Logos, trofe për dizejnin më të mirë
Shkup, 19 nëntor - Shtëpia botuese "Logos" ka marrë një prej çmimeve të panairit të librit "Tirana 2008", për paraqitjen vizuale më të mirë grafike të veprave të Sami Frashërit. Çmime të tjera iu ndanë Visar Zhitit i cili u vlerësua si "Shkrimtari i vitit" me vëllimin me tregime "Shekull tjetër", ndërsa Ardian Klosi si "Përkthyesi i vitit" me "Antologjia e tregimit të gjuhës gjermane". "Logos", ishte edhe njëra prej gjashtë shtëpive botuese nga Maqedonia që ekspozoi në panairin e radhës dhe ku u prezantua me promovimin e studimit "Rreth alfabetit të shqipes" me autor Xhevat Lloshin.
"Panairi kishte një fluks të jashtëzakonshëm vizitorësh, të të gjithë moshave, por edhe blerjesh", thonë në "Logos".
Edicioni i 11-të i Panairit të Librit "Tirana 2008", që u mbajt nga datat 14 deri më 18 nëntor në Pallatin e Kongreseve sipas organizatorëve, ka arritur pritshmërinë ndaj e kanë cilësuar si mjaft të suksesshëm, janë shitur rreth 150 mijë kopje librash, ndërsa mendohet se të ardhurat nga shitjet të jenë rreth 70 milionë lekë. Gjatë ditëve të panairit, morën pjesë personalitete si Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Sali Berisha dhe ministri i Kulturës, Ylli Pango. Dy të ftuarit e nderit në këtë panair ishin shkrimtarët italianë, Alberto Bevilacqua, i cili çeli edhe edicionin e 11-të të panairit dhe Raffaele Nigro, një ndër shkrimtarët italianë që kontaktet me Shqipërinë dhe shqiptarët i ka tepër të hershme. Qëllimi kryesor i panairit ishte ekspozimi i botimeve të reja dhe kontakti i lexuesit me librin. Në këtë edicion të 11-të të Panairit të Librit morën pjesë jo vetëm botues nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e të tjerë.
"Onufri 2008", temën e bëjnë artistët
Nuk do të ketë një temë, mbi të cilën do të punojnë artistët, por kuratori do të ndërtojë ngjarjen mbi atë që artistët kanë krijuar deri më sot. Artisti italian Rikardo Kaldura, ka zgjedhur një mënyrë jotradicionale për të ndërtuar edicionin e 15-të të konkursit ndërkombëtar të arteve pamore "Onufri 2008", që do të hapet në Galerinë Kombëtare të Arteve më 20 dhjetor. Këtë vit, ekspozita që do të qëndrojë e hapur për 6 javë, do të realizohet nga një i huaj. "Në këtë edicion nuk do të ketë një temë të dhënë paraprakisht, që artistët do ta ndjekin, por kuratori italian do të bëjë kërkimet e tij personale mbi zhvillimet, dinamikat, problematikat e skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ekspozita do të jetë rezultat i këtyre kërkimeve", tha drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima. Sipas Kaldurës, bie në sy fakti që artistët po punojnë mbi aspektin social të artit.
Castelli, një koncert
kushtuar Gjenovës
Këngëtarja Anna Maria Castelli e vlerësuar nga Montreux Jazz Festival si një nga pesë zërat më të mirë në botë, do të interpretojë në skenën e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë, e shoqëruar në kitare nga Simone Guiduçi dhe në fizarmonikë nga Stefano Caniato. Koncerti "Genova, la citta della canzone d'autore", mbahet ditën e enjte në kuadër të "Klasik", edicionit të 9-të Ndërkombëtar të Muzikës, organizuar nga Instituti Italian i Kulturës. Anna Maria Castelli ka zhvilluar shumë koncerte në teatro dhe festivale në më shumë se 30 vende të botës. Castelli është vlerësuar me çmime si "Musica Europa", "Antigone", si dhe çmimin e rëndësishëm "Portovenere Donna", me të cilin janë vlerësuar edhe Margherita Hack, Franca Valeri, Paola Gassman, Rita Levi Montalcini, Dacia Maraini etj. Koncerti i përgatitur për Tiranën i kushtohet qytetit të Gjenovës, gjatë të cilit këngëtarja Anna Maria Castelli do të interpretojë këngë të suksesshme si "Genova per noi", "Onda su onda", "Via con me", "Boça di rosa", "Almeno tu nell'universo" e "Ritornerai" e mjaft këngë të tjera të njohur të repertorit italian. Anna Maria bashkëpunon me kantautorë si Giorgio Gaslini, Gianni Coscia dhe Renato Sellani.