| |
Një tortë për pavarësinë e SHBA-ve
Dibër, 5 korrik - Në organizim të Shoqatës joqeveritare "1 dollar për Dibrën", të dielën në mbrëmje në Dibër është festuar Dita e pavarësisë së SHBA-ve. Në sheshin "Skënderbe" një torte e madhe e gjatë 234 centimetra, në të cilën ishte vendosur me ëmbëlsira flamurin Amerikan, u është ndarë të pranishëmve me dëshirë dhe respekt për të gjithë të mirat që amerikanët kanë bërë dhe bëjnë për shqiptarët në rajon.
Kryetari i shoqatës "1 dollar për Dibrën" Dritan Lleshi tha se dibranët janë krenarë dhe kanë respekt për angazhimin e SHBA-ve në përkrahjen të shqiptarëve në rajon. "Dibra është e lidhur ngushtë me SHBA-të meqë një Dibër tjetër sot jeton në Nju-Jork. Atje kemi afro 15 mijë dibranë", tha Lleshi. Sipas tij, festën të pavarësisë së Amerikës me respekt e shënojnë të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh se ku gjenden. "E duam Amerikën se edhe ajo na donë ne", tha Lleshi dhe theksoi se Dibra dhe dibranët kanë dëshirë që vitin e ardhshëm me 4 korrik, të hapet një Zyrë Amerikane në Dibër.
Ndërkaq, Qendra e Dibrës ishte stolisur me flamuj shqiptar dhe amerikan, kurse manifestimin është ndjekur edhe nga shumë mërgimtarët dibran që jetojnë në SHBA, dhe të cilët kanë ardhur për t'i kaluar pushimet në vendlindje.