Financial markets

PDF  PDF KOHA

Aktuale

 | Komente- | 
Fshati ku lindi Xhemë Hasa

Driton ZENKU
Në rrëzë të malit Ahishtë, në afërsi të vendit i quajtur Pallma, ku gufon një burim me ujë të bollshëm dhe të kthjelltë, shtrihet fshati Simnicë, në një largësi prej pesëmbëdhjetë kilometra në jug-perëndim të Gostivarit. Këtu, në këtë fshat në vitin 1908 lindi Xhemë Hasa. Që nga lufta e dytë botërore e deri në vitet e tetëdhjeta fshati Siminicë ka qenë qendra ku kanë gravituar fshatrat e tjera të malësisë. Fshati Simnicë numëron 700 banorë dhe afër 110 shtëpi. Ky fshat ndahet në tre mëhalla kryesore dhe atë mëhalla e poshtme, mëhalla e mesme (mjedisit) si dhe mëhalla e epërme (mëhalla e kodrës). Në qendër të fshatit janë të vendosura zyra e vendit si dhe ambulanca . Rrjeti i telefonave, ujësjellësi dhe rryma, janë të qasshëm për çdo shtëpi. Në mes të fshatit kalon përroi i bukur, që vjen nga fshati Cerovë. Ashtu si të gjitha vendet rurale edhe fshati Simnicë ballafaqohet me problemet dhe telashet e veta. Papunësia dhe ca dukuri të tjera, vështirësojnë jetën e tyre në fshat. Kohëve të fundit, ata janë të shqetësuar me një fenomen që është shndërruar në dukuri. Disa individë të pandërgjegjshëm dëmtojnë dhe zbehin bukurinë e maleve duke prerë drutë për interesat e tyre profitabile.

Shkolla e fshatit,
një nga shkollat e para të
anës së Pollogut
Shkolla e parë e ndërtuar në atë pjesë të malësisë, është shkolla e fshatit Simnicë. Në anën e kundërt të shkollës ekzistuese, ndodhen gërmadhat e objektit të vjetër, gjë që tregon për lashtësinë dhe traditën e shkollës në fshat. Shkolla në të kaluarën ka qenë si qendër e pavarur arsimore, ndërsa tani funksionon si shkollë periferike e SHFQ "Ismail Qemali" të qytetit. Shkolla numëron gjithsejtë 110 nxënës, nga klasa e parë deri në të tetën, me një kuadër të mjaftueshëm mësimdhënësish nga fshati dhe qyteti. Nga kjo shkollë kanë dalë shumë intelektualë dhe piktorët e mirënjohur Meli Zenku, Bashkim Mexhiti dhe Luan Zenku.
Me iniciativë të fshatarëve, gjatë këtij viti, krahas xhamisë së vjetër në fshatin Simnicë u përurua edhe xhamia e re në qendër të fshatit. "Për shkak të lashtësisë së saj, xhamia e vjetër u bë e pashfrytëzueshme, kështu që u detyruam të ndërmarrim aktivitete për ndërtimin e një kompleksi në kuadër të të cilit u ndërtua edhe xhami e re dhe përmendorja e patriot të shquar nga fshati Simnicë, Xhemë Hasës", thotë Gjilsim Beluri, njëri nga të rinjtë e këtij fshati.
"Xhamia e vjetër daton që nga gjysma e parë e shekullit të kaluar. Nga kalimi i kohës është armotizuar, struktura e saj ka deformime dhe nuk mund të shfrytëzohet më, por banorët e këtij fshati kanë vendosur të bëjmë objekt të ri, por të vjetrin mos ta prishim, xhamia e vjetër për fshatin Simnicë paraqet monument historik, shprehet Jetmir Xhemo, banorë i Simnicës.

Fshat i preferuar për vizitorët
Fshati Simnicë me bukuritë e veta tërheqëse, për shumë vizitorë nga vende të ndryshme, është bërë vendi i preferuar për piknik. Me dhjetëra familje, ditëve të vikendit vizitojnë fshatin. Janë ujëvarat e bukura natyrore që tërheqin vizitorin të ngjitet maleve të larta.
Vendet e rrafshta në mes maleve janë karakteristikë e fshatit. Atje për çdo vikend ngjiten dhjetëra familje për të gjetur prehje duke i ikur monotonisë dhe zhurmës së qytetit.
Kultin pagan në gur e hasim edhe në fshatin Simnicë. te vendi i quajtur "Guri i Grave", që konsiderohet si mit i fshatit, është joshës për syrin e vizitorit. Në të kaluarën, por dhe tani këtë vend e vizitojnë njerëz nga troje të ndryshme. Nga vizita që i bëhet këtij guri, shpresohej se ai do t'ju sjellë fat dhe zgjidhje nga problemi që i preukupon. Zakonisht këtë gur e vizitojnë nuset e reja që nuk mund të lindin dhe njerëz që kanë sëmundje të ndryshme trupore dhe psikike. Në atë pjesë të fshatit krahas ujëvarave të shumta, buron dhe kroi, uji i ftohtë i të cilit shuan etjen e vizitorit. Në shërbim të, tash e disa vite, është restoranti "Lulja e Malësisë" mbi një kodër në periferi të fshatit. Ambienti dhe ushqimet tradicionale që gatuhen aty, janë joshëse për shumë vizitorë. Janë ushqimet tona tradicionale të përgatitura me hije dhe shije, që tërheqin vizitorët edhe nga trojet e tjera të vendit.
Të moshuarit kujtojnë trenin që kalonte nëpër fshat. Në vitin 1916 hekurudha ka kaluar nëpër Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Treni i parë në anët e Pollogut ka kaluar edhe nëpërmjetë fshatit Simnicë. Më të moshuarit e kujtojnë me mallëngjim, disa vetëm kanë dëgjuar për të, ndërsa shumë të rinj as që e dinë se dikur në këto treva ka qarkulluar një tren i vogël, i cili sot me siguri do të ishte një atraksion i vërtetë turistik

Kushte për mbarështimin e blegtorisë
Kushtet natyrore dhe klimatike të fshatit janë të favorshme për mbarështimin e blegtorisë. Një pjesë bukur e mirë e fshatit rrethohet nga fushat dhe kodrinat malore. Uji thuajse është prezent në çdo pjesë të fshatit, i cili ndodhet në një lartësi mbidetare prej 800 metrash.
Tani që kushtet janë më të favorshme për kultivimin e blegtorisë, njerëzit nuk janë të interesuar ta bëjnë një gjë të tillë. Profiti i dobët dhe plasmani i prodhimeve nuk inkurajojnë ata të merren me këtë punë, thotë xhaxha Jusufi, i cili kujton kohën kur fushat e fshatit gjallëroheshin nga tufat e dhenve dhe zëri i kavallit të barinjve.
"Ka familje të fshatit që akoma mbarështojnë kafshë. Vetëm xhaxha Atemi në kopenë e tij ka mbi 800 dhen, kurse në gjithë fshatin ka mbi 1.500 sosh edhe pse kushtet dhe mundësitë e fshatit lejojnë më tepër. Çdo shtëpi e fshatit thuajse ka nga një lopë, por ato i mbajnë për nevojat e tyre e jo për çështje biznesi", shprehet Premtim Lumani, profesor i Historisë nga ky fshat.

Simnica në shënjestër të armiqve
Fshati Simnicë ndër shekuj ka qenë në shënjestër të armiqve. Edhe në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XX padyshim se ishte ndër periudhat më të rënda që kaloi populli shqiptar gjatë historisë së tij. Ato ditë tetori të vitit 1913 në fshatin Simnicë u dogjën 113 shtëpi, u vranë 18 vetë, ndër të cilët edhe dy gra. Pas tetë ditësh me ftesë të sekretarit të nënprefekturës u thirrën me emra 22 vetë, të cilët pasi u lidhën gjoja për t´i nis në nënprefekturë i masakruan po në vendin e quajtur "Vakuf", të fshatit Banjicë.

Simnica, vendlindja e Xhemë Hasës
Në fshatin Simnicë, në vitin 1908 lindi Xhemë Hasa. U rrit në një familje të varfër, me shumë fëmijë. Padre­jtësitë që i bëheshin popullit shqiptarë me anë të provokimeve dhe ofendimeve, i ka përjetuar personalisht edhe Xhemë Hasa dhe familja e tij. Sjellja arrogante e personave të pushtetit serbo-sllav e ka irrituar dhe detyruar këtë trim që ta braktiste pasurinë dhe familjen e tij dhe të hidhej në luftë për mbrojtjen e nderit të familjes, për mbrojtjen e kombit dhe për mbrojtjen e atdheut të tij. Xhema në fillim ishte ushtar ndër të parët që luftoi në jug të Shqip­ërisë për mbrojtjen e tokave shqiptare. Për suksesin e treguar, mbretëria e atëhershme e Ahmet Zogut e gradon oficer i ushtrisë së atëh­e­r­shme të Shqi­përi­së. Me fillimin e luftës së dytë botërore në vitin 1941 kthehet në vend­lindje që ta ndihmonte popu­llatën në mjedisin ku jetonte. Padrejtësia që i sillej kombit shqiptarë ai çohet në luftë kundër fashizmit italian, kun­dër sllavo-komunistëve ku vlen të përmenden aksione luftarake si ata: lufta për çlirimin e fshatit Zajas, lufta për çlirimin e Dibrës, lufta në Mal të Thatë, lufta e Kërçovës, lufta e Debarcës, lufta e fshatit Beliçicë, etj. Pas kapitullimit të Italisë më 1943 në Maqedoninë Perëndimore tërë pushtetin e merr Ushtria e Ballit Kombëtarë , me këtë vërtetohet se në këta troje në atë periudhë historike ka sunduar pushteti shqiptarë dhe se Ushtria e Ballit Kombëtarë ka qenë në shërbim të popullit vendas. Lufta e Xhemë Hasës si oficer dhe si komandant i Ushtrisë së Ballit Kombëtar në Maqedoninë Perëndimore mund të konsiderohet si luftë për çlirimin dhe bashkimin e gjithë tokave shqiptare në një shtet. Më gjashtë Maj të vitit 1945 vritet mizorisht trimi shqiptarë , ku prej asaj dite fati i shqiptarëve në Maqedoninë Perëndimore ngel në duart e sllavo-komunistëve.

 

Komenti JUAJ

Të dhënat tuaja:

Emri
E-mail
Tel:
 

Kthehu mbrapa

komentet e lexuesve

1.  
 
 
2.  
 
 
3.  
 
 
4.