Nga gjithsej 270 raste të evidentuara të gripit që nga fillimi i vitit, në dy raste është vërtetuar se bëhet fjalë për prezencën e virusit A-h1n1. Nga Enti Epidemiologjik në Gostivar, pohojnë se s'ka vend për panik duke pohuar se ditëve të fundit ka reduktim të rasteve të prekura nga gripi
Driton ZENKU
Gostivar, 28 shkurt - Pas fazës intensive të përhapjes së virusit të gripit në regjionin e Gostivarit, kohëve të fundit situata po i kthehet gjendjes normale. Të paktën kështu pohojnë nga Enti Epidemiologjik në Gostivar, nga ku tërheqin vërejtjen se s'ka vend për panik në mesin e popullatës. Brenda dy muajve të para të vitit, regjistri i Enti Epidemiologjik në Gostivar ka evidentuar gjithsej 270 raste me sëmundje të prekura nga gripi. Në dy raste, analizat laboratorike kanë treguar se bëhet fjalë për prezencën e virusit A H1N1, ndryshe e quajtur, gripi i derrave. Por situata paraqitet e normalizuar javëve të fundit, ku rastet e evidentuara të prekura nga gripi, nuk paraqesin ndonjë shqetësim.
"Në krahasim me të dhënat e muajve të fundit të vitit paraprak kur përhapja e gripit ishte në nivele shumë të larta, tani situata paraqitet më e qetë", vlerësojnë mjekët nga Enti Epidemiologjik. Për çdo javë evidentohet nga njëzet raste të tilla, që sipas tyre nuk paraqet ndonjë shifër alarmante.
Numri më i madh i të prekurve nga gripi kanë kaluar me pasoja më të vogla, pa ndonjë komplikim të theksuar shëndetësor dhe janë kuruar në ambientet familjare, ndërkohë shumë pak pacientë të prekur nga gripi, kanë pasur nevojë të qëndrojnë dhe të mjekohen për një kohë më të gjatë në njësinë infektive.
Ndërkohë që vaksinime kundër virusit A H1N1, të cilat filluan të merren gjatë dhjetorit të vitit paraprak, kanë pranuar afër 300 qytetarë të Gostivarit dhe rrethinës.
Bazuar në programin për punë intensive, nga Enti Epidemiologjik në Gostivar bëjnë me dije se menaxhimin dhe mbikëqyrjen e situatës për përhapjen e viruseve sezonale, do ta jetë prioritet deri në mbarimin e muajt prill, atëherë kur përmbyllet dhe periudha e rrezikshme e vitit, për përhapjen e infektimeve të tilla.
Nga Enti Epidemiologjik në Gostivar përkujtojnë që në asnjë mënyrë të mos anashkalohen masat preventive, sidomos nëpër mjediset shkollore, çerdhet si dhe ambientet punonjëse kolektive, mbi gjitha mirëmbajtja e higjienës personale, dezinfektimit si dhe ajrosjen e vazhdueshme të hapësirave të mbyllura. Në periudhën e rrezikshme të përhapjes infektive, pra muajt e fundit të vitit të kaluar, numri i të sëmurëve të prekur nga gripi në Gostivar dhe rrethinë arriti në 900 raste të evidentuara zyrtarisht në Entin Epidemiologjik në Gostivar.
komentet e lexuesve
| 1. | |
| 2. | |
| 3. | |
| 4. | |