Speciale

Komento |  
Shqiptari i klubeve të striptizit i kërkon Nju Jorkut 100 mln dollarë

Një shqiptaro-amerikan ka tërhequr vëmendjen në median e New York-ut me padinë e tij të bujshme prej 100 milionë dollarësh kundër policisë së qytetit të New York-ut (NYPD). Biznesmeni shqiptaro - amerikan dhe botuesi, Sam (Selim) Zherka, renditi përpara gazetarëve dhe fotoreporterëve, arsyet se pse po e ngrinte padinë dhe sesi veprimet e disa politikanëve, sipas tij, të korruptuar të Westchester-it, në bashkëpunim me miqtë e tyre në policinë e New York-ut, e kanë akuzuar si "kriminel shqiptar", në kuadrin e një hakmarrjeje me motive politike.

Historia e konfliktit filloi me një artikull politik
Sam Zherka është një biznesmen i suksesshëm shqiptaro- amerikan. Vetëm 40 vjeç, ai është pronar i dy klubeve të famshme striptizmi, pronash të patundshme, e restorantesh. Dy vjet më parë, ai vendosi të hynte edhe në fushën e botimeve duke blerë gazetën "The Westchester Guardian", e cila është sot gazeta me tirazhin më të lartë në kontenë, në veri të New York City-t. Pikërisht me blerjen e gazetës filluan problemet për Sam Zherkën. Në fillim të vitit 2007, Zherka botoi në gazetën e tij një artikull kritik për procesin e zgjedhjes së Prokurorit të Distriktit në Westchester County. Sipas artikullit, Dennis Glazer, bashkëshorti i Prokurores, Janet DiFiore, u përpoq që të korruptonte një tjetër kandidat për këtë post. Në këtë mënyrë, ai do të siguronte që e shoqja nuk do të kishte rivalë seriozë në garë. Pas kësaj, Zherka, thotë se ka marrë një telefonatë nga prokurorja, DiFiore, e cila e ka kërcënuar: "Si do të të dukej në qoftë se dikush do të sulmonte familjen tënde?", i ka thënë ajo atij. "Nuk do të më pëlqente", i është përgjigjur Zherka. Atëherë, prokurorja i ka thënë se duhet të ketë kujdes se ajo dinte "ta luante shumë mirë këtë lojë". Pas kësaj, ajo i ka thënë një të besuari të saj politik se, Zherka, ishte "një figurë kriminale shqiptare" dhe se shpejt do t'i binte në dorë. Zherka thotë se tani kundër tij u angazhua një "dorë e fortë", Thomas Belfiore, Komisioner i Departamentit të Shërbimit të Sigurisë Publike në Westchester County. Belfiore, dikur një funksionar i lartë i policisë së New York-ut, ku ende ruan lidhje të forta. Ai e fyeu publikisht biznesmenin shqiptar, duke thënë se ai është "përfaqësues i krimit të organizuar shqiptar" dhe se "vetëm një mafioz mund të ketë në zotërim një klub ku zhvishen femrat". Për të zgjeruar sulmin e tyre edhe në Manhattan, ku Sam ka edhe dy klubet e famshme të striptizmit, "VIP CLUB" dhe "CHEETAHs", Belfiore dhe Janet DiFiore, kontaktuan me Mathew Bogdanos, ndihmësprokuror në qytet. Bogdanos menjëherë u vu në lëvizje kundër shqiptarit, duke bërë që Zyra e Kontrollit të Krimit të Organizuar në NYPD, të hapte një dosje hetimore, në të cilën Zherka cilësohet si "figurë e krimit të organizuar shqiptar". Një hetim i ngjashëm filloi edhe në zyrën e Prokurorit të Distriktit në qytet, ku Bogdanos e cilësoi publikisht Zherkën si një "kriminel shqiptar" dhe, siç thotë dokumenti i dorëzuar në gjykatë, "Zherka është shpërndarësi më i madh i drogës në New York dhe mospagues taksash". Viktimë e këtij sulmi u bë edhe George Weir, i cili, sipas Zherkës, u akuzua nga Zyra e Krimeve si bashkëpunëtor i biznesmenit shqiptaro-amerikan, vetëm se pse ishte shok fëmijërie me të dhe u shkarkua nga detyra, duke e kthyer si polic të zakonshëm në Bronx. Kur një incident ndodhi në klubin "Cheetah", ku Zherka është bashkëpronar, policët që u dërguan aty, me të marrë vesh emrin e tij, bënë lidhjen me profilin e formuar tashmë në dosje për të dhe, pa shikuar faktet, i kërkuan atij që të dilte jashtë nga klubi, një shenjë e qartë e demit, që kjo përplasje mund t'u sjellë bizneseve të Zherkës.

"Të jesh shqiptar nuk do të thotë të jesh gangster"
Sam Zherka dukej i qetë dhe i vendosur në konferencën e tij për shtyp. "Nëse thonë që jam kriminel, atëherë ku janë faktet?" tha ai. "Nëse ka fakte atëherë unë e mbyll gojën dhe dorëzohem vetë, e le të bëjnë me mua atë që duhet. Por, nëse fakte nuk ka dhe kjo ka qenë vetëm një mënyrë për të ndalur lirinë e fjalës këtu në Amerikë, atëherë dikush duhet të paguajë për këtë". I ndjeshëm për pasojat e sulmeve ndaj tij, ai u shpreh se gjithë jetën është njohur si një punëtor i palodhur, si një biznesmen i zgjuar, si një baba dhe bashkëshort i kujdesshëm. "Nuk do të lejoj që të luhet me emrin tim për interesa politike", tha ai. Zherka, i cili ka katër fëmijëve, pret që së shpejti të bëhet edhe me katër fëmijë të tjerë. Mjekët kanë thënë se bashkëshortja e tij shtatzënë do të lindë katërnjakë, një tjetër arsye që mund t'i bëjë edhe njëherë gazetat e New York-ut që të vrapojnë drejt tij. Duke nënvizuar përdorimin e kombësisë për të justifikuar inkriminimin e tij, Zherka tha se këta zyrtarë mund të mjaftoheshin, duke e cilësuar si "kriminel". "Çfarë do të thotë kriminel shqiptar", pyeti ai dje gazetarët. "Së pari, unë kam lindur në Amerikë dhe nuk mund të bëhet fjalë për nënshtetësi. Është e qartë se i vetmi shpjegim është përdorimi i fjalës 'shqiptar' për të nënkuptuar 'keqbërës', ashtu si dikur përdorej për të diskriminuar irlandezët si huliganë, pastaj italianët si mafiozë e më pas zezakët e hispanikët". I pyetur nga një reporter i gazetës, "New York Post", nëse mendonte se do të trajtohej në të njëjtën mënyrë po të mos ishte shqiptar, Zherka u përgjigj se ortaku i tij në biznes është irlandez dhe, ndonëse që të dy kanë në pronë të njëjtin klub nate, ortaku i tij nuk cilësohet si "gangster", ashtu si bëhet me të. Ky, sipas tij, është diskriminim. Zherka premtoi se shumë anëtarë të njohur të komunitetit do të thonë fjalën e tyre, që askush të mos luajë me emrin e "shqiptarit". Pak vite më parë, një grup i krimit të organizuar, i kapur nga FBI-ja, u cilësua si "grup kriminal shqiptar", ndonëse në përbërjen e tij, vetëm gjashtë nga 15 ishin shqiptarë. Kjo ka kohë që ndodh, sipas Zherkës, po tani ka dalë dikush që do të bëhet shembull që kjo të mos ndodhë më. "Prindërit e mi erdhën këtu, duke lënë pas komunizmin. Babai im ka qenë për shumë vite i burgosur dhe i internuar në kamp pune. Nëna ime gjithashtu ka vuajtur tre vjet burg", tha ai, duke shtuar se nuk do të lejojë që, në një vend demokratik, të përdoren metoda diskriminuese që i kanë hije vetëm regjimeve si ai që diskriminoi prindërit e tij.

Shuma e kërkuar
është normale
Duke folur për përpjekjet për të shkatërruar biznesin e tij, Zherka, ka akuzuar policinë se po vendos postblloqe në orët e vona, që klientët të mund t'i afrohen me makinë klubeve të tij e duke u thënë klientëve, shkarazi, se "klubi po mbyllet". Mbi të gjitha, dosja hetimore që është hapur mund të sabotojë të gjitha planet e biznesit që mund të bëjë Zherka në të ardhmen. Profili kriminal që është krijuar për të, ndonëse në mungesë të plotë provash, u përcillet sipas zakonit të gjitha agjencive të tjera të rëndësishme lokale, shtetërore dhe kombëtare. Kjo do të sabotojë përpjekjet e Zherkës në të ardhmen për të marrë kredi, për të aplikuar për licenca, për të blerë dhe shitur prona e objekte që kërkojnë pagesa mujore, si dhe që të hyjë në partneritete biznesi, në të cilat kërkohet kontroll i të kaluarës kriminale dhe i biografisë së ortakut. Zherka po e çon padinë e tij në gjyq si reagim ndaj sjelljes së zyrtarëve në Westchester, të dosjes së padrejtë hetimore të policisë dhe prokurorisë në New York City, për shkak të fyerjes së tij me baza etnike, që bie në kundërshtim me Klauzolën e Mbrojtjes së Barabartë në Amendamentin e 14 të Kushtetutës, dhe përpjekja për ta ndaluar që të thotë mendimin e tij kundër politikanët të korruptuar, që i takon në bazë të Amendamentit të Parë të Kushtetutës (Liria e Fjalës, etj). Ai, gjithashtu, i padit kundërshtarët e tij për shkaktim të tronditjes emocionale, ankthit, frikës nga policia, përbuzjes dhe turpërimit publik, të cilat ka vendosur të mos i durojë më. Me anët të padisë së tij, Sam Zherka, është duke kërkuar një dëmshpërblim prej 100 milionë dollarë nga Qyteti i New York-ut, si dhe dënimin personal të Thomas Belfiore-s, për angazhimin e tij në veprimet e lartpërmendura. Avokati i tij është Jonathan Lovett, i cili e shoqëroi gjatë gjithë konferencës së tij për shtyp, së bashku me kryetarin e Partisë Indipendente në New York, Dr. Guido Cavallo, që u paraqit si udhëheqës qytetar në Westchester County. "Dikush tjetër do të ishte trembur e do të kishte vrapur nga frika e policisë dhe prokurorisë", tha Sam Zherka. "Jo unë. Unë do të bëj që ata të mendohen mirë përpara se të sulmojnë një të pafajshëm herë tjetër. Do t'i shtyp në gjyq".

Komento |  
Baci bërthamor

Pret që në demonstratën e së mërkurës të dalin më shumë se gjashtë për qind e shqiptarëve të Kosovës, sa kanë luftuar me armë në dorë. Ai tregon se përmes këtyre gjashtë pikave, janë dy arsye përse Evropa do t'i bëjë koncesione Serbisë. Çfarë propozon që liderët e vendit t'i thonë Daniel Friedit dhe amerikanëve dhe si i vlerëson spekulimet për mundësi dorëheqjeje të kryeministrit Hashim Thaçi, nëse duhet patjetër të nënshkruhen këto gjashtë pika. Adem Demaçi flet për Express.

Si i shpjegoni ju këto gjashtë pika. Çfarë janë?
Demaçi: Këto gjashtë pika janë përpjekje për ta kthyer edhe një herë Kosovën nën dominimin e Serbisë, për t'ia bërë qejfin Serbisë me shpresë se do të mund t'i bindin të ndahen nga Rusia e t'i bashkohen NATO-s dhe BE-së. Krejt këto ryshfete korruptive që po mundohet Evropa t'ia bëjë Serbisë, duhet që faturën t'ia paguajnë shqiptarët. Sikur më 1878, sikur më 1939 apo 1945, përsëritet historia që gjithmonë ne duhet t'ia paguajmë faturat Evropës, e cila po bën tregti me fatin e njerëzve.

Pse po na përsëritet historia?
Demaçi: Po na përsëritet sepse jemi më të dobëtit dhe vrima e fundit e kavallit në Evropë. Ata që janë në pushtet në shtete evropiane, pavarësisht se ne jemi evropianë dhe e duam Evropën e popujt e tyre i kemi miq, ata që udhëheqin qeveritë janë milionerë e miliarderë. Ata janë mësuar të bëjnë tregti dhe mania e tyre për tregti, ka kaluar që këtë ta bëjnë edhe me fatin e popujve. Përndryshe, është e pakuptueshme që një Serbi, e cila i bëri katër lufta, e cila sulmoi Slloveninë, njëqind të zeza në Kroaci, bëri tragjedi të paparë pas Luftës së Dytë Botërore në Bosnje e Hercegovinë, e cila bëri gjithë këto gjakderdhje e mizori në Kosovë, nga ajo të krijohet partner. Gjithë këtyre gjakderdhjeve t'iu thuhet në një moment "Peace maker" (paqebërës), të organizohet konferenca e Dejtonit, të merret parasysh kërkesa e Millosheviçit që çështja e shqiptarëve të mos jetë në ato bisedime, kjo do të thotë se Evropa me sjelljet e veta politike të gabuara, faktikisht e krijoi një kriminel, sikurse ishte Millosheviçi. Pastaj u desh të përdorë forcën e vet që ta shtypë atë (Millosheviçin).

Thatë se jemi të dobët, por a mos jemi edhe pak të padijshëm?
Demaçi: Të padijshëm po se po, sepse nuk jemi ne rastësisht më të dobëtit. Krejt qendra është te dija. Sikur ta kishim ne vetëdijen kombëtare si duhet, ne do ta kishim situatën tonë më ndryshe. Por nuk e patëm as dijen e as vetëdijen, e nuk e patëm as organizimin si duhet, ne e pësuam. Pas Luftës së Dytë Botërore mbetëm të ndarë në dy e më shumë pjesë, për shkak të mosdijes sonë. Enveri (Enver Hoxha) me kompani e vlerësoi gabimisht situatën politike, e bëri luftën antifashiste, por u mashtrua nga komunistët serbë dhe praktikisht e humbi Kosovën.

Gjashtë pikat tash janë në tavolinë. Çfarë duhet bërë?
Demaçi: Liderët e Kosovës gjithashtu e bënë një vlerësim të gabuar kur shkuan në konferencën e Rambujesë, sepse atje është gabimi i të gjitha këtyre rrjedhave të mëvonshme që dolën. Pastaj bënë lëshime në bisedimet me Ahtisarin, lëshime që nuk i njeh praktika ndërkombëtare, të cilat praktikisht ia bënë Serbisë. Edhe Serbia e Evropa filluan të mendojnë në mënyrë jo të drejtë për Kosovën, se a janë këta njerëz debilë apo idiotë, çfarë janë këta. Edhe ky hap i fundit që është ndërmarrë prej tyre, është thikë në asht, prandaj edhe po kërcejnë liderët tanë dhe populli ynë. Prandaj, nuk ka mundësi të bësh ndonjë mrekulli të madhe, sepse ne i dorëzuam armët. Ushtria jonë çlirimtare e heroike, e cila luftoi me një fuqi që as bota nuk ka besuar të jetë e tillë, i dorëzoi armët, sepse prapë vlerësoi se miqtë tanë do të na shpëtojnë dhe s'do të ketë nevojë të qëndrojmë e të kërkojmë të drejtat tona. Kurse Serbia dhe çetnikët nuk dinë asnjë forcë tjetër, përveç forcës së armëve. Sa u takon miqve tanë evropianë e amerikanë, të cilët na rekomandonin të rrinim urtë se do ta rregullojnë këtë punë, sikur ne të mos çoheshim në kryengritje, do të ishim sot me Serbinë. E si do ta rregullonin këtë punë me një autonomi substanciale. Ne e kuptuam atë dhe u ngrit populli në këmbë, por u ngrit një përqindje e vogël, nja pesë apo gjashtë për qind. Por tash ata duhet ta kuptojnë se këtë liri ashtu siç është, e kontrolluar dhe e penguar, ky popull e kërkoi. Nuk do të jetë më pesë apo gjashtë për qind, por njëzet apo tridhjetë për qind. Sepse ky popull megjithatë, nuk do ta japë lirinë e vet.

Ju mendoni se në demonstratën e së mërkurës do të dalin më shumë se gjashtë për qind?
Demaçi: Unë besoj se po. Nëse e vlerësojnë situatën si duhet dhe nëse populli ynë është duke përcjellë qëllimet djallëzore, të cilat Rusia me trysninë dhe shantazhet e veta që po ia bën Evropës. Serbia thotë se pa Kosovën nuk do të hyjë as në NATO, as në BE. E, meqë nuk duan të hyjnë, atëherë Evropa, e cila ka për qëllim që gjithsesi ta fusë Serbinë në NATO dhe BE, është e gatshme t'i shesë interesat e shqiptarëve ashtu siç po e bën në mënyrën më flagrante, më të turpshme, e jodemokratike.

Express: Si do të përfundojë gjashtëpikshi?
Demaçi: Nuk është shumë e mundur të vlerësohet kjo situatë. Kam shpresë të madhe që i kemi dy gjëra që deri më tash nuk i patëm. E kemi unitetin e të gjithë spektrit politik, pavarësisht se shtyhen ndërmjet veti, ata e kanë kuptuar se çfarë po i përgatitet Kosovës. Të gjithë janë unikë dhe janë kundër këtyre 6 pikave, e të gjithë janë kundër që Kosova të shndërrohet në një Bosnjë, që Kosovës t'i bëhet një Republika Sërpska, që serbët t'i hyjnë Kosovës përbrenda. Ata nuk do të ndalen me kaq. Ata do të kërkojnë ta bëjnë këtë edhe në Çagllavicë, apo enklavat e tjera, të cilat i bënë me lëshimet e shqiptarëve, e kjo do të bëhet një ferr i vërtetë për shqiptarë. Shpresoj që ky unitet nuk do të shpartallohet për interesa të ngushta, edhe pse po i dëgjoj disa që po thonë se jo është vonë, si shoqi i Vetonit (Veton Surroit). E ai (Veton Surroi) është një prej atyre që ka luftuar më së shumti që të nënshkruhet Marrëveshja e Rambujesë, e cila na futi në fund të pusit, apo disa që thonë se, duhet të bëhen zgjedhje të reja, në këtë kohë kur atdheu, kombi është në rrezik. Interesat personale çfarëdo qofshin, lihen mënjanë. Interesi kombëtar dhe i atdheut është mbi të gjitha dhe para të gjithave. Ata që e duan të kundërtën, besoj se janë pakësuar shumë. E dyta është që faktori i njohjes nga ana e 52 shteteve që nuk është pak dhe nga shtete më të rëndësishme që i ka bota, të cilat janë më të zhvilluarat, afër nesh, e dinë çfarë do të thotë rëndësia e Kosovës në këtë hapësirë dhe këtë kohë, është faktori tjetër i rëndësishëm. Kam shpresë të madhe se do ta detyrojnë Evropën ta rishikojë pozicionin e vet, që të ndërpresë tash e tutje lëshimet pa parim e të turpshme që është duka ia bërë Serbisë.

Daniel Fried është në Kosovë. Do të zgjidhet kjo situatë?
Demaçi: Amerikanët janë në mes të dy zjarreve. Ata kritikohen nga Evropa se janë arsyeja përse shqiptarët nuk po e pranojnë këtë marrëveshje, çka nuk është e vërtetë. Amerikanëve duhet t'iu thuhet se ne ju kemi miq; sikurse edhe Evropën që e kemi, pasi popujt e Evropës janë me ne, por jo disa nga ato shtete që i shikojnë hesapet me para e me profit, pasi gati 12-13 miliardë euro Serbia ua ka borxh shteteve më të rëndësishme evropiane. Ata janë të interesuar që ato borxhe t'iu kthehen dhe prandaj nuk duan të bëjnë presion të madh mbi Serbinë nga frika se mos nuk do të mund t'ua kthejë borxhin. Ky është shkaku që Italia, Franca apo ato të tjerat, mundohen ta shpëtojnë Serbinë nga një agresor i paparë që u shfaq.

Pra, ardhja e Daniel Friedit ...?
Demaçi: Është mirë dhe t'i thuhet, zotëri ne për lirinë e Amerikës jemi të gatshëm të vdesim, edhe nëse ju rrezikoheni, jemi të gatshëm të vdesim për ju, por lirinë tonë e duam më shumë se çdo gjë tjetër. Pa liri jeta s'ka kuptim. Ju si amerikanë që e doni aq shumë lirinë, mund të na kuptoni ne se kemi të drejtë legjitime t'i mbrojmë interesat tona, sepse edhe ata të tjerët po i mbrojnë interesat e veta. Vetëm ne deri më tash në histori hoqëm për interesat e dikujt tjetër. Ka ardhur koha që t'i japim fund se nuk jemi më ai popull kalama që mashtroheshim me disa thërrime apo çokollata.

Ka spekulime se kryeministri ka paralajmëruar dorëheqjen, në qoftë se patjetër i kërkohet nënshkrimi i këtyre gjashtë pikave. Ju si mendoni?
Demaçi: Nuk do të ishte hap i mirë nga ne që t'ia kërkojmë dorëheqjen, e nuk është hap i mirë edhe propozimi i disave për zgjedhje të reja. Por është hap shumë i mirë që ai iu ka thënë miqve tanë se 'nëse mendoni se për karrige e për post e karrierë i shes interesat e popullit tim, mashtroheni. Jam i gatshëm të jap dorëheqje'. Ky ishte një qëndrim i tij shumë burrnor dhe i mirë, që thënë të drejtën mua më ka habitur. Sepse këta zotërinjtë më së shumti bëjnë presion që 'shikoni, nëse nuk dëgjoni ne mund t'ju shkarkojmë', sepse i kanë disa autorizime atje, por nëse ti ju thua në fillim se, 'e llogaris shkarkimin, mirëpo mos prit se unë do t'i shes interesat', kjo është edhe një hap shumë i rëndësishëm që populli ynë të vetëdijesohet edhe më shumë dhe që miqtë tanë ta kuptojnë se nuk është e moralshme e demokratike të tallen me fatin e një populli të vogël, si shqiptarët, të cilët gjithmonë u flijuan për interesa të Evropës, që nga koha e Skënderbeut e këtej. Por Evropa asnjëherë nuk na dha kundërvlerën që e kemi merituar. Sot është koha që deri diku ajo t'i përmirësojë gabimet e veta.

Ju, a do të merrni pjesë në demonstratën e së mërkurës?
Demaçi: Patjetër, patjetër që do të jem aty. (express)

Komento |  
Unë dikur kam qenë kryeministër...

William LANGEWIESCHE

Në kategorinë e kurioziteteve të vogla të jetës, e konsideroj përvojën e inxhinierit austriak, i cili ishte ulur në një ulëse përballë meje. Ne gjendeshim në sektorin ekonomik të Austrian Airlines, në fluturimin 372, një linjë ajrore e vogël, e cila në pranverën e vitit të kaluar po fluturonte nga Amsterdami për në Vjenë. Inxhinieri kishte një fytyrë të hollë moraliste dhe flokë të shkurtra të lyera me gel. Ai ishte ulur shumë drejt me kokën e tij, e cila lehtësisht anonte përpara, duke lexuar disa gazeta industriale. Ngurtësia e tij vërehej edhe pas shpine. Ai kishte të veshur një këmishë të pastër e të bardhë të përthekuar për kyçin e dorës. Ulësja që ishte afër dritares ishte e lirë dhe me siguri që ai dëshironte të mbetej ashtu. Por pas pak minutash, në mesin e udhëtarëve të tjerë të klasifikimit ordiner, të cilët udhëtojnë mëngjeseve nëpër kryeqytetet evropiane, një përjashtim erdhi në skaj dhe u ndalua me një buzëqeshje shfajësuese, duke bërë me shenjë në ulësen e lirë. Ai kishte një trup mundësi, me një fytyrë të gjatë e të plotë, me një gojë që rrinte e hapur lehtësisht dhe me buzën e poshtme të dalë pak përpara. Ai kishte të veshur një kostum të kaltër dhe një këmishë që e kishte të hapur në fyt. Ai ishte Ramush Haradinaj, komandanti gueril në luftën e Kosovës, i cili një ditë më parë kishte dalë i pafajshëm nga procesi trevjeçar i kryer në Tribunalin e Hagës.
Një rebel i Kosovës
perëndimore
Edhe më parë kam ditur diçka lidhur me të. Si djali i një familjeje shqiptare me rëndësi, nga një djalë fshati, ai ishte bërë një rebel i Kosovës perëndimore. Haradinaj kishte kaluar mirë në shkollë, por nga serbët ai kishte rënë në sy si një person që krijon telashe dhe ia kishin ndaluar për të shkuar në universitet. Pas qëndrimit njëvjeçar në ushtrinë jugosllave, ai kishte kaluar në Zvicër dhe Francë, ku kishte punuar si punëtor krahu dhe rojë e klubeve të natës. Gjatë asaj kohe ai ishte stërvitur për luftë, duke marrë pjesë në gara maratone, duke mësuar artet marciale dhe duke krijuar kontakte. Ai thotë se njëherë kishte notuar në det për 27 orë, vetëm për të dëshmuar se ai mund ta bëjë këtë. Para se të kthehej në Ballkan, rreth vitit 1995, përmes maleve të Shqipërisë ai kishte filluar në mënyrë sistematike që të sjellë armë në Kosovë. Pasi që lufta kishte filluar, ai kishte marrë emrin Rambo, për shkak të kokëfortësisë së tij në betejat kundër serbëve. Ai ishte plagosur disa herë, por edhe ka vrarë plot njerëz. Ndoshta më shumë se çdokush, ai ishte përgjegjës për provokimin e Serbisë në fushatën e spastrimit etnik, e cila çoi në intervenimin e NATO-s në vitin 1999 dhe ndarjen e Kosovës nga Serbia. Më vonë ai kishte krijuar partinë politike duke u bërë kështu për një kohë të shkurtër kryeministër i Kosovës. Pas një kohe të shkurtër, për shkak të padisë për krime të luftës, ai kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Për habinë time tani, në aeroplan ai kishte qenë pa shoqëri. Nuk kishte përcjellës, as familjen dhe as rojë. Kur turmat në Kosovë eksitohen, ata përsërisin pandërprerë emrin e tij "Ramush! Ramush! Ramush!" dhe shkrepin armët në qiell. Shkrepja me armë të zjarri në gjuhën e Ballkanit përdoret për të shprehur të gjitha llojet e humorit. Kur transmetohet emocioni i dashurisë, mund të shurdhohesh nëse je shumë afër. Kur mesazhi është hakmarrja, ajo mund të të shqyejë në dysh. Nuk dua të bëhem paragjykues dhe ta pranoj lehtësisht që përkundrazi Austria e civilizuar mban rekordin për gjenocid. Por, Austrian Airlines është mjaft i qetë. Nga ulësja ime thashë: "Urime, zotëri Haradinaj", dhe ia dhashë dorën. Ai nuk më njohu. As inxhinieri nuk e njohu atë. Ai u tërhoq për t'i lejuar Haradinajt kalimin për tek ulësja afër dritares dhe e ktheu veten për te leximi i tij, që i shtrëngonte qafën. Haradinaj largoi xhaketën e tij dhe filloi të shkruante tekst mesazhe nga celulari i tij. Ai e mbante atë edhe pasi që stjuardesa kishte urdhëruar për ndaljen e të gjitha pajisjeve elektronike. Pse ky ndalim? Nuk është për siguri, ashtu siç mendoj unë, por për shkak të mungesës së një dëshmie zyrtare. Nuk lejohen qenët pa zinxhirë dhe nuk lejohet ndezja e zjarrit në plazhe. Shikoja inxhinierin se si nervozohej me mosdëgjimin e Haradinajt. Ai përmbahej për të mos komentuar, por e mbante shikimin sikur për të treguar se nuk mund të koncentrohej më shumë në leximin e tij. Ngritja e aeroplanit e lehtësoi shpirtin e tij. Haradinaj e ndali telefonin e tij dhe vështronte jashtë dritares, derisa aeroplani ngrihej mbi Holandë. Pas pak retë mbuluan pamjen. Inxhinieri i ishte kthyer leximit, kur Haradinaj iu kthye atij duke folur me një anglishte të rrjedhshme dhe duke i thënë hapur: "Unë kam qenë i arrestuar nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës për t'u gjykuar për krime të luftës, por jam liruar i pafajshëm. Tani po shkoj në Kosovë. Është një ditë e bukur. Dje ishte një ditë e mirë. Më duhet ta ndërroj aeroplanin në Vjenë. E ti, çka po bën?" Inxhinieri e shikonte atë me mëdyshje. Kosova? Ai kishte dëgjuar për të. Biseda do të mund të kishte përfunduar aty, por Haradinaj e hapi një revistë ku ishte harta e Evropës, ku i tregoi me gisht se ku është Kosova - një shtet aq i vogël sa që emri i tij nuk mund të shkruhej brenda kufijve të treguar. "Populli ynë është më shumë se dy milionë. 90 për qind janë si unë, 10 për qind janë serbë dhe disa të tjerë janë romë. Grupet nuk përzihen, ky është një problem nga lufta, por se duhet të ndryshohet. Ne kemi parlament. Kryeqyteti ynë është Prishtina. Ka kafiteri të mira. Unë dikur kam qenë kryeministër. Zyrat e qeverisë sonë kanë qenë të mbikëqyrura nga OKB-ja, por tash së voni kemi shpallur pavarësinë. Disa shtete na kanë njohur dhe Unioni Evropian po bën lëvizje për të na ndihmuar. Ne nuk kemi ushtri, sepse ne mbrohemi nga trupat e NATO-s dhe atje duhet bërë shumë ndërtime. Papunësia është 50 për qind. Ne kemi nevojë për të përmirësuar arsimin. Tregu është ashtu-ashtu. Ne kemi bujqësi, por ne kemi nevojë për investime", i tha Haradinaj. "A ka atje turistë", e pyeti inxhinieri. "Jo, ende. Ne e kemi verën e mirë", iu përgjigj Haradinaj. Ai dukej të mendonte se inxhinieri mund të ishte një nismëtar i tregtisë. Ai dukej se po e fliste të vërtetën, por nuk e përmendi faktin se përkundër influksit të madh të fondeve të huaja dhe të këshilltarëve, Kosova është një vend gati se i paprekur nga mekanizmat e qeverisë formale, dhe është e kontrolluar nga nëntoka, nga një sistem i patronazhit dhe ujditë e bëra jashtë ligjit. Në atë kuptim, kjo është sikur në shumicën e shoqërive botërore, ku për të gjitha mburrjet e globalizimit të kohës sonë, mënyrat tradicionale vazhdojnë të funksionojnë dhe ne jemi thurur në një strukturë të progresit. Tek e fundit çka do të thotë "modernizim"? Pjesa më e madhe e ekonomisë në Kosovë është në të zezën. 50 për qind janë të papunësuar? Më shumë se 50 për qind me treg të zi, kontrabandë dhe evazion fiskal. Por ndoshta nuk ka kontradikta në mendjen e Haradinajt. Kosova nuk ka krime të rrugës. Ka restorante të arsyeshme dhe lugina baritore.

Kosova është e qetë,
por e tendosur
Ka një resortë skijimi në male ku vizitorët kurrë nuk duhet të presin në rend. Ka shumë gra të bukura atje, por vendi është aq i qetë sa që inxhinieri atje mund ta sjellë edhe gruan e tij. Është e komplikuar. Kosova është e qetë, por e tendosur. Sidoqoftë, vetë justifikimi ndoshta, nuk është krejtësisht gabim. Haradinaj është mishërimi. Prokurorët e Kombeve të Bashkuara në Hagë kanë akuzuar atë për organizim dhe vrasje të civilëve gjatë luftës. Ai gjithmonë e ka mohuar këtë. Pas luftës, fuqia e tij ishte e pjesshme dhe e bazuar në luftërat që ai ka bërë, por ai shndërrohet me kohë në kundërshtar të shtyrjeve të shqiptarëve në dhunë ndaj serbëve. Në mars 2005, kur trashëgimia e luftës u kthye drejt tij, ai u bë kryeministri i vetëm në histori që derisa ishte në atë detyrë, iu dorëzua drejtësisë ndërkombëtare. (express)

(VIJON)