Minus dy pikat e Kosovës
Kosova ka paraqitur një dokument 4-pikësh, me të cilin ftohet sërish fillimi i misionit të EULEX-it në Kosovë, ndërkohë që kundërshtohet përfundimisht plani 6-pikësh i kreut të OKB-së, Ban Ki Mun, dhe Beogradit, për shtrirjen e këtij misioni. Këto pika vijnë si një lloj kundërpërgjigjeje pas një plani gjashtëpikësh të sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, të harmonizuar me Beogradin, të cilin Kosova e ka hedhur poshtë. Këto qëndrime të Prishtinës i janë prezantuar dhe dorëzuar zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, me të cilat Kosova e fton EULEX-in të fillojë misionin, por duke e respektuar Kushtetutën dhe tërësinë territoriale të saj. Presidenti Fatmir Sejdiu, i cili i lexoi këto katër pika, tha se qëndrimet e Prishtinës janë të harmonizuara dhe prezantojnë pozicionin e institucioneve, mbi bazën e të cilave misioni i BE-së mund të fillojë shtrirjen në të gjithë territorin e Kosovës. Këto pika të krerëve të Kosovës janë: "1 - Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në tërë territorin e Kosovës sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008 dhe ftesën bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës, të nënshkruar edhe nga Presidenti më 17 shkurt dhe 8 gusht të vitit 2008". "2 - Institucionet e Kosovës refuzojnë dokumentin gjashtëpikësh". "3 - Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in për vendosjen në tërë territorin e Kosovës". "4 - Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n". Diplomati amerikan, Daniel Fried, tha se qëndrimet e Prishtinës do t'i paraqesë tani në Gjenevë tek autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se këto pika të Prishtinës janë një platformë e mirë për të vazhduar përpara. Sidoqoftë, Fried tha se ka ende gjëra që duhen harmonizuar për të parë nëse do të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, për t'i mundësuar EULEX-it fillimin e misionit në Kosovë. "Është mirë që institucionet e Kosovës të punojnë me ne ashtu siç janë duke bërë, në mënyrë që të forcohet sundimi i ligjit në tërë Kosovën dhe në mënyrë që të zhvillohet bashkëpunimi me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe OKB-në. Kanë qenë dy ditë të mira dhe intensive dhe tani kemi bazat për të ecur përpara", tha Daniel Fried. Në takimin e djeshëm ka marrë pjesë edhe shefi i ICO-s, Pieter Feith, i cili tha se BE-ja pret që të arrihet një marrëveshje, në mënyrë që EULEX-i të fillojë sa më shpejt me punën e vet në Kosovë. "Ne, si Bashkim Evropian, mezi po presim vendosjen e shpejtë të EULEX-it në tërë Kosovën. Jemi të lumtur të dëgjojmë se qeveria është e përkushtuar për të punuar me ne dhe me OKB-në, për ta mundësuar vendosjen e EULEXit", tha Feith. Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti pozicionin e qeverisë së Kosovës për bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për shtrirje të EULEX-it konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës. "E kemi ftuar dhe i kemi dhënë përkrahje dhe do ta ketë bashkëpunimin tonë të ngushtë EULEX-i për zgjerimin dhe ushtrimin e autoritetit në tërë territorin e Kosovës, në mënyrë që të funksionojë rendi dhe ligji në të gjithë territorin, në mënyrë që të mos ketë struktura jolegale në asnjë pjesë të territorit të Kosovës. Ky zotim i yni është përfshirë edhe në refuzimin në tërësi të dokumentit gjashtëpikësh", theksoi Thaçi. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, këto dy ditët e fundit, diplomati amerikan, Daniel Fried, ka takuar edhe opozitën, së cilës i ka transmetuar përmbajtjen e aktiviteteve të fundit diplomatike, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për EULEXin. Sidoqoftë, diplomacia ndërkombëtare është në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje për EULEX-in deri në fillim të dhjetorit, e cila nuk do të kundërshtohej nga Prishtina, por as nga Beogradi.
Nkunda përkrah paqen
Udhëheqësi i ushtrisë rebele të tutsive, i cili po lufton kundër forcave qeveritare në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, është pajtuar të përkrahë një proces paqësor, pasi mbajti biseda me një të dërguar të Kombeve të Bashkuara. Laurent Nkunda, udhëheqësi i Kongresit Kombëtar për Mbrojtjen e Popullit (CNDP), tha të martën se ai do të respektojë një armëpushim dhe do të sigurojë që punonjësit humanitarë të kenë qasje ndaj refugjatëve. "Sot është një ditë madhështore për neve, sepse ne po humbnin shumë njerëz dhe tani kemi një mesazh të paqes. Ne duhet të punojmë me këtë mision," tha Nkunda pas takimit me Olesegun Obasanjo, i dërguar i Kombeve të Bashkuara. "Ne u pajtuam që të hapim korridoret humanitare, në mënyrë që të përkrahet procesi paqësor."
Obasanjo u tha gazetarëve pas bisedave në qytetin Jomba, të okupuar nga rebelët, në provincën North Kivu: "Tani e di se çka do ai. E di se armëpushimi është si të vallëzosh tango, nuk mund të bëhet vetëm me një njeri". Takimi ndodhi vetëm disa orë pas shpërthimit të luftimeve të reja në mes CNDP-së dhe ushtrisë së RD të Kongos.
Integriteti territorial i Kosovës - i panegociueshëm
Prishtinë, 19 nëntor- Me moton "Në mbrojtje të sovranitetit", dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë në shenjë kundërshtimi ndaj planit gjashtë-pikësh të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun. Protestuesit mbanin pankarta dhe flamuj kombëtar shqiptar duke brohoritur "jo ndarje", "sovranitet", referendum" etj. Folësit e protestës thanë se plani i kreut të OKB-së është i papranueshëm për Kosovën, ngase zbatimi i tij do të thotë ndarje për Kosovën, e ndarja do të thotë luftë.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti para protestuesve tha se JO-ja e liderëve të Prishtinës ka qenë shumë e butë. Sipas tij, qëndrimi katër pikësh i Kosovës i publikuar dje, do të hyjë në tavolinën e bisedimeve dhe në fund edhe me të do të bëhet kompromis.
Alban Bokshi, njëri nga organizatorët e kësaj proteste tha se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm. "Për secilën çështje kapitale për Kosovën duhet të vendosë populli i Kosovës, ndërsa referendumi është mekanizmi më i drejtë", tha ai. Ndërkaq, Shpend Ahmeti nga Instituti për studime të avancuara, kërkoi që zëri i qytetarëve të mos ndihet vetëm një herë në katër vite, vetëm atëherë kur mbahen zgjedhjet, por edhe kur ata janë të pakënaqur me gjendjen aktuale politike në vend.
Njëri nga folësit tjerë në këtë protestë, ishte përfaqësuesi i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jashari, i cili paralajmëroi rreziqe për ndryshime të kufijve në Ballkan nëse plani 6 pikësh bëhet realitet e përmes tij edhe ndarja e Kosovës.
Protestuesve u është drejtuar edhe udhëheqësja e Rrjetit të grave të Kosovës, Igballe Rugova. Ajo i kërkoi Bashkimit Evropian që mos t'i përsërisë gabimet që i ka bërë UNMIK-u gjatë këtyre viteve në Kosovë.
Pranon ofertën
Gazeta Guardian shkruan se Hillary Clinton planifikon ta pranojë postin e Sekretares Amerikane të Shtetit, të ofruar nga Barack Obama, i cili është duke i mbledhur ish kundërshtarët e tij me qëllim të krijimit të një administrate të koalicionit të gjerë. Gazeta britanike shkruan se këshilltarët e Obama's kanë filluar ta analizojnë veprimtarinë e Fondacionit Bill Clinton, i cili shpërndan miliona dollarë në Afrikë për qëllime bamirësie, për të qenë të sigurt se nuk do të ketë konflikt interesi me punën e zonjës Clinton. Sidoqoftë, thuhet më tej, demokratët besojnë se shqyrtimi do të jetë i hapur dhe i ndershëm. Hillary Clinton do të jetë gruaja e tretë në historinë amerikane që do ta udhëheqë diplomacinë amerikane, pas Madeleine Albright, e cila ishte emëruar në mandatin e dytë të Bill Clinton, dhe Condoleezza Rice, e cila e udhëheq Departamentin e Shtetit në Administratën e Presidentit aktual George W Bush.
Zbulohet naftë në Shqipëri
Rezerva të reja dhe të paprekura me hidrokarbur janë zbuluar në veri të Shqipërisë, raporton kompania "Manas". Raporti është bërë publik nga "Gustavson Associates LLC", agjenci për llogari të kompanisë "Manas", e cila pas nënshkrimit të kontratës me qeverinë shqiptare fitoi të drejtën e eksplorimit për naftë dhe gaz në zonën veriore të vendit. Sipas rezultateve të gjetjes, rezerva e naftës në zonën ku janë bërë kërkimet mund të jetë edhe më e madhe se 2.987 bilionë fuçi. Por shifrat duket se janë mbresëlënëse edhe për sa u përket rezultateve të gjetjes së gazit, pasi në raport thuhet se në të njëjtën zonë janë zbuluar edhe 3.014 trilionë metra kub gaz natyral. Por e përkthyer në shifra rezultative, pra në shifra që tregojnë sasi direkte të konsumueshme, rezulton se sasia e gjetur e naftës është 1.4 bilionë fuçi, ndërsa gaz natyral i pastër mund të ketë vetëm 15 trilionë metra kub. Sipas një kalkulimi final ekonomik të "Gustavson", ka rezultuar se vlera monetare e pasurive natyrore në fjalë arrin në rreth 11.9 bilionë dollarë për naftën, 6.3 bilionë dollarë për naftën me përmbajtje gazi dhe 6.1 bilionë dollarë vetëm për gazin. Vlera totale e shpenzimeve për kërkimet është përllogaritur në rreth 67 milionë dollarë.
Demanton mediat serbe
BE-ja mohon t'i ketë dërguar një letër Prishtinës zyrtare për kohën e vendosjes së EULEX-it në Kosovë. Christina Gallack, zëdhënëse e Javier Solanës, ka deklaruar se shefi i saj nuk ka përgatitur kurrfarë letre për liderët kosovarë dhe nuk u ka dërguar atyre asnjë porosi lidhur me EULEX-in. Reagimi vjen pas një shkrimi në gazetën e Novi-Sadit, " Dnevnik", sipas të cilit thuhet se EULEX-i do të nisë punën në Kosovë, më 2 dhjetor, pavarësisht rezultatit të bisedimeve që po bëhen. Po ashtu, kjo gazetë shkruan se e ka letrën e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Javier Solana, që do t'i dërgohet kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.