Gunga e Mona Lizës
Nga Arbën Xhaferi
Mbase kam paragjykime, por shumica e qyteteve të Serbisë më duken të hirta, depresive, monotone, sidomos në vjeshtë dhe dimër. Ndonëse kryeqytetasit e këtij shteti përpiqen që qytetin tyre, Beogradin ta paraqesin si qytet të bardhë( serbisht beo- i bardhë, grad- qytet) megjithatë, nuk arrijnë ta zbardhin. Lyejnë e shlyejnë, por e hirta dominon. Historianët, gjuhëtarët bullgarë, duke qenë të vetëdijshëm për këtë shpërputhje ndërmjet emrit dhe përmbajtjes japin shpjegimin e tyre për etimologjinë e këtij toponimi. Thonë se emri vërtetë i tij nuk është as Beograd, as Bellgrad (qytet i bukur), por Bullgargrad, ngaqë ata vetë e paskan themeluar. Nejse. Një ditë vjeshte me shi të imtë, në këtë qytet të hirtë, të bardhë apo bullgar, në fillim të viteve të shtatëdhjeta, tek shkoja në fakultet e pashë duke ardhur përballë meje një mik, student i Akademisë së Arteve Figurative, nga Peja, me pamje impresive të një boemi, më saktë të një oshënari, me atë bllokun karakteristik për studentët e pikturës, ngjyrë të gjelbër, 70x50 cm. U gëzova që e pashë dikë të njohur, dikë të afërt, dikë si unë. M'u duk se edhe ai tregoi interesim. U përshëndetëm dhe pa e pyetur njëri-tjetrin, u drejtuam në një kafe-bar. U ulëm. Nuk folëm menjëherë. Vështronim ambientin, njerëzit. Duke kërkuar leje me shikim e zgjata dorën te blloku që ishte pjesa e pandarë e imazhit të tij. Pashë atë që prisja: skica, akte, të vizatuara me mjeshtri klasikësh, në përputhje të plotë me standardet e anatomisë që piktorët e tjerë modernë kosovarë, që nuk çanin kokën për këto standarde e quanin me qesëndi si manir "i shkollës së Pejës".
Pasi heshtëm boll, ai disi me hamendje më vështroi në sy, sikur më vlerësonte nëse jam i denjë për atë që donte të më thoshte. Hë, e trimërova me buzëqeshje. Ti e di që unë e njoh shumë mirë anatominë e njeriut. Si Dyreri, thashë duke ditur që e adhuron. Epo, tani zbulova prej nga vjen ajo buzëqeshja e mistershme e Mona Lizës, më tha duke kërkuar në fytyrën time ndonjë shenjë sado të vogël të ironisë. Meqë nuk hetoi, vazhdoi rrëfimin e tij plot frymëzim. Ajo pas kokës ka pasur një gungë që ia ka tërhequr lëkurën e fytyrës anash. Pale ndonjë tumor, përfundoi... I vetmi mendim që më shkrepi në atë çast, ishte përshtypja: dy shqiptarë, njeri me imazh të një revolucionari, tjetri të një oshënari, në Beogradin depresiv, në një kafene me aromë shlivovice (raki kumbullash), kuvendojnë me pasion për buzëqeshjen misterioze, për gungën, për tumorin prapa kokës së Mona Lizës, La Giocondës...
Ky takim, ky rrëfim i piktorit boem kosovar më mbeti kohë të gjatë në kujtesë, saqë u shndërrua në kod shpjegues për shumë fenomene që kanë të bëjnë për gjakimin e njeriut që të bie në sy, që të dallohet. Miliona gjestikulime për t'u dalluar nga tjetri, nga turma. Shumë normale dhe shumë njerëzore! Ky fenomen shfaqet edhe në fushën e krijimtarisë. Krijohen shumë vepra, por një pjesë e vogël e tyre cilësohen si krijime të mirëfillta artistike. Vuajtjet e krijuesve janë të mëdha, pasiguria për vlerat që i prodhojnë është molisëse. Prandaj, shpesh shërbehen me efekte morbide, shokuese, provokuese, inovative, por kot, arti nuk buron nga kanonet, as mënyrat e paracaktuara të shprehjes, as nga imitimi, por nga frymëzimi, entuziazmi hyjnor.
Këto metoda të tërheqjes së vëmendjes me efekte tronditëse përdoren edhe në fusha të tjera të veprimtarisë njerëzore, sidomos në politikë, gazetari, histori. Periudha e modernes krijoi sisteme të mëdha, ku koherenca ndërmjet të gjithë elementeve të atij sistemi shpeshherë nuk është argumentuar bindshëm. Kur filozofi i madh gjerman, Hegel përfundoi ligjëratën e tij për eskatologjinë, një student brofi në këmbë dhe me arrogancë i tha se teoria e tij nuk përputhet me faktet.
Filozofi i urtë, qetë-qetë ia ktheu përgjigjen e merituar: "Aq më keq për faktet". Postmodernistët e sotëm e vazhdojnë rrugën e këtij studenti me energji mohuese. Në vend që të përpiqen t'i gjejnë argumentet e duhura, ata e dekonstruktojnë sistemin, kështu që përurohet etape e re e të menduarit: arhea (rendi) aq e kërkuar nga filozofët antikë, pak nga pak zëvendësohet nga anarheja e mendimtarëve të sotëm. Veprat e tyre duken si ato shtëpi të ndërtuara nga rrënojat e kalave, ku format, stilet, materialet e ndryshme, ashtu të kombinuara, pa plan dhe shije, krijojnë një përshtypje të shëmtuar. Maniri dekonstruksionist ka depërtuar edhe në kulturën shqiptare, që vetvetiu nuk paraqet një rrezik kanosës, aq sa përflitet. Në sistemet e hapura shoqërore e drejta e mohimit është e barabartë me atë të pohimit. Mohuesit nxisin pohuesit që të gjejnë argumente më bindëse. Problemi nuk qëndron këtu, por te pretendimi absolutist i dekonstruksionistëve, i rrënuesve, i mohuesve se rrëfimi i tyre qenka i vetmi i drejtë, shkencor, ndërkaq ai i pohuesve, i ndërtuesve, qenka anakronik, pseudo-shkencor. Falë zotit, tashmë jetojmë në kohën e pluralizmit dhe çdokush duhet ta mbajë kryqin e vet në kalvarin që shpie në sipërfaqe.
Ditët e fundit në opinionin shqiptar, sërish u hap debati lidhur me figurën e Skenderbeut. Shkas konkret shërbeu botimi në gjuhën shqipe i librit me pretendime historike për Skenderbeun nga autori zviceran Oliver Jens Shmit. Faktet që i sjell autori shërbyen si motiv për kërkesën e rivlerësimit të historisë kombëtare. Gjakrat sërish u ndezën. Është e natyrshme, njerëzit frikësohen nga rrëshqitja e tokës ndër këmbë, nga humbja e rrëfimit për veten. Fqinjët e shqiptarëve, me vetëdije të plotë e qëndisin historinë me gënjeshtra të paturpshme, kështu që historia e Maqedonisë është shndërruar në shpellë të Ali Babasë, ku fshihen mallrat e vjedhura, historia serbe kriminelët i ka shndërruar në shenjtorë, duke filluar nga Rastko Nemnjiqi (Sveti Sava, Shën Sava)i cili e fitoi titullin e shenjtorit pasi shfarosi bogumillët (një sekt monofizit) e Bosnjës e deri te kasapët e formatit të gjeneralit Mlladiq që trajtohen si idhuj, ndërkaq grekët kanë vënë zapt mbi periudhën antike saqë asnjë e vërtetë nuk mund të depërtojë në kokat e tyre.
Dallimi ndërmjet fqinjëve të shqiptarëve dhe atyre vetë qëndron te çfarësia e nacionalizmit. Fqinjët e tyre kanë institucionalizuar, kanë krijuar një sistem nacionalist, ku çdo gjë është në harmoni, "të vërtetat" historike, ato religjioze dhe ato politike. Tokat që pretendojnë t'i pushtojnë i shpallin të shenjta, historikisht të tyre dhe pastaj politika përpiqet t'i realizojë këto pretendime. Ata kanë nacionalizëm modern, shqiptarët postmodern, mirëpo duhet të merret parasysh se sistemi gjithnjë është më i fortë se fragmenti. A e mbroj pseudo-historinë? Kurrsesi jo, por përpiqem të them se zbulimi i gungave është po aq relativ sa mbulimi tyre.