Driton ZENKU
Sallah Shabani, i njohur ndryshe si një nga mjeshtrit e dalluar në ekzekutimin e kavalleve, ndër trojet shqiptare, ka lindur në vitin 1958 në Strajan të Gostivarit. Nga mosha njëmbëdhjetë vjeçare është inkuadruar në botën e muzikës. Në fillim ka zotëruar çiftelinë, por më vonë bëhet dhe mjeshtër për bërjen e instrumenteve me tela. Kjo nismë e Sallahut përshkruhet si frymëzim dhe trashëgimi nga babai i tij, i ndjeri Lazam Shabani si dhe xhaxhai Fezulla Shabani, të cilët nga mosha e hershme kanë trashëguar fyellin, kavallin dhe çiftelinë.
Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare ka filluar edhe me përpunimin e çiftelive të zakonshme me dy tela dhe atyre të quajtura të temperuara. Me kalimin e kohës fillon me përvetësimin e sekreteve të këtyre instrumenteve duke zbuluar fushën e notave dhe duke krijuar kuotën në përpjesëtimin e tyre. Mjeshtërinë për bërjen e çiftelive e ka trashëguar nga bashkëfshatari i tij, i ndjeri Halim Osmani nga fshati Strajan. Asokohe, kujtohet ai, ka pasuruar fondin e instrumenteve dhe Gajden e parë që e ka blerë në qytetin e Prilepit.
Nga ekzekutimi në prodhimin e instrumenteve
I përkushtuar në këtë punë, më vonë aftësohet dhe në zotërimin e instrumenteve frymore siç janë Kavalli, Fyelli, Gajdja, Fyelli i bilbilit dhe Zurlla. Për një kohë të shkurtër nga pasioni i ndezur për instrumentet tradicionale, aftësohet edhe në prodhimin e instrumenteve frymore. Në fillimin e punës së tij, përpunimi i instrumenteve e ka bërë me anë të mjeteve primitive të dorës, ndërsa me kalimin e kohës për përpunimin e këtyre instrumenteve shfrytëzon "Tornon" me çka është lehtësuar dukshëm puna e tij, njëherësh është rritur edhe preciziteti gjatë punimit të tyre mbase në fillim këto instrumente janë përgatitur pa ndonjë mjetë matës të përpiktë. Në fillim instrumentet frymore ka filluar ti bëjë me tuba të plastikës e të aluminit, ndërsa ma vonë me anë të drurit. Si punëtor pasionist i instrumenteve frymore veçmas kavallit, ka arritur të zbuljw intonacione nga më të ndryshmet. Asokohe kanë ekzistuar vetëm katër lloje të kavalleve, ndërsa ma vonë arrin që të krijojë dhjetë sosh, duke u falur tone dhe semi-tone të ndryshme.
"Filli i quajtur anësh është i zakonshëm me gjashtë nota, ndërkaq fyelli i Bilbilit është shtatë dhe gjashtë notash", thotë Sallahu për të shtuar se edhe kavalli si instrument posedon shtatë nota dhe mundet të prodhojë intonacionin e quajtura "Durmoll", kundrejt fyellit anësh që ka mundësinë e vetme të shpërndarjes të intonacionit "Moll". Akordet e instrumenteve frymore, siç thotë ai gjenden sipas gjatësisë së tyre.
Gajdja si instrument është pjesë e prodhimit dhe koleksionit të Sallah Shabanit.
"Për dallim nga instrumentet tjera frymore Gajdja, posedon mundësinë e akordimit edhe me anë të pipëzës kjo tingëllon më hollë dhe nxjerr akord tjetër. Brinjët e kahut janë pjesë përbërëse e përpilimin të gajdes, me anë të brinjëve mund të vijmë deri te shumë figura dhe zbukurimeve të tjera", nënvizon Shabani.
"Zurllet", pasion i veçantë
Së fundi, Sallahu ka filluar edhe me përpunimin e Zurlleve dhe posedon të ashtuquajturat të Shkupit, Kaba të Pollogut, si dhe Zurlle të Prizrenit ndryshe të quajtura "Jaramka", që janë më të vogla. Intonacionet e këtyre instrumenteve gjithashtu rrjedhin si pasojë e gjatësisë së tyre. "Zurlla përpunohet nga druri i dardhës së egër dhe atij të kumbullës, por mundet dhe prej qershisë. Instrumentet me frymë bëhen prej drurit të "Frashnës" ndërsa instrumentet e shkurta edhe prej bushit", thotw ai. Duke sqaruar, ai thotë se llojet e instrumenteve me tela janë të shumta, ashtu siç janë çiftelitë e zakonshme, të temperuarat, sharkitë dhe ato të quajtura "Primë". Këto të fundit për dallim prej të tjerave, përcjellin intonacionin "Dur" njëherësh dhe "Moll" dhe paraqitet oktavë nga veglat tjera. Në përgjithësi akordet e instrumenteve me tela bëhet me anë të shtrëngimit të tyre që bëhet me dorë varësisht prej përputhshmërisë së notave.
Bërja e instrumenteve frymore edhe pse me mjete të sofistikuara kërkon kohë dhe qetësim shpirtërorë. Kështu sipas tij në punimin e çiftelive dhe gajdeve nevojiten plotë dy ditë, për një palë kavalle nevojitet deri katër ditë, ndërsa sharkia dhe prima kërkojnë tre ditë punë. Ma pak kohë merr punimi i një filli i cili nëse punohet me përpiëkshmëri nuk kërkon më shumë se një ditë kohë.
Lloji i drurit i preferuar për prodhimin e çiftelive është ai i qershisë, lipave, monit dhe arrës, pjesa e sipërme e çiftelisë bëhet nga çami me damar të imët ndërsa bishti bëhet nga druri i ahut.
Si punëtor i përbetuar i këtyre instrumenteve muzikore, Sallah Shabani ka rritur të zbulojë dhe fillin që ekzekuton me anë të Gërnatës (klarinetit) si dhe kavallet që punohen me pjesë shtuese dhe për më tepër qëllime. "Pjesa e sipërme dhe e poshtme mbeten të njëjta ndërsa ndryshon vetëm pjesa e mesme e fillit duke krijuar mundësinë e krijimit të 10 intonacioneve të kavallit dhe aq të fillit" nënvizon ai. I palodhshëm në këtë punë, Sallah Shabani ka zbuluar dhe kavallin me gjashtë nota. Se puna e Sallah Shabanit është admiruese dhe e njohur dhe jashtë vendit ku vepron, tregon dhe interesimi i vizitorëve të shumtë nga vendi dhe jashtë.
Kështu, nga instituti i muzeve dhe etnologjisë pranë Universitetit të muzikës në Vienë të Austrisë, etno-muzikologu Ardian Ahmedaj ka marrë shënime dhe ka kryer incizime me kamerë në koleksionin e krijimtarisë së Sallahut, për nevojat e arkivës të këtij instituti.
Deri tani për krijimtarinë e Sallah Shabanit janë realizuar edhe dhjetëra emisioneve dokumentare në Televizionin e Maqedonisë, redaksia në gjuhën shqipe, dhe nw shumë mediume të tjera të vendit. Pa ashtu ka qenë mysafir në televizionin "Top-channel", në Shqipëri. Përpos koleksionit të pasur, Sallah Shabani ka bërë dhe shitjen e qindra instrumenteve frymore dhe atyre me tela. Krahas instrumenteve muzikore, Shabani merret edh me përpunimin e figurave të ndryshme, kryesisht nga druri.
Çmimet, kurorëzim
i sukseseve
Sallah Shabani është një nga të parët e Ansamblit të Valleve dhe Këngëve "Besa" nga Gostivari. Në duet me Rizvan Sinanin është pjesëmarrës në dhjetëra festivale të mbajtura në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Turqi dhe vende të tjera, duke marrë jo rrallë herë dhe çmimet e para, mirënjohje e diploma të shumta. Vlen të përmendet çmimi i fundit nga pjesëmarrja në festivalin "Sharri Këndon-2005", ku dueti Shabani-Sinani kanë marr çmimin special të karrierës. Në vitin 2007 në festivalin "Sharri Këndon", si anëtarë i Ansamblit të Valleve dhe Këngëve "Besa", nga Gostivari, Shabani shpërblehet me çmimin e karrierës sa i përket zotërimit të kavallit.
Me këngëtarin e mirënjohur Agim Poshka, Sallah Shabani dhe Rizvan Sinani kanë përgatitur pesë këngë. Kështu, në festivalin "Nota Fest - 2000", Agim Poshka është shpallur fitues i çmimit të parë. Sallah Shabani në bashkëpunim me të tjerë deri tani kanë edituar mbi dyzetë albume. Gjatë vitit 2008, në bashkëpunim me këngëtaren nga Gostivari, Shqipe Fejzuli si dhe talentin e ri në ekzekutimin e kavalleve dhe çiftelive, Emin Xhaferin, Shabani ka përgatitur dy albume muzikore, njëra e titulluar "Melodi burimore me kavall nga trevat e Pollgut", si dhe tjetra "Melodi me gajde dhe fyell me motive nga trevat e Pollogut". Për të lënë gjurmë në këto instrumente tradicionale, në të ardhmen mendon të editojë edhe librin e tij. Ai shpreson se këto instrumente do të kenë jetë të gjatë. Sipas tij këto instrumente janë të pajtueshme mes veti dhe janë të pandashme. Në drejtim të kësaj, Sallah Shabani, së fundi është duke aftësuar edhe shumë të rinj në përvetësimin dhe ekzekutimin e instrumenteve muzikore, qofshin ato frymore apo me tela. Ai thotë se në të ardhmen do të grumbullojë rreth vetës dhe shumë të rinj të tjerë, që i kanë pasion këto vegla muzikore.
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |