| |
1100 vetura presin doganimin
Shkup, 9 mars - Ulja e akcizës dhe doganës do të kontribuojë në rritjen e importimit e veturave të reja dhe të vjetra në Maqedoni, konsideron drejtori i Drejtorisë doganore, Vanço Kargov. "Sipas njohurive tona, në këtë moment përmes depove të ndryshme doganore në Maqedoni, për doganim presin rreth 1.100 vetura të shfrytëzuara. Vitin e kaluar gjatë tërë vitit janë doganuar rreth 2.900 vetura të shfrytëzuara, ndërsa në vitin 2008 rreth 2.000. Numri më i madh i veturave të doganuara ka arritur në vitin 2007 që ka arritur rreth 4.000", deklaroi Kargov, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas ceremonisë për hapjen e projektit të ri MATRA për bashkëpunim teknik mes doganës maqedonase dhe asaj holandeze. Ai theksoi se vitin e kaluar kanë qenë të doganuara rreth 12.000 vetura të reja, ndërsa mesatarisht, siç theksoi ai, në Maqedoni doganohen rreth 16.000 vetura të reja në vit. "Me uljen e akcizës dhe doganës prej 2 në 1 për qind do të rritet importimi edhe i veturave të vjetra edhe i veturave të reja në Maqedoni, sepse do të zvogëlohen harxhimet edhe për veturat e reja edhe për veturat e shfrytëzuara", tha Kargov. (Z.V.)