| |
Avokatët kërkojnë lirimin e Bajrushit
Shkup, 9 mars - Në ambientet e Gjykatës së Apelit, të martën ka vazhduar procesi gjyqësor kundër Bajrush Sejdiut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në seancën e radhës, fjalimet e tyre përfundimtare i kanë lexuar pesë avokatët mbrojtës të të ashtuquajturit bosi kumanovar i duhanit. Ato, nëpërmjet fjalimeve përfundimtare edhe njëherë kanë bërë përpjekje për t'i demantuar akuzat e prokurorisë, me anë të të cilave Bajrush Sejdiu dhe bashkëpunëtorët e tij ngarkohen për tregti të palejuar me duhan, por edhe për lidhje kriminale. Duke i prezantuar dëshmitë dhe provat e tyre, avokatët mbrojtës të kumanovarit edhe njëherë kërkuan që të tërhiqen akuzat kundër klientit të tyre dhe ai të lirohet. "Të pesë avokatët vërtetuam qartë se nuk ekziston asnjë dëshmi kundër Bajrushit dhe se të gjitha akuzat janë improvizim. Jemi të bindur se nëse dikush do të dënohet në këtë rast, dënimi do të shqiptohet vetëm për shkak të presioneve ndaj trupit gjykues. Prandaj, në rrethana të tilla dhe në mungesë të provave, por edhe të veprës penale, ne shpresojmë se për Bajrushin do të shqiptohet aktvendim me anë të të cilat ai do të lirohet nga akuzat", thotë Millorad Martinovski, njeri nga avokatët e kumanovarit. Duke prezantuar disa nga faktet në favor të Bajrush Sejdiut, Martinovski ka sqaruar se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me lidhje kriminale, pasi janë të pabaza akuza sipas të cilave kumanovari i ka emëruar bashkëpunëtorët e tij në vendet e punës. Ndërkaq, gjatë ditëve në vijim në ambientet e Gjykatës së Apelit fjalimet e tyre përfundimtare është paraparë t'i japin avokatët mbrojtës të bashkëpunëtorëve të Sejdiut. Fjaliet e tyre pritet të mbarojnë deri më 15 mars, ndërsa pas kësaj pritet të caktohet seanca e fundit, gjatë të cilës do të shqiptohet aktvendimi i trupit gjykues. I ashtuquajturi bosi kumanovar i duhanit përfundoi në pranga në muajin tetor të vitit 2008. Nëpërmjet aksionit policor "Hiri" policia e vuri në pranga atë dhe rreth tridhjetë bashkëpunëtor të tij, të cilët u akuzuan për kontrabandë me cigare, ndërsa më vonë edhe për lidhje kriminale. (I.I.)