| |
Së pari kontributet, e më pas rroga
Zejnulla VESELI
Shkup, 4 janar - Nëse punëdhënësi deri më 15 shkurt punëtorëve nuk u paguan rrogën bruto të janarit, atëherë do të dënohet me gjobë prej 8000 euro.
Kështu informojnë në Ministrinë e Financave, ku tregojnë se pas kësaj date, nëse punëtori deri të institucionet përkatëse nuk e lajmëron punëdhënësit se nuk i ka paguar kontributet për sigurim pensional dhe shëndetësor, edhe ai do të ndëshkohet me gjobë prej 500 deri në 1000 euro. Këto dispozita ligjore parashihen në sistemin e ri për pagesë të bruto pagës, e cili filloi të zbatohet nga janari i këtij viti.
Në Ministrinë e Financave theksojnë se me sistemin e ri, i cili tanimë është në fuqi, nuk do t'u lejojë punëdhënësve që t'u paguajnë rrogat punëtorëve pa u paguar edhe kontributet për sigurim pensional, invalidor dhe shëndetësor.
"Sistemi i ri nuk do ti lejojë punëdhënësit të japin pagat pa u paguar kontributet si dhe nuk do të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre ata kompani që vite me radhë punojnë me xhirollogari të bllokuar", tha Nikica Mojsovka, asistente në sektorin për politike makroekonomike pranë kësaj ministrie.
Sipas Mojsovskës, masat ndëshkuese për shkelje të ligjit janë të ndryshme dhe nëse punëdhënësi deri më datë 15 të muajit nuk arrin t'ia paguajë rrogën punëtorit, do të paguaj gjobë prej 8000 euro. Po ashtu, Ligji parasheh dhe masën tjetër ndëshkuese siç është bllokim të xhirollogarive të gjithë atyre kompanive që nuk do të respektojnë rregullat e reja ligjore. "Parashihet po ashtu dhe gjobë prej 2000 deri në 3000 euro për punëdhënësin nëse punëtorit i paguan rrogë, por jo e dhe kontributet", shton Mojsovska. Mirëpo, edhe pse koncepti e ri ka për qëllim të mbrojë punëtorët nga abuzimet që u behën nga punëdhënësit me mospagimin e kontributeve, ky ligj parasheh sanksionim edhe të punëtorëve nëse nuk paraqesin punëdhënësin në Drejtorinë e të Hyrave Publike se punëdhënësi u ka paguar vetëm rrogë dhe jo edhe kontributet.
"Denoncimi i punëdhënësit bëhet anonim. Nëse punëtori nuk e lajmëron institucionin përkatës se punëdhënësi nuk i ka paguar kontributet, atëherë ai do të ndëshkohet me gjobë prej 500 deri më 1000 euro", thonë në Ministrinë e Financave.
Ndërkohë, për realizmin e konceptit të rrogës bruto, Ligji i ri parasheh që punëdhënësi të detyrohet të nënshkruajë kontratë të re për rrogën me punëtorin, ku saktë do të duhet të shkruhet vlera e rrogës bruto dhe e njëjta do të duhet të dërgohet deri të Enti për të Hyra Publike. Në bazë të kësaj kontrate, Enti do të ushtrojë kontroll mbi çdo kompani apo punëdhënës se deri më datë 15 të muajit a kanë shlyer rrogat bruto.