Evis HALILI
Identiteti i humanistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu vjen më i plotë përmes dorëshkrimeve dhe dokumenteve ekskluzive që ruhen në arkivat familjare të Bojaxhinjve e familjeve të tjera katolike nga Shkupi. Bëhet fjalë për dokumente nga Shkolla Shqiptare Katolike në Shkup të gjetura kohëve të fundit, fotografi, dorëshkrime e korrespondenca, të cilat hedhin dritë mbi periudhën e rinisë së hershme të Gonxhe Bojaxhiut. Mozaiku i plotë i rinisë së saj vjen në monografinë që është punuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, si një prej projekteve të tij të para, publikimi i të cilit i zvarritur prej kohësh dhe as që dihet se kur do të promovohet. Pinjollja e familjes Bojaxhi, Alma Bejtullahu, punonjëse në sektorin për etnologji, arkitekturë popullore dhe histori arti, rrëfen për "KOHA" konceptin mbi të cilin është ndërtuar monografia, si një projekt interdisicplinar, bazuar jo vetëm në fakte të reja, por edhe në hulumtime disa vjeçare nga biografi i Nënës Terezë dr.Dom Lush Gjergji. Kur flasim për të dhëna të panjohura për jetën e Gonxhe Bojaxhiut, duhet pasur parasysh se jeta e saj, sidomos në moshën madhore, është hulumtuar dhe dokumentuar në masë mjaft të madhe, thotë Bejtullahu. Megjithatë vjen të përmendet interpretimi i disa fakteve të njohura në kombinim me disa dokumente, të cilat janë gjetur kohëve të fundit. Njëri nga faktet më të rëndësishme është ekzistimi i Shkollës Shqiptare Katolike në Shkup, e cila i ka mbledhur dhe shkolluar të gjithë shqiptarët e mitur, pos Gonxhes edhe Lorenc Antoni (1909-1991), personi kyç në kulturën shqiptare të gjysmës së dytë dhe shekullit të kaluar, dhe të rinj tjerë që u bënë botues, infermiere, nëpunës, mësues e zejtarë të dalluar. Bejtullahu thekson rëndësinë e madhe të ruajtjes së dokumenteve me shkrim dhe fotografive. Ndërsa veprimi i shkollës është arritur të dëshmohen me anë të fotografive, të cilat janë bërë falë syçelësisë së mësuesit në shkollë Engjëll Ndoci dhe priftit Gaspër Zadrima, e të cilat janë ruajtur në arkiva të ndryshme familjare. Në monografi, Bejtullahu sjell të plotë trungun familjar të Gonxhe Bojaxhiut, në bazë të dëshmive dhe kujtesës së familjarëve dhe bashkëkohanikëve të saj. Mes dëshmive vlen të përmendet edhe letërkëmbimi me kushërirën më të ngushtë, Katarina Pina Marku (1914-2006) që vazhdoi deri në ditët e fundit të jetës së Nënës Terezë.
Fati tragjik i
familjes Bojaxhiu
Në gjysmën e parë shekullit të kaluar, familjet shqiptare katolike jetonin në qendër të Shkupit, përgjatë rrugës që sot fillon përafërsisht nga sheshi para qendrës tregtare dhe vazhdon pranë Shtëpisë së Armatës dhe deri te stacioni i vjetër hekurudhor. Një pjesë e kësaj lagjeje në gjuhët sllave quhej asokohe Lagja e Vllahëve, por e vërteta ishte se ishte e banuar kryesisht me shtëpi katolike shqiptare. Një pjesë e këtyre objekteve janë dëmtuar gjatë bombardimeve në Luftën e Dytë Botërore, e më pas gjatë tërmetit të 1964, mes tyre edhe arkivat kishtare me dokumentet amzë. Pas kësaj u bë riurbanizimi i këtyre lagjeve, ndërsa si pasojë pati rrënimin e shtëpive dhe ndërtimin e ndërtesave shumëkatëshe ashtu si i njohim sot. Edhe Kisha Katolike u zhvendos në vendin që e dimë sot. Familjet shqiptare u shpërngulën andej-këndej, nëpër lagjet me ndërtime të reja në një radius më të gjerë. Familja e ngushtë Bojaxhiu, përkundër bujarisë dhe peshës që kishte pasur në Shkupin e paraluftës, ka përjetuar momente të hidhura dhe tragjike. Babai i Gonxhes, Kolë Bojaxhiu, vdiq më 1918, në moshën më të mirë, duke lënë fëmijët e mitur. Edhe pse zyrtarisht rrethanat e vdekjes së tij janë të mjegullta, sipas dëshmisë gojore së Katarinës, vdekja e tij mund të ketë qenë pasojë e helmimit. Thuhet se Kolë Bojaxhiu ishte angazhuar për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe për këtë qëllim ishte angazhuar edhe në politikë. Vdekja e tij erdhi ca ditë pas një vizite zyrtare që e bëri në Beograd. E vërteta rreth vdekjes dhe arsyes së vdekjes së Nikollë Bojaxhiut deri sot nuk është ndriçuar në tërësi. Edhe Bejtullahu thotë se janë ballafaquar me mungesën e fakteve shkencore, madje edhe varri i tij nuk është ruajtur deri sot.
Shtrembërimi i identitetit shqiptar, tendencë e pacipë
"Përkatësia kombëtare shqiptare e Nënës Terezë është fakt i pamohueshëm, të cilin e dinë të gjithë, nga qarqet e Vatikanit e deri te banorët më të varfër të Indisë", thotë Bejtullahu, duke shtuar se sot ka autorë maqedonas, të cilët e mjegullojnë këtë fakt të pakontentestueshëm, të verbuar nga ideologjia nacionaliste. Kështu te disa pjesëtarë të popujve joshqiptarë me tendenca më të skajshme, krijohet bindja mbi vetitë kolektive, me anë të cilës shqiptarëve iu vishet homogjenizmi fetar mysliman, organizimi klanor patriarkal agresiv, ku gratë nuk kanë ndonjë vlerë e të tjera.
"E Nëna Terezë është person e cili i fuqizon të gjitha vetitë e kundërta nga stereotipat që i përmenda. Ishte grua e pavarur, e cila e mori guximin të shkojë vetëm nëpër botë, sfidoi edhe disa bindje zyrtare të Kishës Katolike dhe e krijoi shoqatën rregulltarë vetanake, i cili u shndërrua në lëvizje botërore paqedashëse. Vepra e saj i kaloi suazat kombëtare dhe mori peshë ndërkombëtare, e ishte edhe shqiptare edhe katolike", thotë Bejtullahu. Duke i u ndalur te stereotipat mbi shqiptarët, Bejtullahu thotë se ato janë imponuar me aq forcë, saqë i kanë bërë edhe mjaft shqiptarë që t'u besojnë dhe të fillojnë ta shikojnë veten me sy të nacionalizmit të huaj.
"Çdokënd që del jashtë këtyre stereotipave e përjetojnë si diçka të huaj dhe joshqiptare. Si pasojë, edhe Nënën Terezë e përjetojnë me mosbesim! Kjo është turp i vërtetë. Mendoj se këtu duhet që ne si shqiptarë të vetëdijesohemi edhe më shumë, të mësohemi ta lartësojmë kulturën dhe qytetërimin tonë, ta lartësojmë edhe personalitetin e Nënës Terezë, e jo ta shohim veten me pasqyra të shtrembëruara".
Bejtullahu në këtë rast thotë se vetëdijesimi duhet të fillojë nga institutet shkencore dhe kulturore, siç është IPB-ja që edhe pse filloi me plane të shumta, realizimi i tyre u ngadalësua jashtë kufijve normalë. Për pasojë, është frenuar edhe misioni i Institutit, lartësimi i kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, të cilat në Maqedoni janë vazhdimisht të cenuara dhe kërkojnë kultivim të vazhdueshëm. "Veprimi i koordinuar i intelektualëve shqiptarë kërkon vizion dhe pjekuri të madhe. Të gjithë kemi detyrë dhe obligim të jemi largpamës sa i përket ndërtimit të shkencës dhe kulturës dhe, të marrim shembull edhe nga vendosmëria e Nënës sonë të madhe", thotë Bejtullahu.
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |