të cilat praktikisht ia bënë Serbisë. Edhe Serbia e Evropa filluan të mendojnë në mënyrë jo të drejtë për Kosovën, se a janë këta njerëz debilë apo idiotë, çfarë janë këta. Edhe ky hap i fundit që është ndërmarrë prej tyre, është thikë në asht, prandaj edhe po kërcejnë liderët tanë dhe populli ynë. Prandaj, nuk ka mundësi të bësh ndonjë mrekulli të madhe, sepse ne i dorëzuam armët. Ushtria jonë çlirimtare e heroike, e cila luftoi me një fuqi që as bota nuk ka besuar të jetë e tillë, i dorëzoi armët, sepse prapë vlerësoi se miqtë tanë do të na shpëtojnë dhe s'do të ketë nevojë të qëndrojmë e të kërkojmë të drejtat tona. Kurse Serbia dhe çetnikët nuk dinë asnjë forcë tjetër, përveç forcës së armëve. Sa u takon miqve tanë evropianë e amerikanë, të cilët na rekomandonin të rrinim urtë se do ta rregullojnë këtë punë, sikur ne të mos çoheshim në kryengritje, do të ishim sot me Serbinë. E si do ta rregullonin këtë punë me një autonomi substanciale. Ne e kuptuam atë dhe u ngrit populli në këmbë, por u ngrit një përqindje e vogël, nja pesë apo gjashtë për qind. Por tash ata duhet ta kuptojnë se këtë liri ashtu siç është, e kontrolluar dhe e penguar, ky popull e kërkoi. Nuk do të jetë më pesë apo gjashtë për qind, por njëzet apo tridhjetë për qind. Sepse ky popull megjithatë, nuk do ta japë lirinë e vet.

Ju mendoni se në demonstratën e së mërkurës do të dalin më shumë se gjashtë për qind?
Demaçi: Unë besoj se po. Nëse e vlerësojnë situatën si duhet dhe nëse populli ynë është duke përcjellë qëllimet djallëzore, të cilat Rusia me trysninë dhe shantazhet e veta që po ia bën Evropës. Serbia thotë se pa Kosovën nuk do të hyjë as në NATO, as në BE. E, meqë nuk duan të hyjnë, atëherë Evropa, e cila ka për qëllim që gjithsesi ta fusë Serbinë në NATO dhe BE, është e gatshme t'i shesë interesat e shqiptarëve ashtu siç po e bën në mënyrën më flagrante, më të turpshme, e jodemokratike.

Express: Si do të përfundojë gjashtëpikshi?
Demaçi: Nuk është shumë e mundur të vlerësohet kjo situatë. Kam shpresë të madhe që i kemi dy gjëra që deri më tash nuk i patëm. E kemi unitetin e të gjithë spektrit politik, pavarësisht se shtyhen ndërmjet veti, ata e kanë kuptuar se çfarë po i përgatitet Kosovës. Të gjithë janë unikë dhe janë kundër këtyre 6 pikave, e të gjithë janë kundër që Kosova të shndërrohet në një Bosnjë, që Kosovës t'i bëhet një Republika Sërpska, që serbët t'i hyjnë Kosovës përbrenda. Ata nuk do të ndalen me kaq. Ata do të kërkojnë ta bëjnë këtë edhe në Çagllavicë, apo enklavat e tjera, të cilat i bënë me lëshimet e shqiptarëve, e kjo do të bëhet një ferr i vërtetë për shqiptarë. Shpresoj që ky unitet nuk do të shpartallohet për interesa të ngushta, edhe pse po i dëgjoj disa që po thonë se jo është vonë, si shoqi i Vetonit (Veton Surroit). E ai (Veton Surroi) është një prej atyre që ka luftuar më së shumti që të nënshkruhet Marrëveshja e Rambujesë, e cila na futi në fund të pusit, apo disa që thonë se, duhet të bëhen zgjedhje të reja, në këtë kohë kur atdheu, kombi është në rrezik. Interesat personale çfarëdo qofshin, lihen mënjanë. Interesi kombëtar dhe i atdheut është mbi të gjitha dhe para të gjithave. Ata që e duan të kundërtën, besoj se janë pakësuar shumë. E dyta është që faktori i njohjes nga ana e 52 shteteve që nuk është pak dhe nga shtete më të rëndësishme që i ka bota, të cilat janë më të zhvilluarat, afër nesh, e dinë çfarë do të thotë rëndësia e Kosovës në këtë hapësirë dhe këtë kohë, është faktori tjetër i rëndësishëm. Kam shpresë të madhe se do ta detyrojnë Evropën ta rishikojë pozicionin e vet, që të ndërpresë tash e tutje lëshimet pa parim e të turpshme që është duka ia bërë Serbisë.

Daniel Fried është në Kosovë. Do të zgjidhet kjo situatë?
Demaçi: Amerikanët janë në mes të dy zjarreve. Ata kritikohen nga Evropa se janë arsyeja përse shqiptarët nuk po e pranojnë këtë marrëveshje, çka nuk është e vërtetë. Amerikanëve duhet t'iu thuhet se ne ju kemi miq; sikurse edhe Evropën që e kemi, pasi popujt e Evropës janë me ne, por jo disa nga ato shtete që i shikojnë hesapet me para e me profit, pasi gati 12-13 miliardë euro Serbia ua ka borxh shteteve më të rëndësishme evropiane. Ata janë të interesuar që ato borxhe t'iu kthehen dhe prandaj nuk duan të bëjnë presion të madh mbi Serbinë nga frika se mos nuk do të mund t'ua kthejë borxhin. Ky është shkaku që Italia, Franca apo ato të tjerat, mundohen ta shpëtojnë Serbinë nga një agresor i paparë që u shfaq.

Pra, ardhja e Daniel Friedit ...?
Demaçi: Është mirë dhe t'i thuhet, zotëri ne për lirinë e Amerikës jemi të gatshëm të vdesim, edhe nëse ju rrezikoheni, jemi të gatshëm të vdesim për ju, por lirinë tonë e duam më shumë se çdo gjë tjetër. Pa liri jeta s'ka kuptim. Ju si amerikanë që e doni aq shumë lirinë, mund të na kuptoni ne se kemi të drejtë legjitime t'i mbrojmë interesat tona, sepse edhe ata të tjerët po i mbrojnë interesat e veta. Vetëm ne deri më tash në histori hoqëm për interesat e dikujt tjetër. Ka ardhur koha që t'i japim fund se nuk jemi më ai popull kalama që mashtroheshim me disa thërrime apo çokollata.

Ka spekulime se kryeministri ka paralajmëruar dorëheqjen, në qoftë se patjetër i kërkohet nënshkrimi i këtyre gjashtë pikave. Ju si mendoni?
Demaçi: Nuk do të ishte hap i mirë nga ne që t'ia kërkojmë dorëheqjen, e nuk është hap i mirë edhe propozimi i disave për zgjedhje të reja. Por është hap shumë i mirë që ai iu ka thënë miqve tanë se 'nëse mendoni se për karrige e për post e karrierë i shes interesat e popullit tim, mashtroheni. Jam i gatshëm të jap dorëheqje'. Ky ishte një qëndrim i tij shumë burrnor dhe i mirë, që thënë të drejtën mua më ka habitur. Sepse këta zotërinjtë më së shumti bëjnë presion që 'shikoni, nëse nuk dëgjoni ne mund t'ju shkarkojmë', sepse i kanë disa autorizime atje, por nëse ti ju thua në fillim se, 'e llogaris shkarkimin, mirëpo mos prit se unë do t'i shes interesat', kjo është edhe një hap shumë i rëndësishëm që populli ynë të vetëdijesohet edhe më shumë dhe që miqtë tanë ta kuptojnë se nuk është e moralshme e demokratike të tallen me fatin e një populli të vogël, si shqiptarët, të cilët gjithmonë u flijuan për interesa të Evropës, që nga koha e Skënderbeut e këtej. Por Evropa asnjëherë nuk na dha kundërvlerën që e kemi merituar. Sot është koha që deri diku ajo t'i përmirësojë gabimet e veta.

Ju, a do të merrni pjesë në demonstratën e së mërkurës?
Demaçi: Patjetër, patjetër që do të jem aty. (express)

Komento |  
Unë dikur kam qenë kryeministër...

William LANGEWIESCHE

Në kategorinë e kurioziteteve të vogla të jetës, e konsideroj përvojën e inxhinierit austriak, i cili ishte ulur në një ulëse përballë meje. Ne gjendeshim në sektorin ekonomik të Austrian Airlines, në fluturimin 372, një linjë ajrore e vogël, e cila në pranverën e vitit të kaluar po fluturonte nga Amsterdami për në Vjenë. Inxhinieri kishte një fytyrë të hollë moraliste dhe flokë të shkurtra të lyera me gel. Ai ishte ulur shumë drejt me kokën e tij, e cila lehtësisht anonte përpara, duke lexuar disa gazeta industriale. Ngurtësia e tij vërehej edhe pas shpine. Ai kishte të veshur një këmishë të pastër e të bardhë të përthekuar për kyçin e dorës. Ulësja që ishte afër dritares ishte e lirë dhe me siguri që ai dëshironte të mbetej ashtu. Por pas pak minutash, në mesin e udhëtarëve të tjerë të klasifikimit ordiner, të cilët udhëtojnë mëngjeseve nëpër kryeqytetet evropiane, një përjashtim erdhi në skaj dhe u ndalua me një buzëqeshje shfajësuese, duke bërë me shenjë në ulësen e lirë. Ai kishte një trup mundësi, me një fytyrë të gjatë e të plotë, me një gojë që rrinte e hapur lehtësisht dhe me buzën e poshtme të dalë pak përpara. Ai kishte të veshur një kostum të kaltër dhe një këmishë që e kishte të hapur në fyt. Ai ishte Ramush Haradinaj, komandanti gueril në luftën e Kosovës, i cili një ditë më parë kishte dalë i pafajshëm nga procesi trevjeçar i kryer në Tribunalin e Hagës.
Një rebel i Kosovës
perëndimore
Edhe më parë kam ditur diçka lidhur me të. Si djali i një familjeje shqiptare me rëndësi, nga një djalë fshati, ai ishte bërë një rebel i Kosovës perëndimore. Haradinaj kishte kaluar mirë në shkollë, por nga serbët ai kishte rënë në sy si një person që krijon telashe dhe ia kishin ndaluar për të shkuar në universitet. Pas qëndrimit njëvjeçar në ushtrinë jugosllave, ai kishte kaluar në Zvicër dhe Francë, ku kishte punuar si punëtor krahu dhe rojë e klubeve të natës. Gjatë asaj kohe ai ishte stërvitur për luftë, duke marrë pjesë në gara maratone, duke mësuar artet marciale dhe duke krijuar kontakte. Ai thotë se njëherë kishte notuar në det për 27 orë, vetëm për të dëshmuar se ai mund ta bëjë këtë. Para se të kthehej në Ballkan, rreth vitit 1995, përmes maleve të Shqipërisë ai kishte filluar në mënyrë sistematike që të sjellë armë në Kosovë. Pasi që lufta kishte filluar, ai kishte marrë emrin Rambo, për shkak të kokëfortësisë së tij në betejat kundër serbëve. Ai ishte plagosur disa herë, por edhe ka vrarë plot njerëz. Ndoshta më shumë se çdokush, ai ishte përgjegjës për provokimin e Serbisë në fushatën e spastrimit etnik, e cila çoi në intervenimin e NATO-s në vitin 1999 dhe ndarjen e Kosovës nga Serbia. Më vonë ai kishte krijuar partinë politike duke u bërë kështu për një kohë të shkurtër kryeministër i Kosovës. Pas një kohe të shkurtër, për shkak të padisë për krime të luftës, ai kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Për habinë time tani, në aeroplan ai kishte qenë pa shoqëri. Nuk kishte përcjellës, as familjen dhe as rojë. Kur turmat në Kosovë eksitohen, ata përsërisin pandërprerë emrin e tij "Ramush! Ramush! Ramush!" dhe shkrepin armët në qiell. Shkrepja me armë të zjarri në gjuhën e Ballkanit përdoret për të shprehur të gjitha llojet e humorit. Kur transmetohet emocioni i dashurisë, mund të shurdhohesh nëse je shumë afër. Kur mesazhi është hakmarrja, ajo mund të të shqyejë në dysh. Nuk dua të bëhem paragjykues dhe ta pranoj lehtësisht që përkundrazi Austria e civilizuar mban rekordin për gjenocid. Por, Austrian Airlines është mjaft i qetë. Nga ulësja ime thashë: "Urime, zotëri Haradinaj", dhe ia dhashë dorën. Ai nuk më njohu. As inxhinieri nuk e njohu atë. Ai u tërhoq për t'i lejuar Haradinajt kalimin për tek ulësja afër dritares dhe e ktheu veten për te leximi i tij, që i shtrëngonte qafën. Haradinaj largoi xhaketën e tij dhe filloi të shkruante tekst mesazhe nga celulari i tij. Ai e mbante atë edhe pasi që stjuardesa kishte urdhëruar për ndaljen e të gjitha pajisjeve elektronike. Pse ky ndalim? Nuk është për siguri, ashtu siç mendoj unë, por për shkak të mungesës së një dëshmie zyrtare. Nuk lejohen qenët pa zinxhirë dhe nuk lejohet ndezja e zjarrit në plazhe. Shikoja inxhinierin se si nervozohej me mosdëgjimin e Haradinajt. Ai përmbahej për të mos komentuar, por e mbante shikimin sikur për të treguar se nuk mund të koncentrohej më shumë në leximin e tij. Ngritja e aeroplanit e lehtësoi shpirtin e tij. Haradinaj e ndali telefonin e tij dhe vështronte jashtë dritares, derisa aeroplani ngrihej mbi Holandë. Pas pak retë mbuluan pamjen. Inxhinieri i ishte kthyer leximit, kur Haradinaj iu kthye atij duke folur me një anglishte të rrjedhshme dhe duke i thënë hapur: "Unë kam qenë i arrestuar nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës për t'u gjykuar për krime të luftës, por jam liruar i pafajshëm. Tani po shkoj në Kosovë. Është një ditë e bukur. Dje ishte një ditë e mirë. Më duhet ta ndërroj aeroplanin në Vjenë. E ti, çka po bën?" Inxhinieri e shikonte atë me mëdyshje. Kosova? Ai kishte dëgjuar për të. Biseda do të mund të kishte përfunduar aty, por Haradinaj e hapi një revistë ku ishte harta e Evropës, ku i tregoi me gisht se ku është Kosova - një shtet aq i vogël sa që emri i tij nuk mund të shkruhej brenda kufijve të treguar. "Populli ynë është më shumë se dy milionë. 90 për qind janë si unë, 10 për qind janë serbë dhe disa të tjerë janë romë. Grupet nuk përzihen, ky është një problem nga lufta, por se duhet të ndryshohet. Ne kemi parlament. Kryeqyteti ynë është Prishtina. Ka kafiteri të mira. Unë dikur kam qenë kryeministër. Zyrat e qeverisë sonë kanë qenë të mbikëqyrura nga OKB-ja, por tash së voni kemi shpallur pavarësinë. Disa shtete na kanë njohur dhe Unioni Evropian po bën lëvizje për të na ndihmuar. Ne nuk kemi ushtri, sepse ne mbrohemi nga trupat e NATO-s dhe atje duhet bërë shumë ndërtime. Papunësia është 50 për qind. Ne kemi nevojë për të përmirësuar arsimin. Tregu është ashtu-ashtu. Ne kemi bujqësi, por ne kemi nevojë për investime", i tha Haradinaj. "A ka atje turistë", e pyeti inxhinieri. "Jo, ende. Ne e kemi verën e mirë", iu përgjigj Haradinaj. Ai dukej të mendonte se inxhinieri mund të ishte një nismëtar i tregtisë. Ai dukej se po e fliste të vërtetën, por nuk e përmendi faktin se përkundër influksit të madh të fondeve të huaja dhe të këshilltarëve, Kosova është një vend gati se i paprekur nga mekanizmat e qeverisë formale, dhe është e kontrolluar nga nëntoka, nga një sistem i patronazhit dhe ujditë e bëra jashtë ligjit. Në atë kuptim, kjo është sikur në shumicën e shoqërive botërore, ku për të gjitha mburrjet e globalizimit të kohës sonë, mënyrat tradicionale vazhdojnë të funksionojnë dhe ne jemi thurur në një strukturë të progresit. Tek e fundit çka do të thotë "modernizim"? Pjesa më e madhe e ekonomisë në Kosovë është në të zezën. 50 për qind janë të papunësuar? Më shumë se 50 për qind me treg të zi, kontrabandë dhe evazion fiskal. Por ndoshta nuk ka kontradikta në mendjen e Haradinajt. Kosova nuk ka krime të rrugës. Ka restorante të arsyeshme dhe lugina baritore.

Kosova është e qetë,
por e tendosur
Ka një resortë skijimi në male ku vizitorët kurrë nuk duhet të presin në rend. Ka shumë gra të bukura atje, por vendi është aq i qetë sa që inxhinieri atje mund ta sjellë edhe gruan e tij. Është e komplikuar. Kosova është e qetë, por e tendosur. Sidoqoftë, vetë justifikimi ndoshta, nuk është krejtësisht gabim. Haradinaj është mishërimi. Prokurorët e Kombeve të Bashkuara në Hagë kanë akuzuar atë për organizim dhe vrasje të civilëve gjatë luftës. Ai gjithmonë e ka mohuar këtë. Pas luftës, fuqia e tij ishte e pjesshme dhe e bazuar në luftërat që ai ka bërë, por ai shndërrohet me kohë në kundërshtar të shtyrjeve të shqiptarëve në dhunë ndaj serbëve. Në mars 2005, kur trashëgimia e luftës u kthye drejt tij, ai u bë kryeministri i vetëm në histori që derisa ishte në atë detyrë, iu dorëzua drejtësisë ndërkombëtare. (express)

(VIJON)

 

Shtëpia e luftës (2)

Ushtria që përbëhej nga djemtë e Hilmiut

Në pjesën e dytë të reportazhit të revistës "Vanity Fair" rrëfehet kthimi i Haradinajt në Kosovë. Rikthimi në luftën e Kosovës, biseda me inxhinierin, hapat e parë të luftës së UÇK-së dhe beteja e Jasharëve janë disa nga rrëfimet që ka veçuar autori

William LANGEWIESCHE
Në mënyrë paradoksale, në prag të dërgimit të tij, zyrtarët ndërkombëtarë të një rangu të lartë, morën pjesë në darkën e lamtumirës. Me të gjitha llogaritë, ai ishte i dashur dhe i vrullshëm në gjykimin e çështjeve. Kreu i misionit të Kombeve të Bashkuara kishte shprehur besimin në të ardhmen e Haradinajt dhe e kishte quajtur "një partner të ngushtë dhe shok". Nëse zyrtarët kanë shkuar aq larg, ashtu siç kritikët kanë thënë, kjo ka ndodhur sepse Kosova ishte në gjendje të tendosur. Haradinaj do t'iu kishte munguar jo vetëm se ai kishte folur gjuhën e qeverisë së mirë (gjithkush e bën), ose sepse ai ishte një zyrtar ekzekutiv jashtëzakonisht efektiv (së paku kështu kjo ishte arsyeja), por sepse jashtë kanaleve të zakonshme, ai ishte i gatshëm të kontrollonte popullin e tij, megjithëse ashtu është vepruar. Inxhinierit të aeroplanit ai i kishte thënë: "Mund të të pyes diçka? Sa vjeç jeni?" "Tridhjetë e gjashtë." "Ne qenkemi moshatarë. Edhe unë jam 39"! Çfarë rastësie. Sërish, është e komplikuar. Goja e tij qëndron e hapur, por askush nuk duhet të dyshojë se Haradinaj është i mençur. Përvoja e ka treguar se ai mund të jetë brutal, por potenciali që ka ai, i shërben atij për paqe. Ai është pa pretendime, por edhe në mënyrë të lartë mund të jetë edhe shumë i vetëpërmbajtur.
Derisa fluturimit po i vinte fundi dhe derisa merrej me bashkudhëtarin e tij, ai shkroi angazhimet e tij dhe e ftoi atë ta vizitonte në shtëpinë e tij në Prishtinë. Ai qartazi e mendonte këtë. Në pistën e Vjenës, policia austriake e largoi atë me shpejtësi, sa për ta mbrojtur atë në tokën e Austrisë, por aq edhe për të siguruar një hyrje të shpejtë për në fluturimin tjetër drejt Kosovës. Unë mora fluturimin e njëjtë, dy orë nga Vjena, duke fluturuar tërthorazi përreth Serbisë, në mënyrë që të shmanget ndonjë pengesë. Haradinaj u ul në pjesën e përparme të aeroplanit dhe tani kishte vendosur kravatën. Ne kapërcyem mbi tokat bujqësore të rrethinës së Prishtinës dhe aeroplani kalonte mbi shtëpitë prej tullave gjysmë të kryera, e që dukeshin të pafundme, të cilat ishin ndërtuar nga paratë e sjella nga jashtë vendit. Më në fund aeroplani aterroi në aeroportin e kryeqytetit. Një turmë prej më se dy mijë njerëzish që mbanin në duar flamuj të ish-UÇK-së, e priste Haradinajn për t'i dëshiruar mirëseardhje.

Nën shoqërimin e rakisë dhe cigareve
Ndërsa ushtarët e NATO-s rrinin mënjanë. Njëri nga personat e stafit të Haradinajt më vërejti mua dhe më shtyu në një zyrë të vogël të ndërtesës, për të bërë një prezantim të shkurtër. Derisa i dhamë dorën njëri-tjetrit, Haradinaj më tha: "Sot në mëngjes të kam parë në aeroplanin e Amsterdamit". "Dhe në gjykimin e djeshëm në Hagë", ia ktheva. "Më fal, s'të njoha", më tha ai. Të shoqëruar nga një turmë rojash dhe pasuesish, ne dolëm në dritën e diellit në Kosovë. Turma thërriste emrin e tij "Ramush!" dhe ai zgjaste dorën për t'i përshëndetur. Unë e gjeta një vend në një Mercedes, në mesin e karvanit prej 10 veturash që ecte nga aeroporti drejt qendrës së qytetit, e që shtynte të tjerët në mënyrë agresive nga trafiku, në të njëjtën mënyrë siç bëjnë disa lloje të sigurimit amerikan, të cilët në fakt edhe e kanë trajnuar këtë ekip. Prishtina është një qytet prej gjysmë milioni banorësh, i cili funksionon si një vend më i vogël. Më vonë mësova se stili i mbërritjes së Haradinajt nuk u përshtatej shumë banorëve të këtushëm, ndërkaq disa prej tyre e vrojtonin me frikë. E njëjta gjë do të mund të thuhej për shtëpinë e tij. Është një shtëpi e madhe me një strukturë kulmi të rrumbullakët, e cila qëndron në një kodër, e cila nga shakatë, njihet si mali Olimp dhe që mund të shihet nga shumë pjesë të qytetit, pasuria e së cilës thuhet të jetë nga plaçkitja e luftës. Konvoji na dërgoi atje direkt. Haradinaj u ul në sallonin e hapur dhe priste radhën e lajkatarëve dhe shokëve të tij. Ekuipazhet televizive erdhën dhe bënin punën e tyre. Përfundimisht skena u qetësua. Haradinaj është i martuar me një grua nga një familje elite prishtinase, e cila i ka lindur atij dy fëmijë. Familja e re ka qenë në Hagë për të dëgjuar gjykimin, por i kishte ikur fluturimi dhe janë vonuar një ditë në Vjenë. Haradinaj e largoi kravatën e tij, i përvoli mëngët dhe nën shoqërimin e rakisë dhe cigareve, bisedonte me një grup të këshilltarëve të tij për ngjarjet e ditës tjetër. Ai planifikonte të bënte një pelegrinazh lufte, një kthim ceremonial në skenat e sakrificës shqiptare dhe më në fund ta përfundonte ditën në fshatin e familjes së tij, duke e respektuar babën e tij. Për një moment atij nuk i bënte përshtypje që serbët e Kosovës tërë frikë dhe inat janë ulur në enklavat e tyre. Ai e ka kuptuar se në përgjithësi shqiptarët, e edhe rivalët dhe ata që janë bërë nervozë për kthimin e tij, gjykimi në Hagë është parë si shfajësim për luftën. E parë nga Haga, gjykimi ishte pikërisht aq i kufizuar sa ishin edhe akuzat e Prokurorisë, të cilat janë dobësuar nga mungesa e dëshmitarëve të çiltër dhe kjo ishte lidhur vetëm me një person. Haradinaj e ka kuptuar këtë, por ai gjithashtu e ka kuptuar se identiteti i popullit të tij është kolektiv. Nëse e ofendon një person, atëherë ajo bëhet turp i shumë të tjerëve dhe pas shpëtimit të nderit të tij në Hagë, ai nuk kishte zgjidhje tjetër pos ta ndante nderin gjatë kthimit të tij në shtëpi. Babai i Haradinajt e ka ditur se lufta po vinte dhe që nuk do të kursente djemtë e tij. Ai është një patriark trashëgues i rajonit, një person stoik, një bujk hundësqep, i quajtur Hilmi. 65-vjeçari me flokë të thinjura është i njohur për bujarinë dhe këshillat e tij. Fshati i tij quhet Gllogjan. Është një grumbull shtëpish të ndërtuara nga guri dhe tullat, që është 20 minuta larg rrugës kryesore. Pjesa e Haradinajve është pak më e ndarë nga pronat e tjera të fshatit. Ramushi është rritur në atë vend.

Një punëtor i huaj me
fantazinë e Rambos
Kur ishte 13 vjeç, ai u bë dëshmitar i demonstratave të dhunshme, ku shqiptarët u rrahën nga policia dhe pas të cilave njëri nga kushërinjtë e tij ishte dënuar me 15 vjet burgim. Gjak për fyerje. Në mendjen e tij të adoleshentit, Ramushi i kishte deklaruar luftë shtetit jugosllav. Në atë kohë, për njerëzit që nuk e njihnin historinë e Kosovës, kjo ide do t'u dukej qesharake. Nga dukja ai ishte një punëtor i huaj me fantazinë e Rambos, i cili në palestrat e Zvicrës praktikonte kung fu dhe ushtronte vëzhgimin e maleve të Ballkanit. Vetëm tash pas asaj se çka është bërë, është e qartë se ai nuk po punonte kot. Por në vitet e hershme të 90-ave elitat e Prishtinës ishin përplot me rebelë separatistë, por që përdornin teknikat e rezistencës paqësore. Ata ishin të udhëhequr nga dijetari dhe profesori i letërsisë, Ibrahim Rugova, që vetja i dukej si Mandela i Ballkanit. Pas demonstratave ishte parë që rezistenca paqësore nuk do të kishte pasur kurrë sukses. Vetëm disa fshatarë të ashpër donin që të përdorin armët, por ata ishin të shpërndarë dhe të paorganizuar. Haradinaj ishte ndër ata që ia doli ta rregullonte këtë. Ai ende jetonte në Zvicër, por shumicën e kohës e kalonte në Ballkan. Në vitin 1994 ai dhe një grup i vogël i njerëzve e quanin veten Ushtria Çlirimtare e Kosovës, një emër aq supozues sa që fillimisht elita prishtinase mendonte se është i shpikur nga provokatorët e Serbisë. Në rrafshin e Dukagjinit ushtria fillimisht përbëhej nga djemtë e Hilmiut, nga Ramushi dhe nga disa vëllezër të tij, të cilët lëviznin, hynin dhe dilnin përmes kufijve të Shqipërisë. Sidoqoftë, kah viti 1995, Haradinaj po e ndërtonte një rrjet të luftëtarëve dhe i furnizonte me armë, të cilat i kishte marrë në Shqipëri dhe i kishte futur ilegalisht ato përmes maleve, shpesh duke i bartur në shpinë. Kam dëgjuar se në Kosovë UÇK-ja donte të provokonte Millosheviçin në një reaksion grotesk, në mënyrë që të vinte intervenimi i NATO-s dhe më në fund të fitohej pavarësia, gjë që njëmend ndodhi. Por, Haradinaj me të gjitha kapacitetet e tij, nuk ishte kaq i mprehtë. Me modesti ai shpresonte të ngacmonte serbët, në mënyrë që të rriste radhët e forcave të tij. Në këtë ai ka arritur sukses. Moralisht strategjia ishte e rrezikshme, pasi që mbështetej në vënien e civilëve në rrezik. Fillimisht UÇK-ja kishte përcaktuar objektivat, e që ishin agjentët e uniformuar të shtetit represiv jugosllav. (express)
(VIJON)

Shtëpia e luftës (3)

Vrasja e Luanit dhe tronditja e Ramushit

William LANGEWIESCHE
Në Dukagjin, sulmi i parë ishte bërë nga njëri prej vëllezërve të Haradinajt, Luani. Në vitin 1996 ai kishte rrëshqitur tinëzisht në njërën prej pikave policore, kishte thyer xhamin me gurë dhe kishte gjuajtur dy granata. Katër policë serbë ishin vrarë dhe tre të tjerë ishin plagosur. Derisa tërhiqej, Luani i kishte dëgjuar të qarat e tyre. Policia i ishte përgjigjur atë natë duke bastisur shtëpitë e disa familjeve më rëndësi. Që prej fillimit, shkallëzimi ishte nën udhë. Sulmet e UÇK-së kishin vazhduar në mënyrë sporadike, disa herë ndaj disa policëve që njiheshin si persona abuzivë. Por progresi ishte i ngadalshëm dhe i rrezikshëm për luftëtarët e UÇK-së.

Sulmi i parë nga
Luan Haradinaj
Mbi të gjitha ata kishin mungesë armatimi të duhur. Haradinaj ishte koncentruar në themelimin e vijave për furnizim, ku Luani i kishte ndihmuar shumë. Ata kishin sjellë eksploziv, të cilin e kishin përdorur për shkatërrimin e depove të municionit. Haradinaj vazhdonte të kthehej në Zvicër, ku punonte në ndërtimin e çative. Autoritetet serbe po ashtu luftonin, vrisnin dhe arrestonin ushtarët e UÇK-së. Në vitin 1997 ata ishin koncentruar në kufi, për të frenuar ardhjen e armëve nga Shqipëria. Ata kishin dërguar patrulla ushtarake nëpër vendkalimet e maleve. Praktikisht kjo do të thoshte të ndalonin Haradinajn. Në fillim të muajit maj, ai së bashku me Luanin kishin udhëhequr një grup prej 10 furnizuesish vullnetarë, të cilët duke ardhur nga Shqipëria ecnin nëpër rrugët e maleve që çonin drejt kufirit. Përvoja e hidhur e tyre është bërë legjendë kombëtare. Kolona furnizuese ishte ngarkuar rëndë me armatim, ku përfshiheshin granatat e para të marra nga UÇK-ja. Disa nga burrat nuk ishin të përgatitur fizikisht dhe për këtë ata duhej të pushonin, menjëherë pas kalimit të kufirit. Pushimi ishte i rrezikshëm, pasi që ekzistonte mundësia që ata të binin në sy. Haradinaj kishte menduar se ata duhej të ktheheshin, por e kishte lejuar veten të ndikohej nga Luani.
Me muzgun e ditës tjetër, kolona kishte lëvizur. Shtegu i ishte dërguar përmes një qafe afër vijës kufitare. Duke u shqetësuar për ndonjë pritë të mundshme, Haradinaj kishte insistuar të kalonin përmbi shteg, në një gurishte të malit. Ai ecte pak përpara grupit të tij. Luani kishte marrë udhëheqjen. Duke bartur ngarkesat e mëdha, luftëtarët kalonin kufirin. Kur Luani i kishte njoftuar se gjithçka është në rregull, një patrullë ushtarake kishte hapur zjarr mbi ta. Haradinaj u kishte bërtitur burrave që të shtrihen për tokë dhe duke ecur zig-zag përmes zjarrit, ai kishte shikuar pozicionet e tyre. Luani i cili ishte i pari në front, ishte i pari që kishte mbërritur në kufi. Ai gjithashtu kishte shkrepur armë. Luftëtarët tjerë e kishin ndjekur, përpos njërit i cili ishte plagosur në këmbë. Derisa Haradinaj kishte vrapuar për tek ai, burri kishte marrë plumbin e dytë në këmbë. Haradinaj kishte larguar ngarkesën e rëndë nga shpina.

Dikush kishte ulëritur duke thënë se Luani është qëlluar
Derisa priste natën që të afrohej shpejt, ai qëndronte i shtrirë duke shtënë nga një herë për të ruajtur municionin. Duke parë që Haradinaj ishte bllokuar, Luani kishte lëvizur nga kufiri dhe kishte marrë një pozitë tjetër në një shpat mali. Nga ajo pozitë ai kishte një pamje të pastër të fushës, mirëpo ishte i ekspozuar shumë. Haradinaj kishte tentuar ta kthente vëllain e tij prapa, mirëpo plumbat e tij ishin lëshuar në betejë. Ai ishte rrotulluar për t'u rikthyer në luftim. Serbët kishin një pozitë më të keqe sepse ishin poshtë shpatit. Kjo i kishte detyruar ata të gjuanin në drejtime të ndryshme, pa qenë të mbrojtur si duhet. Me sa duket, Haradinaj kishte vrarë dy persona dhe kishte parë të tjerët të shkonin teposhtë. Derisa ishte qetësuar, dikush kishte ulëritur duke thënë se Luani është qëlluar. Haradinaj ishte kthyer te Luani, i cili ishte shtrirë përmbys në mes të gurëve. Duke menduar se është vetëm i plagosur. "Çohu o burrë. Mos e le vetë familjen, ende nuk e kemi kry", i kishte bërtitur Haradinaj, mirëpo Luani nuk u përgjigj. Ai kishte marrë plumb në gojë dhe ishte i vdekur. Haradinaj kishte tentuar ta bartte atë sikur të ishte gjallë, duke e lidhur për rripin e tij dhe rrobat, por nuk kishte ndonjë mjet të duhur për bartje. Ai kishte lëshuar trupin poshtë, duke e kapur për këmbë e duar, e kishte bartur Luanin nëpër manat e egra. Më vonë, Haradinaj i kishte thënë se ishte 'pakëz i humbur' emocionalisht. Kjo është puna e luftës. Shkëmbimi i zjarrit ishte shtuar, mirëpo ai i kishte injoruar. Ai e kishte lënë Luanin afër kufirit dhe kishte vrapuar pas për të marrë armët. Luftëtarët tjerë ishin demoralizuar. Luani ishte dukur i paprekshëm, por ishte vrarë nga një plumb i vetëm. Nata kishte rënë dhe plumbat ishin rralluar . Haradinaj kishte kërkuar nga të tjerët që të tërhiqnin të plagosurit. Luani kishte një thikë luftarake në trupin e tij. Haradinaj e kishte përdorur atë për të prerë dy degë të lisit, me të cilën ai kishte punuar një bartëse për të plagosurit. Ndërkaq trupin e Luanit e kishte vënë në shpinë së bashku me armët e tij. A do të tregojë historia që ky ishte qëllimi i vetëm i të gjitha stërvitjeve të tij? Luftëtarët e dëshpëruar ishin tërhequr prapa për të shkuar në fshatin më të afërt të Shqipërisë. Katër orë më vonë, ata kishin mbërritur në mes të natës. Fshatarët ishin kujdesur për të plagosurit dhe i kishin ndihmuar Haradinajt ta varroste vëllain e tij. I tronditur shumë, Haradinaj ishte kthyer në Zvicër dhe kishte vazhduar të punonte. Pas ca muajsh, ai ishte kthyer në luftë. Sot, në qendër të Prishtinës është një rrugë e emëruar Luan Haradinaj. Në nëntor të vitit 1997, UÇK-ja kishte ekspozuar veten haptazi, për herë të parë në publik, në funeralin e arsimtarit të vrarë nga forcat serbe. Luftëtarët ishin të armatosur, derisa njëri prej tyre kishte treguar fytyrën e tij. Ishte vëllai 19 vjeçar i Haradianjt, një fëmijë i fortë që quhej Daut. Me këtë ekspozim ai i dha lajmin publikut për kundërshtimin e familjes. Jo shumë larg nga funerali, një familje e mirënjohur, e quajtur Jashari, kishte shpallur kundërshtimin e tyre. Kryefamiljari ishte një njeri me mjekër që quhej Adem Jashari. Ai kishte flokët në stilin e shekullit 19 të malësorëve të Shqipërisë. Sot, shqiptarët e njohin atë si "Komandanti legjendar". Në verë të vitit 1997, nga gjyqi i Prishtinës, ai ishte dënuar në mungesë për sulme terroriste. Bazuar në organizatën Human Rights Watch, ky gjykim kishte dështuar në pajtim me standardet ndërkombëtare. Edhe nëse gjykata do të ishte bindur me standardet ndërkombëtare, në çdo mënyrë ai do të ishte gjykuar. Policia serbe kishte tentuar ta arrestonte atë në janar të vitit 1998, por ishin zmbrapsur nga disa luftëtarë, që më vonë janë përshkuar si "shokët e pyjeve". Më 5 mars të vitit 1998, qeveria e kishte ndjekur sërish atë, mirëpo kësaj here me artileri dhe me qindra ushtarë e policë, të cilët e kishin rrethuar shtëpinë e Jasharajve. Edhe pse e kishte ditur më herët se do të bëhej ky sulm, Adem Jashari kishte vendosur ta mbante familjen e tij në shtëpi për të luftuar. Kjo është e sigurt që e kanë bërë. Gjatë gjuajtjeve ishin vrarë dy serbë dhe 40 shqiptarë, në mesin e tyre 28 gra e fëmijë. Vetëm një vajzë 11 vjeçare kishte mbijetuar. Shtatë shqiptarë të tjerë jashtë familjes, gjithashtu ishin vrarë. Për pavarësinë e Kosovës, Adem Jashari u bë dëshmori i parë. Tani fotografia e tij zbukuron kalendarët që shiten.

Beteja e Gllogjanit
Tjetri në radhë për trajtim ishte Haradinaj. Ai ishte kthyer për të qëndruar në Gllogjan. Ndërkohë, ai po e forconte UÇK-në, e zgjeronte rrjetin, duke ndërtuar baza dhe duke importuar armë e pajisje tjera. Ai lëvizte natën dhe gjatë ditës punonte nga shtëpia përmes radios dhe korrierëve. Gjithandej bëheshin luftime. Serbët e dinin shumë mirë se ku gjendej qendra, por ata e kishin humbur kontrollin dhe nuk mund të lëviznin kundër Haradinajt pa e bërë një operacion të madh. Ndërkaq, operacionet e mëdha marrin kohë për t'u planifikuar, sidomos për forcat të cilat janë të frikësuara. Megjithatë, duke ndjerë se aksioni do të jetë së shpejti, Haradinaj kishte marrë punëtorë për të rrethuar shtëpinë e tij me mure të mëdha. Sidoqoftë, ai e ka ditur se e tëra që do të arrinte nga këto mure, do të ishte ngadalësimi i forcave serbe. Sikurse Jashari, ai besonte në manovrim dhe kishte menduar për shpëtimin e familjes së tij. Në fund të marsit, për herë të parë pas tetë vitesh, në mes të ditës, ai kishte ecur përmes fshatit. Me këtë ai kishte parë ndryshimet që ishin bërë në fshat dhe kishte bërë plane për të gjetur shmangien si dhe kishte parë cilat janë pikat strategjike të mbrojtjes. Aty ai kishte aleatë. Disa nga armët dhe municionin tashmë i kishte aty. Para agimit të 24 marsit të vitit 1998, derisa Haradinaj nuk e dinte, forcat e armatosura serbe, me siguri disa qindra, filluan të lëvizin nëpër fshatra nga veri-perëndimi. Serbët formuan rrathë koncentrikë përmes fshatit Gllogjan, ku distanca me e vogël ishte rreth 2 milje. Tash së voni Dauti më pat thënë se atyre u ishte prishur plani, pasi që veturat e blinduara u ishin prishur. Megjithatë, mëngjesi erdhi i qetë në Gllogjan, pa pasur shenja të agresorëve. (express)
(VIJON)

Shtëpia e luftës (4)

Me djathë e ndali gjakderdhjen

William LANGEËIESCHE

Haradinaj dhe familja e tij e gjerë ishin në shtëpi; ishin babai, nëna, motra, vëllezërit, kunata me fëmijë dhe disa luftëtarë të tij të afërt. Ata kishin pushkë automatike, granata dhe një mitraloz 7.9 mm, i cili gjendej në katin e dytë. Punëtorët vazhduan të punonin në mure. Dauti kishte ecur përmes livadheve dhe kishte hyrë në fshat për të dorëzuar një porosi. Pak orë më vonë sulmi kishte filluar. Dauti ishte duke u kthyer përmes livadhit, kur një veturë e policisë i kishte shkuar nga pas. Dauti kishte filluar të vrapojë. Dy policë kishin kërcyer nga vetura dhe kishin filluar të hapin zjarr. Dauti ishte kthyer duke u kërrusur dhe kishte shtënë me një pistoletë që i kishte dhënë Haradinaj. Thuhet se ai e kishte vrarë një polic, famëkeqin e quajtur Otovic, dhe e kishte plagosur një tjetër.

Porositë e Dautit
Dauti është një shok i qetë, mirëpo është i rrezikshëm për ta provokuar. Haradinaj kishte dëgjuar dhe kishte vrapuar jashtë me kallashnikov. Ai kishte menduar se Dauti ishte i qëlluar, pasi që e kishin parë të shtrirë për tokë. Forcat tjera serbe kishin vazhduar të shfaqeshin me veturat e tyre të tipit Niva, Pinzaguer dhe vetura të tjera të blinduara. Haradinaj kishte gjuajtur në drejtim të tyre së bashku me një shok dhe dy vëllezërit e tij. Kjo me siguri që nuk kishte ndonjë efekt, por të paktën i kishte dhënë Dautit kohë të kthehej në shtëpi. Marr me mend se serbët kishin vazhduar të përparojnë, edhe pse ekzekutimi i tyre ishte hezitues dhe konfuz. Haradinaj kishte shkuar në katin e dytë, kishte marrë mitralozin dhe kishte shkrepur më shumë se një mijë plumba. Beteja kishte pushuar. Serbët kishin mbetur aty, por nuk gjuanin aq shumë. Dikur Haradinaj kishte dalë në rrugë dhe e kishte gjetur babanë e tij, Hilmiun, i cili po tërhiqte zvarrë një thes prej një mijë plumbash të cilat i kishte grumbulluar më parë. Dikur për këtë djemtë e tij e kishin ngacmuar. "Nuk e di se si do të bëhet, shpresoj për të mirë, por për çdo rast ndoshta kanë me iu nevojit", u kishte thënë Hilmiu djemve të tij.
Haradinaj kishte vendosur që të shfrytëzojë qetësinë për të nxjerrë familjen e tij jashtë. Dauti do të mbetej me të në shtëpi për të ndihmuar evakuimin. Vëllezërit e tjerë dhe shokët do të përcillnin gratë dhe fëmijët në një vend më të sigurt në fshat. Puna e Hilmiut të vjetër ishte që të shtrihet në kanal dhe të gjuajë herë pas here me armë për t'i hutuar serbët. Kjo është në të vërtetë se çka duket të ketë ndodhur nën perden e plumbave, gjatë së cilës kohë, Haradinaj dhe Dauti ndërronin vendet për të dhënë përshtypjen se janë më shumë. Më në fund, një njësit special i forcave të Serbisë kishte arritur në oborr. Dauti ia kishte dhënë një granatë Haradinajt, të cilën ai më pas e kishte hedhur mbi mur. Kjo granatë kishte qorruar qenin e shtëpisë. Helikopterët kishin filluar të fluturojnë sipër, mirëpo nuk sulmonin. Haradinaj dhe Dauti kishin lënë pushkët e tyre dhe kishin marrë raketahedhësit.

Lufta në shtëpinë e Haradinajt
Sipas Haradinajt, ata kishin gjuajtur dy herë në një shtëpi ku serbët ishin vendosur. Derisa serbët ishin në huti, Haradinaj dhe Dauti kishin ikur përmes livadheve dhe kishin hyrë në fshat pa u lënduar. Ata kishin hyrë në një shtëpi guri të vetmuar, në të cilën ishte babai i tyre, vëllezërit dhe luftëtarët e tjerë, së bashku me motrën, e cila kishte vendosur të mos ikë me gra, por të luftojë. Ishte pasdite. Për disa orë, ata kishin luftuar nga ajo shtëpi, të shpërndarë nëpër dysheme dhe duke gjuajtur nga dritaret. Kështu ata i largonin serbët. Haradinaj kishte ndarë luftëtarët e tij, duke dërguar Dautin dhe disa luftëtarë të tjerë në kullën më të afërt, ndërkaq të tjerët i kishte dërguar në tri shtëpi të fqinjëve. Ata kishin me vete radio komunikimi. Ishte një qetësi derisa serbët bëheshin gati për një ofensivë të re. Luftëtarët e UÇK-së pushonin. Kur serbët filluan sërish, Haradinaj i kishte gjuajtur me granata dhe me plumba të pushkës. Serbët kishin marrë peng disa fshatarë dhe duke i përdorur ata si mburoja të gjalla, i detyronin të ecnin rrugëve me duar mbi kokë. Nga kulla, Dauti i jepte instruksionet përmes radios. Haradinaj i kishte thënë atij që të mos gjuante vetëm nëse serbët do të shtynin pengjet përmes derës së kullës, me ç'rast, nëse ai nuk do të mund të tërhiqej, ai do të duhej të gjuante edhe përmes fqinjëve të tij. Më vonë ai më shpjegoi se luftëtari nuk bën të vdesë pa gjuajtur nga arma e tij, qoftë për punë nderi ose për nevojë në disa rasteve të pakapërcyeshme. Në secilën mënyrë qëndrimi është i lidhur me atë lloj luftimi, i cili si pasojë bëri që Tribunali i Hagës të ngre padi. Akuzat reflektuan një ndarje globale. Duke i krahasuar me vrasjet antiseptike të bëra nga ushtritë më të mira dhe moderne, shpesh nga mitralozat apo nga largësia- vrasjet janë më të tmerrshme kur kryhen nga fshatarët, sikur ata të UÇK-së. Për fat, në atë pasdite pengjet nuk u shtynë në derën e kullës. Helikopterët kishin gjuajtur me dy xhiro eksplozivash. Në fshat kishte tym dhe tollovi. Ishte vështirë të dihej se çka ishte duke ndodhur. Policia serbe hyri në katin e parë të shtëpisë, pa e ditur se i ati dhe motra e Haradinajt po luftonin nga kati i dytë. Ai nuk e dinte se serbët ishin aty. Ai pa një hije në dritare dhe mendoi se ishte babai i tij, i cili po zbulonte veten i pambrojtur. Ai ia bëri me dorë asaj hije dhe i bërtiti që të strehohej. Por ajo hije ishte një serb. Ai shtini në Haradinajn me një plumb, i cili ia copëtoi krahun e djathtë. Haradinaj bërtiti, "Mos gjuaj, jam unë!". Serbi shtini prapë. Plumbi i dytë e goditi Haradinajn në stomak dhe copëtoi këmbën e tij të djathtë, duke e lënë një shenjë të cilën e mban edhe sot. Haradinaj më në fund e kuptoi. Ai ra në dysheme, e kapi një gjuajtës të granatës, e ngriti veten në mënyrë që të jetë para dritares dhe gjuajti nga afër, duke e goditur serbin, i cili kishte shtënë në të, dhe duke shkaktuar kërdi në dhomën përballë. Të mbijetuarit serbë donin të zmbrapseshin, por nuk guxonin. Ata thirrën përforcime, të cilët kurrë nuk erdhën. Secilën herë që e ngrinin zërin, UÇK-ja ua kthente me granata. Ata sulmuan serbët e tjerë me zjarr të rëndë dhe serbët ua kthenin gjithashtu mjaft rëndë. Kjo ishte natyra e luftës gjatë tërë ditës së mbetur. Haradinaj vuri djathë nëpër plagët e tij që të ndalë gjakderdhjen dhe vazhdoi të luftonte me dorën e shëndoshë. Thuhet se motra e tij kishte vrarë një burrë. Në një pjesë tjetër të katundit, tre ushtarë, të cilët nuk kishin pasur komunikim, ikën kah mbrëmja, por u vranë nga forcat përreth. Dy të ikurit vdiqën në vend dhe i treti, një kushëri i Haradinajt, e zvarriti veten nëpër rrugë gjersa humbi aq gjak sa vdiq. Pavarësisht nga egërsia e luftimit, ata ishin të vetmit kosovarë të cilët vdiqën. Thuhet se serbët kishin humbur më shumë njerëz, edhe pse me siguri jo 40, ashtu si thotë Haradinaj. Duke pasur parasysh që në Ballkan ndjenjat luajnë rol, numrat e vërtetë nuk mund të dihen. Por nuk ka dyshim për atë se kush e fitoi betejën në Gllogjan atë ditë. Serbët u shpartalluan aq shumë sa që, kur ra nata, me fshatin në flakë dhe me armatimin e UÇK-së, i cili po zvogëlohej, Haradinaj ishte në gjendje të evakuonte familjen dhe luftëtarët e tij në një pyll, dhe lëvizën nëpër vrimat e gjera të vijave serbe. Serbët u tërhoqën tërësisht dhe Gllogjani u bë një bazë e rëndësishme e UÇK-së, dy herë e pushtuar, por kurrë e nënshtruar. Haradinaj ishte evakuuar përtej kufirit, në mënyrë që t'i shërojë plagët, por ai u kthye së shpejti dhe atë si simbol i rezistencës shqiptare. Ramuush! Jashari ishte Komandanti Legjendar, por ai vdiq që në fillim. Haradinaj ishte Rambo, një i mbijetuar dhe së shpejti një gjeneral i UÇK-së, i cili po ua sillte serbëve ferrin nga kulla në kullë, përgjatë Rrafshit të Dukagjinit.

Një tjetër lloj drejtësie
Haga qëndron për ekstremin tjetër. Është një vend i dobësuar, vendi më ligjor në tokë, Lugina e Silikonit e korrigjuesve socialë. E quajnë qyteti ndërkombëtar i paqes dhe drejtësisë. Është vendi i agjencive si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Krimit, dhe Tribunalit të OKB-së për ish-Jugosllavinë, ICTY. ICTY-ja u themelua në vitin 1993 nga një votim në New York para se të ndizej lufta në Kosovë. Dhe tani ka më shumë se 1,100 punonjës dhe një buxhet vjetor të madh. Gjendet në ndërtesën ku përpara ka qenë selia e një kompanie të sigurimit, afro 15 minuta ecje nga qendra e qytetit e cila është ultra e sigurt, pak pas Pallatit të Paqes dhe menjëherë pas një hoteli të qetë. (express)

(VIJON)