| |
Trajanovit i pengon "28 Nëntori"
Hajrie AZEMI
Shkup, 4 janar - Asnjë zgjidhje për shkollën "25 Maji" të Hasanbegut. Përkundër kërkesave të shumta të drejtorisë së shkollës dhe këshilltarëve shqiptarë të Komunës së Gazi Babës, shkolla nuk mund që zyrtarisht të riemërohet. Për këtë akuzohet kryetari i Gazi Babës, Koce Trajanov, i cili edhe pse dy vite ka pranuar kërkesën për emërim të shkollës në "28 Nëntori", ai nuk pranon që e njëjta kërkesë të futet në rend dite në ndonjërën nga mbledhjet e Këshillit. Kryetari i Këshillit të prindërve të kësaj shkolle, Hajdar Sejdiu, thotë se njëjtë sikurse me Idrizovën, Trajanovi frikohet se nëse do të pranonte emrin e ri të shkollës, atëherë do të humbte votat e maqedonasve të Hasanbegut. Megjithatë, është interesant fakti se në këtë shkollë, nuk mëson asnjë nxënës maqedonas, por vetëm shqiptarë.
"Gati dy vite presim shkresë zyrtare nga Komuna. Na kërkuan të gjejmë një emër tjetër, sepse u pengon '28 Nëntori'. Komuna nuk mund të vendos për emrin e shkollës. Ne e kemi bërë zgjedhjen dhe kërkojmë që e njëjta me urgjencë të miratohet", shprehet Sejdiu, duke shtuar se riemërimi në "28 Nëntori" është përkrahur nga të gjitha Këshillat, drejtoria dhe popullata e kësaj zone.
Ai informon se leja për riemërimin e shkollës është siguruar edhe nga Ministria e Arsimit, ndërkohë që e tërë procedura zvarritet në kabinetin e Trajanovit. Drejtori i shkollës, Hajrulla Emini tregon se të gjitha afatet kohore janë tejkaluar, ndërsa të kota kanë qenë takimet me Trajanovin.
"Dy vite nuk kemi përgjigje kthyese. Në mbledhjen që do ta kemi së shpejti do të marrim vendin nëse të fillohet me grevë në shkollë, ose protestë para objektit të Komunës së Gazi Babës. Palës maqedonase i pengon riemërimi në '28 nëntori', pasi është me domethënie shqipe", akuzon drejtori Emini.
Kryetari i Këshillit të prindërve paralajmëron se pas festave të janarit, bashkërisht me drejtorinë, Këshillin e shkollës, Bashkësinë lokale, si dhe me popullatën e kësaj ane do të marrin masa më radikale për zgjidhjen e problemit.